` . Sanxhaku duhet t’i bashkohet Kosovës e jo Bosnjës – TV-SHENJA

Sanxhaku duhet t’i bashkohet Kosovës e jo Bosnjës

Pas Kongresit të Berlinit (1878), Sanxhaku i Jeni Pazarit (Novi Pazarit) hyri në përbërje të Vilajetit të Kosovës, i cili përbëhej nga Sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Prishtinës dhe Dibrës. Nga ky moment popullsia e Sanxhakut të Novi Pazarit i intensifikon lidhjet tregtare, kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë, gjë që ndikoi në përtëritjen e lidhjeve etnike e vëllazërore dhe të një përafrimi më të madh ndërmjet tyre.

Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan

Në përcaktimin e vijave territoriale dhe shtetërore, në rast të ndryshimit, korrigjimit ose shkëmbimit të territoreve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka gjasa të rritjes dhe fuqizimit maksimal të lëvizjeve për mëvetësi, por edhe të ndarjes së Sanxhakut nga Serbia.

Me ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, rriten gjasat për shndërrimin e menjëhershme të Sanxhakut si çështje ndërkombëtare se si ndërkombëtarizim i çështjes së Sanxhakut.

Pasi serbët nuk duan të jetojnë në një territor të qeverisur nga shumica shqiptare, shtrohet pyetja se pse boshnjakët do të jenë të detyruar të jetojnë në një shtet të qeverisur nga shumica serbe dhe malazeze? Pasi serbët në veriun e Mitrovicës nuk duan të jenë nën autoritetin e Kosovës, duke u thirrur në vazhdimësinë territoriale me Serbinë amë, është e pritshme që sanxhaklinjtë ta përdorin të njëjtin argument. Boshnjakët, po ashtu, janë shumicë në territorin e tyre, vazhdimësi territoriale në veri-perëndim, që përfshijnë territoret e komunave Priboj, Prijepole e Plevle, që lidhen me territoret e komunave në Bosnjë dhe Hercegovinë, siç janë: Foça, Çajniqe, Vishegrad e Gorazhdë, me të cilat shumica e popullsisë e kanë gjuhën, fenë e përbashkët ose përkatësinë nacionale. Por, gjithashtu, komunat e Sanxhakut, duke u nisur në lindje nga komuna e Novi Pazarit, mandej në jug ajo e Tutinit, Rozhajës, Plavës e Gucisë, të populluara me shumicë boshnjake e shqiptare, ka vazhdimësi historike, territoriale, etnike dhe kulturore me vendbanimet e komunave të Mitrovicës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe vendbanimet veriore të Shqipërisë, prej nga edhe e kanë prejardhjen popullsia e Sanxhakut, e asimiluar në masë të madhe në boshnjakë. I njëjti kriter vlen edhe për vendbanimet e komunave të Luginës së Preshevës (Presheva, Bujanoci e Medvegja), të cilat në çdo pikëpamje janë pjesë të Kosovës.

Sanxhaku i Novi Pazarit përfshin një sipërfaqe prej 8687 km², ku jetojnë mbi 400.000 banorë. Nga kjo sipërfaqe 4.504 km² i përkasin Serbisë, ndërsa 4.183 km² Malit të Zi. Mbi 60% e banorëve të dy pjesëve të Sanxhakut janë myslimanë, përkatësisht boshnjakë e shqiptarë.

Pozita gjeografike paraqet faktorin, i cili, në teorinë e gjeografisë, është i një rëndësie të madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Prandaj, pozita gjeografike është objektiv i pashmangshëm i analizës së të gjitha trajtimeve komplekse të hapësirës gjeografike dhe ngjarjeve politike.

Sanxhaku është një rajon kompleks dhe shumë i rëndësishëm nga pikëpamja historike, gjeografike, gjeopolitike, gjeostrategjike dhe pikëpamja ushtarake. Është një territor që ndodhet ndërmjet Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Mali të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Ky rajon ndodhet në pjesën qendrore të Gadishullit Ilirik, i ndarë politikisht ndërmjet dy shteteve të pavarura – Serbisë dhe Mali të Zi. Sanxhaku paraqet një lidhje natyrore dhe të pashkëputshme territoriale dhe historike etnike me Kosovën dhe Shqipërinë. Përndryshe, është regjion i konflikteve, përkatësisht në të ndeshen interesat e ndryshme: për serbët, nëpër të kalon “Transferzalja e gjelbër”, ndërsa për të tjerët linja ruse-serbe e interesit kah Mali i Zi dhe Deti Adriatik.

Dr. Vasa Çubrilloviqi, në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, thotë: “Problemi i shqiptarëve është i kamotshëm. Kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të pëlleshme”. Praninë e shqiptarëve ai e quajti “Pykë të rrezikshme”, andaj  mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Serbia e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Pikërisht këtu ai e ka fjalën për Sanxhakun, kur kryengritësit serbë, në krye me Karagjorgjen, kishin bërë spastrimin etnik të tij.

Gjoka Perina, titullar i Lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, po ashtu e mbështeste këtë pikëpamje karshi shqiptarëve. Sipas tij, popullsia shqiptare në regjionin e Sanxhakut, paraqet rrezik të përhershëm. Prandaj, ai preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, ku popullsia shqiptare, siç konsideron ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Ideologët serb gjithmonë e kanë pasur në mendjen e tyre se ekzistojnë disa arsye që sanxhaklinjtë mund ta ndjejnë afërsinë me Kosovën dhe trungun shqiptar. Pas Kongresit të Berlinit (1878), Sanxhaku i Jeni Pazarit (Novi Pazarit) hyri në përbërje të Vilajetit të Kosovës, i cili përbëhej nga sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Prishtinës dhe Dibrës. Nga ky moment popullsia e Sanxhakut të Novi Pazarit i intensifikon lidhjet tregtare, kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë, gjë që ndikoi në përtëritjen e lidhjeve etnike e vëllazërore dhe të një përafrimi më të madh në mes tyre. Marrëveshja e Berlinit nuk ua njohu boshnjakëve dhe shqiptarëve asnjë të drejtë dhe as që u debatua për çështjen e tyre nacionale. Austro-Hungaria e fitoi të drejtën e okupimit të Bosnjës, ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën me Sanxhakun luheshin lojëra të Fuqive të Mëdha. Perandoria Osmane, edhe pse u mundua t’i mbajë edhe më tej këto territore, në Luftërat Ballkanike e humbi Kosovën, Sanxhakun dhe Maqedoninë, të cilat ranë nën okupimin serb. Popullata e Kosovës dhe e Sanxhakut e patën fatin e njëjtë, prandaj në vazhdimësi ishte e detyruar të luftojë kundër pushtuesve serbë dhe malazezë, të cilët kishin për qëllim spastrimin etnik të këtyre mjediseve, Kosovës dhe Sanxhakut, nga popullata autoktone shqiptare e boshnjake. Për këtë më së mirë dëshmon Lëvizja Nacionalçlirimtare Kaçake në Kosovë dhe në Sanxhak, pastaj veprimtaria e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, pastaj veprimtaria e “Xhemijetit”, si e vetmja parti politike në vitet e ’20-ta, e cila kishte tubuar shqiptarë, turq dhe boshnjakë të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo organizatë, nën udhëheqjen e vëllezërve Dragaj dhe Aqif Blytës, i artikulonte kërkesat e këtyre popujve të robëruar për liri. Një ndër më të zëshmit ka qenë Aqif Blyta, i cili ka dhënë gjithçka nga vetja e tij që Sanxhaku të jetë i lirë dhe kurrsesi nën pushtimin serb dhe malazez.

Edhe pse pushtuesit serbë dhe malazezë u angazhuan që ta zhduknin Sanxhakun, duke përdorë metoda të ndryshme të spastrimit etnik, madje edhe duke bërë krime e gjenocid ndaj popullsisë autoktone shqiptare e boshnjake, popullsia mbijetoi dhe vendi ende ekziston. Dihet që popullata e Sanxhakut kurrë nuk u pajtua të jetë nën sundimin serbo-malazez.

Dëshirën për të qenë autonom dhe për t’u shkëputur nga Serbia dhe Mali i Zi, populli i Sanxhakut e shprehu vazhdimisht sa herë që u krijuan mundësitë, siç janë rastet në Konferencën e Sjenicës në vitin 1917, kur përfaqësuesit e tij vendosën që t’i bashkohen Bosnjës dhe Hercegovinës; rasti i okupimit nga Gjermania e Italia, kur banorët vendosën t’i bashkohen Shqipërisë Etnike; rasti me Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kur përfaqësuesit e Sanxhakut (Aqif Blyta ishte sekretar) kërkuan dhe Kuvendi vendosi që Sanxhaku të jetë pjesë e pandarë e shtetit shqiptar; pastaj me përfundimin e Luftës II Botërore ishte njësi më vete partiake-politike (Oblasni Komitet KPJ za Sandžak) dhe do të duhej të kishte një status të autonomisë territoriale-politike, nëse jo si i Kosovës (Oblast), atëherë së paku një autonomi kulturore! Sanxhaku kishte 8.600 km2 dhe u nda midis Serbisë (4.600 km2) dhe Malit të Zi (4.000 km2) dhe, së fundmi, në prag të shpartallimit të Jugosllavisë komuniste organizoi referendumin për autonomi, me të drejtë bashkimi cilësdo njësi federale të Jugosllavisë. Duhet bërë të ditur se shumë shqiptarë jetojnë edhe sot në Sanxhak, si edhe boshnjakët, prej të cilëve shumë besojnë se origjina e tyre është shqiptare. Në një bashkësi të shteteve demokratike, siç është BE-ja, nuk është larg mendjes se me një referendum të lirë popullor ata do të deklaroheshin që Sanxhaku të jetë pjesë e shtetit të Kosovës.

Sanxhaku dhe Kosova, gjatë gjithë historisë, ishin të pandarë, ndërsa pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore masat që i ndërmori pushteti i ri bëri që Kosova dhe Sanxhaku të ishin më larg njëri-tjetrit. Në Jugosllavinë komuniste statusi i Kosovës avancohej, ndërsa për Sanxhakun as që bëhej fjalë. Popullsia shqiptare, e mbetur në Sanxhak, shkonte drejt asimilimit dhe shpërnguljes në të gjitha drejtimet. Gjatë viteve të ’70-ta dhe ‘80-ta sanxhaklinjtë zgjodhën, për shumë arsye, shkollimin e fëmijëve të tyre në Kosovë, gjë që ndikoi pak a shumë në mbajtjen e lidhjeve vëllazërore. Edhe pse ata shkolloheshin në gjuhën serbokroate, lidhjet dhe kontaktet ekzistonin.

Në rrethanat e krijuara pas shpërthimit të luftës në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, lidhjet qenë zbehur tej mase. Pas stabilizimit të situatës në Ballkan dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, situata ndryshoi në përafrimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Sanxhakut. Lidhjet e zbehura, pothuajse edhe të shuara, filluan të përtërihen. Sanxhaklinjtë kurrë nuk pushuan së respektuari personalitetet si Aqif Blyta, lideri politik e ushtarak i Sanxhakut, e Shaban Polluzha me bashkëpunëtorët e vet dhe me mbi 3.000 vullnetarë, që u shkuan në ndihmë sanxhaklinjve në momentet më të vështira, kur popullata joserbe e kësaj krahine ishte e rrezikuar nga shfarosja prej njësive çetnike të Drazha Mihailloviqit. Kjo ishte arsyeja e përtëritjes së vizitave dhe bashkëpunimit në organizimin e tribunave shkencore, debateve, simpoziumeve, konferencave dhe manifestimeve të ndryshme kulturore për të kaluarën e përbashkët, që u mbajtën në Kosovë e Sanxhak.

Për shkak të problemeve të pazgjidhura ndëmrjet Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht mos njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, situata ka shkaktuar problem edhe në Sanxhak dhe në Luginë të Preshevës. Për zgjidhjen e këtyre problemeve, në bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, edhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut kërkojnë me ngulm të jenë pjesë e bisedimeve.

Sanxhaku, për momentin, llogaritet nën statusin politik, juridik dhe kushtetues të Vojvodinës (i ndarë edhe përbrenda vet Serbisë ndërmjet Qarkut të Zllatiborit dhe të Rashkës), pasi që kjo e fundit ka qenë si Kosova – me status të krahinës autonome. Me ndryshimin e kufijve, Sanxhaku mund ta fitojë statusin e Vojvodinës, statusi i së cilës mund të avancojë.

Një sfidë e madhe brenda Sanxhakut është edhe mungesa e unitetit politik. Partitë politike dhe bashkësitë fetare brenda Sanxhakut janë të ndara. Partia Aksionit Demokratik (SDA), në raport me Kosovën, i mbetet konsekuent referendumit të mbajtur në vitin 1991, kur popullata e Sanxhakut me mbi 90 për qind votuan për autonomi dhe në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë të kenë të drejtë t’i bashkëngjiten cilësdo njësi federale të Jugosllavisë. Muamer Zukorliq, ish myfti, aktualisht lider i Partisë për Pajtim dhe Drejtësi, ka konstatuar se varianti i ndryshimit të kufijve është më e rrezikshmi, sepse, sipas tij, askund në botë dhe, sidomos, në Ballkan nuk kemi shembuj seriozë, sepse ndryshimet e kufirit nuk kanë ndodhur pa konflikt të armatosur. Zukorliqi, teorikisht, nuk e mohon mundësinë e ndryshimit të kufijve me marrëveshjen e të dyja palëve, por, siç thotë ai, këtu ekziston interesimi i fuqive të ndërkombëtare, prandaj nuk është vetëm një çështje dypalëshe. Megjithatë, ai është i përmbajtur dhe, në çfarëdo rasti, është në mbështetje të presidentin Vuçiq për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Këshilli Kombëtar Boshnjak (ish Këshilli Kombëtar i Myslimanëve të Sanxhakut), i themeluar në vitin 1991, është organi më i lartë, i cili përfaqëson boshnjakët në Serbi. Këtë Këshill Kombëtar e kryeson lideri i Partisë së Aksioni Demokratik, Dr. Sulejman Uglanin. Kryetari i KKB-së, Dr. S. Uglanin, shpreh një afërsi të madhe me krerët politikë të Kosovës. Ai, me bashkëpunëtorët e tij, i ka vizituar disa herë institucionet shtetërore të Kosovës dhe e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. Gjatë vizitës së fundit, që ia bëri Kosovës, ai kërkoi që në bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës boshnjakët të jenë të përfshirë si palë e barabartë, sepse, sipas tij, çështja e boshnjakëve në veriun e Kosovës dhe në Sanxhak mbetet e pazgjidhur.

Rasim Lajiq, politikani tjetër nga Sanxhaku, i cili është lider i Partisë Social-Demokrate, përndryshe ministër i “përhershëm” në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë, por e vonuar, të cilën e kundërshton edhe një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të ndikimit që do ta kishte edhe për vendet e tjera të rajonit. Duke komentuar lidhur me një zgjidhje të çështjes së Kosovës, sipas modelit të dy Gjermanive, ai thotë: ”Pajtohemi që të mos e njohim njëri-tjetrin, por duhet të durojmë dhe të jetojmë pranë njëri-tjetrit!”

Po ashtu, në aspektin fetar sanxhaklinjtë nuk kanë qëndrim unik. Bashkësia Islame, në krye të së cilës është ish nxënësi i Medresesë së Prishtinës, Dr. Mevludin Dudiq, e cila është nën ndikimin e ish myftiut Zukorliq, kultivon marrëdhënie të mira me BI të Kosovës dhe asnjëherë nuk ka dalë kundër pavarësisë së Kosovës, madje në mënyrë indirekte e mbështetë atë, ndërsa bashkësia tjetër islame, që është nën kontrollin e qeverisë së Beogradit, por që ka shtrirje institucionale edhe në Sanxhak, hapur është kundër pavarësisë së Kosovës. Madje, kjo bashkësi ka kërkuar nga vendet islamike që mos ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Por, ndryshimi i kufijve në Ballkan, edhe këto marrëdhënie ndërmjet vetë krerëve dhe përfaqësuesve të Sanxhakut në raport me kundërshtarin e përbashkët, ka gjasa që t’i ngrejë ndjenjat e përkatësisë dhe vëllazërisë sanxhakase, nëse mbi interesin ditor politik dhe partiak vihet interesi i Sanxhakut. Do të ishte shumë i rëndësishëm procesi i unifikimit të elitës politike, kulturore, fetare dhe intelektuale të Sanxhakut, pastaj dereligjiozimi ose defetarizimi i karakterit politik, duke rritur etatizmin si identitet të sanxhaklinjve. Natyrisht se sanxhaklinjtë pjesë të identitetit kombëtar e kanë fenë islame, por këtu fjala është vetëm për një aspekt të forcimit të identitetit politik e regjional. Sikur Perëndimi, që është sekularizuar dhe laicizuar nga feja krishtere, që të identifikohet me të shumica e qytetarëve, qoftë edhe vetëm si traditë, megjithatë nuk janë shkëputur nga vlerat kulturore që janë po ashtu të krishtera.

Nëse Kosova ndahet, atëherë rritet kërkesa legjitime për ndryshimin e kufijve të Ballkanit dhe Sanxhaku bën pjesë po ashtu në këto vende. Kërkesa e Sanxhakut bëhet më e fuqishme, më legjitime edhe më e pranueshme për faktorin ndërkombëtar nga vet fakti se, në rast të ndryshimit të kufijve, një gjë të tillë do ta kërkojë edhe Republika Srpska. Edhe nëse ka shkëmbime territoresh, fiton ideja e nacionalizmit etnik, sikurse e shpjegojnë sociologët. Nacionalizmi etnik dhe kulturor kërkon që territori të jetë i përputhshëm me gjuhën e shumicës së banorëve dhe kulturën e tyre etnike. Në këtë kontekst, Sanxhaku e ka identitetin e vet etnik, gjuhësor, fetar, madje edhe territorial (de facto). Nëse serbët nuk duan të jetojnë nën autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës, vetëm sepse atë e përbëjnë shumica shqiptare, atëherë sanxhaklinjtë kërkojnë që të bashkohen me Bosnjën, por nuk është larg mendjes që të bashkohen edhe me Kosovën. Siç u pa më lart, ekzistojnë shumë arsye pse sanxhaklinjtë ndjejnë afërsi me Kosovën.

Politika globale në dyluftimin ndërmjet nacionalizmit qytetar, kozmopolit, multikulturor dhe nacionalizmit etnik, monokulturor, prodhon efekte edhe në Sanxhak. Sanxhaklinjtë, në vazhdimësi, bëjnë përpjekje për ta fituar statusin e autonomisë, ndërsa nëse paraqiten kushtet, kërkesa e tyre vetëm sa fuqizohet e plotësohet. Arsyeja e një kërkesë për autonomi është sjellja e pushtetit serb ndaj popullit të Sanxhakut, duke i konsideruar ata si qytetarë serbë e jo si qytetarë të Republikës së Serbisë. Boshnjakët e Sanxhakut, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politikë, kërkojnë që boshnjakët të jenë të barabartë me popullin serb.

Bashkësia ndërkombëtare është deklaruar se nuk është për ndryshimin e kufijve, kjo pikërisht për shkak të moshapjes së Kutisë së Pandorës, në mënyrë që një ndryshim kufiri të mos ketë efekte në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, në rast se bëhet ndryshimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Sanxhaku do të ketë ndjesi, mobilizim, lëvizje dhe ndryshime edhe brenda vetë strukturave politike të Sanxhakut, opinionit publik etj.

Nga kjo situatë e krijuar në Ballkan, Sanxhaku nuk mund të humbë asgjë. Në secilin version, Sanxhaku e ka kërkesën e kamotshme, e ka vullnetin shumicë të qytetarëve të saj, që t’i kthehet statusi që e kishte në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Pra, të ketë autonomi qeverisëse, qoftë edhe nëse kjo nënkupton krijimin e një regjioni special ndërkufitar ose rajoni autonom.