` . Sead Koçan nuk ndihet fajtor për akuzat (Video) - TV-SHENJA

Sead Koçan nuk ndihet fajtor për akuzat (Video)

Gjykimi për rastin “Trust” me të akuzuarin kryesor Sead Koçan filloi. Edhe pse mbrojtja përsëri kërkoi anulim të seancës meqë thanë se nuk i kanë parë tërësisht provat, gjykatësja më nuk toleroi prolongim dhe u kërkoi palëve që të thonë fjalët hyrëse. Sead Koçan i tha gjykatës se nuk ndjehet fajtor. Fajtor nuk ndjehej as Safet Batiç, pronar i firmës “Vato” nga Studeniçani dhe fajtor nuk ndjeheshin as drejtuesit e kompanisë “Sileks Nemetali” dhe “Transmetit”.

Prokuroria Speciale ishte decide se në këtë rast ka krim i cili dëshmohet me manipulimin që e kanë bërë firmat fituese të tenderit 17 milion euros të ELEM-it. Sipas prokurorit Gavrill Bubevski, Firma “Transmet” e Sead Koçanit së bashku me firmat ”Sileks Nemetali” dhe “Vato Dooel” si një konzorcium, kanë paraqitur dokumente të rrejshme për të punësuarit, makineritë dhe kapacitetin e tyre të punës, vetëm që t’i përshtaten tenderit dhe kështu kanë shkelur  konkurrentët padrejtësisht.

GAVRILL BUBEVSKI, PROKUROR

“Gjëja kryesore në këtë rast është se me dokumente të falsifikuara është fituar tender për të cilin janë paguar afro 17 milionë euro. Gjithë procedura për fitimin e tenderit me dokumente të falsifikuara kështu që gjithë paratë e fituara janë të paligjshme. Nuk lejohet që me dokumente të falsifikuara  të vihet deri tek një punë, pavarësisht a eke kryer atë. Nuk mund të kryesh një punë nëse ke ardhur deri tek ajo me dokumente të falsifikuara. Ai që i hyn kësaj pune e din edhe rrezikun. Nëse të kapin, duhesh ti kthesh ato 17 milionë euro”

Avokatët e Sead Koçanit dhe drejtuesve të kompanive të akuzuara, mohonin se kanë bërë çfarëdo manipulimi ose falsifikimi dokumentesh. Avokati i pronarit të kompanisë “Vato” në gjykatë tha se klienti i tij është dëm kolateral, se nuk është një lojtar i madh, por si duket do të pësojë nga lojërat e huaja.

VANÇO MILEV, AVOKAT

“Në opinion u ngrit fama se ky është një organizim i madh, në bashkëpunim me Qeverinë ndërsa prej gjithë kësaj rezulton të jetë i akuzuar personi Safet Batiç. Kjo sipas meje është e paarsyeshme por besoj se gjatë procesit do të dalë e vërteta në shesh. Për mua është me rëndësi se klienti im, firma “Vato” nuk ka dorëzuar asnjë grimë dokumenti të falsifikuar”

Sipas asaj që e tregoi Sead Koçani në gjykatë, ai tani është i punësuar në firmën e tij si këshilltar. Seanca gjyqësore zgjati më shumë se tre orë edhe atë me lojë fjalësh mes mbrojtjes dhe prokurorisë. Avokatët e të akuzuarve insistonin se lista e provave që iu dorëzua në seancën e kaluar, nuk korrespondon me provat që i kanë parë ato. Kështu që kërkonin edhe një seancë përgatitore në të cilën do ti merrnin gjithë provat që do të përdoren në këtë rast. Por Prokuroria Speciale reagoi menjëherë dhe ua dorëzoi nga një CD me materiale të gjithë avokatëve. Gjykatësja caktoi seancat gjyqësore për dy muajt e ardhshëm me qëllim që lënda të procesuohet sa më shpejtë. Kështu, çdo javë pune do ketë të paktën dy gjykime të këtij rasti.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Postime të Ngjajshme