` . Sarajevë, protesta kundër ndotjes së ajrit - TV-SHENJA

Sarajevë, protesta kundër ndotjes së ajrit

Një grup qytetarësh u mblodhën sot në kryeqytetin e Bosnjë e Hercegovinës, Sarajevë, për të protestuar kundër ndotjes së madhe të ajrit me të cilën përballen qytetarët me muaj dhe me vite, raporton AA.

Grupi joformal i qytetarëve u mblodh para qeverisë së Kantonit të Sarajevës, ku ata porositën se janë të shqetësuar nga të dhënat e cilësisë së ajrit dhe shprehën pakënaqësinë e tyre që askush nuk po merrte përgjegjësinë për gjendjen aktuale kur bëhet fjalë për cilësinë e ajrit.

Qytetarët gjithashtu thanë se ishte koha që të ndërmerren masa konkrete për të adresuar këtë çështje.

Protestuesit u bënë thirrje të gjithë qytetarëve, organizatave joqeveritare vendase dhe ndërkombëtare të cilat kanë në fokus mirëqenien e fëmijëve, shoqatat për mbrojtjen e mjedisit dhe të gjithë të interesuarit e tjerë që së bashku të shprehin shqetësimin dhe pakënaqësinë e tyre për qasjen e deritanishme ndaj problemit, për të cilin thonë se ka pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej: “A është shtëpia juaj në zonën e epidemisë së kancerit në mushkëri?”, “Ajri i pastër është e drejtë njerëzore”, “Të gjithë kanë të drejtë për ajër të pastër”.

Sanjin Gijo, organizator i tubimit tha se grupi joformal i qytetarëve ishte mbledhur për të shprehur publikisht pakënaqësi për ajrin e ndotur, i cili siç tha ai, aktualisht është problemi më serioz sepse bëhet fjalë për shëndetësinë, një e drejtë elementare e njeriut.

“Ne si qytetarë nuk mund t’i përcaktojmë kërkesat tona aq saktësisht sepse kemi njerëz profesionistë, detyra e të cilëve është të merren me këtë çështje. Porosia ynë sot nga ky tubim është që nuk duam të helmohemi, se nuk duam fëmijët tanë të helmohen. Ne duam të shohim hapa të qartë, strategji afatshkurtra dhe afatgjata, rezultatet e të cilave do të jenë të matshme”, shpjegoi Gijo.

Protestuesit tjerë që ishin bashkangjitur në protestë, thanë se dëshirojnë t’u dërgojnë porosi autoriteteve, kryesisht qeverisë federale, se duhet të fillojë të bëjë punën e saj, duke paralajmëruar protesta masive për të ardhmen.

Të pranishmëve iu drejtua edhe kryeministri i Kantonit të Sarajevës, Edin Forto, i cili tha se qytetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për problemin dhe se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

“Ajo që do të bëjmë në periudhën e ardhshme është që ne do të përqendrohemi më shumë tek më të prekurit, përkatësisht fëmijët nën moshën 12 vjeçare. Pra, kopshtet dhe shkollat deri në klasën e katërt, ky do të jetë prioriteti ynë në periudhën e ardhshme, veçanërisht kopshtet si dhe në shkollat fillore deri në klasën e katërt, të instalojmë pastrues të ajrit dhe të shohim se kujt mund t’i dhurojmë maska kur ndodhemi në këto episode. Gazsjellësi është një projekt strategjik afatgjat i kompanisë ‘Sarajevogas’, e cila është në pronësi të Kantonit të Sarajevës. Mendojmë se gazi është një nga burimet e pranueshme të energjisë për Kantonin e Sarajevës”, sqaroi Forto.