` . Sakrifikimi i formës si ezoterikë e portretit – TV SHENJA

Sakrifikimi i formës si ezoterikë e portretit

Shkruan: Metin IZETI

Për ta kuptuar si duhet thyerjen që ka ndodhur në art si pasojë e krijimtarisë së Kandinsky’t domosdoshmërisht duhet t’i kthehemi sfondit ideor në të cilin ishte i mbështetur ai. Fundi i shekullit të XIX karakterizohet si periudhë ku fetaria emocionae dhe spiritualizmi i është kundërshtuar me të madhe materializmit dhe naturalizmit.  Spiritualizmi në fjalë e ka përfshirë në brendinë e tij simbolizmin dhe “ romantizmin e vonshëm” dhe si pasojë i ka dalë përpara pozitivizmit që deri atëherë dominonte në botën e artit.  Kjo shpirtëri në masë të madhe ka ndikuar në artistët që nuk kanë qenë të kënaqur me impresionizmin  dhe të cilin e kanë konsideruar si tejet sipërfaqësor.  Si rrjedhojë, brezi simbolist është shndërruar në brezin më të thellë nga aspekti i mendimit artistik. Kah fundi i shekullit të XIX fetaria simbolike ka hy në kallëpe të caktuara si pasojë e botëkuptimit ezoterist të përfaqësuesve të tij, siç ishin Kandinsky, Mondrian , etj., rrjedhimisht themeluesit e abstrakcionizmit. S’ka dyshim që ata janë ndikuar nga mësimet hermetike të antikitetit dhe gnoseologjisë së vazhdueshme të historisë së mendimit njerëzor që veten e ka treguar nëpërmjet ezoterizmit të ndryshëm, mirëpo fytyra, idetë e të cilit më së shumti  e kanë ndryshuar fizioniminë e artit të kësaj periudhe, është filozofi, esteti dhe sufiu i njohur mysliman i Andaluzisë, Muhjuddin ibn Arabiu.

Përmasa artistike e ka gjallërinë e vete unikate dhe ajo rigjenerohet në arsyen dhe zemrën e artistit, në rastin konkret të grafistes së re, Lulzime Osmanit,  në trajtën e posaçme për individin dhe kurrikullumin intelektual të tij dhe të mjedisit. Ashtu sikurse ligjet e natyrës janë të pandryshueshme, por që shfaqen në mjedise të paqëndrueshme, po ashtu edhe, te autoreja inteligjente dhe me perspektivë Osmani,  arti i përjetshëm dhe i pandryshueshëm do të na shfaqet në shumë aspekte. Përjetshmëria e imagjinatës së Lulzimes është e prezentuar në portretet e saja të cilat janë letërnjoftim i një vije të gjatë shoqëroro-historike të mjedisit njerëzor në përgjithësi dhe atij shqiptar në veçanti.

Në këtë kompozicion të punimeve për këtë ekspozitë, autoreja mëton ta rrokë në njëfarë mënyre këtë dimension të artit. Të hyjë në mjedisin rrotullues të imagjinares dhe t’i drejtohet pa fjalë reales. Punimet e saja, ndoshta, nga syri i soditësit mund të duken jo aq realiste por ata kanë realitetin e vet në shpirtin e autorit dhe soditësi gjithsesi këtë realitet e sheh duke depërtuar në thellësinë metahistorike dhe gjeografike të personit artist. Çdo vijë e shprehur në to dëshiron të përfaqësojë një dashuri apo mllef ndaj asaj që duket.

Ideja në këto grafika është përpunuar në harmoni edhe me teknikat e punës dhe qëllimi është të prezentohet si vendosje e një  ekuilibri ndërmjet idesë dhe formës.

Në periudhën moderne dhe postmoderne portreti do të përdoret për shprehjen e imagjinatës së autorit në lidhje me çështje të caktuara të qenësisë, pa marrë parasysh a janë ata në kontekst të pajtueshmërisë ose të kryengritjes dhe mospajtimit. Për pasojë do të paraqitet portreti i imagjinuar, që është rast edhe në punimet e Lulzimes. Portretet e deformuara në punimet e saj nuk kanë përfaqësimin adekuat të tyre në qenësinë reale, por ata janë shprehje e vështrimit metafizik dhe imagjinues të qenësisë dhe prezantim pamor i të gjitha vijave të shëmtuara etike dhe të karakterit në pasqyrën e personit njeri.

Portreti në këtë rast është vetëm shkak për mbindërtim imagjinar, për vlerësim  irracional, për përfaqësim të shumë-dimensionalitetit të fytyrës së njeriut. Secili prej portreteve ka tone të ndryshme në fytyrë, që njëkohësisht e shprehin dimensionin imagjinues të prezantimit të brendisë së personit të portretizuar. Secili prej portreteve ndoshta nuk e ka adekuaten në botën reale, por e ka në botën imagjinare dhe vlerësuese të autores.

Portreti i strukur është jo vetëm pamje e dukjes fizike të personit që në portretet e këtij studimi është i papërcaktuar dhe i përgjithshëm, por është pamje e identitetit, ku në bashkësi janë të prezantuara, karakteri, etika, morali, sjellja, dhe fizionomia. Nëpërmjet të asimetrisë dhe deformimeve në fytyrë arrihet dinamika e raportit dukje-karakter, në prapavijën ideore, ndërsa një vepër origjinale në aspekt të pamjes artistike. Portreti i strukur edhe pse duket i shëmtuar ai është estetik, gjegjësisht është i bukur.

Lulet që janë të hedhura në hapësirën përreth e shprehin lidhjen e njeriut esencial me origjinën e gjithësisë. Ata janë brenda një oratoriumi mistik, brenda një vallëzimi ritual përreth karakterit të mirë. Rrotullimet e luleve e kërkojnë largimin e deformimeve të karakterit dhe kthimin drejtë origjinës së vërtetë, drejtë Zotit. Posaçërisht tulipani është thirrje për llogari para origjinës dhe esenciales në njeriun.

Gjithashtu një prej elementeve të rëndësishme të portreteve janë edhe sytë, që janë herë të hapura tërësisht e herë të rraskapitura nga kllapia dhe amullia e asaj që e shohin. Ata janë sy që nuk shohin vetëm fiziken, po depërtojnë edhe në psikologjinë dhe metafiziken. Ata e shohin të keqen, të shëmtuarën, jo vetëm në formë por edhe në thellësi, edhe në qëllim. Prandaj herë habiten dhe hapen në tërësi, e herë pesimizohen dhe turpërohen që janë të njeriut.

Lulzimeja në grafikat e veta e ka përdorur teknikën e njohur të akuatintës gjithashtu pjesë të veçantë ka edhe bakërrshkrimi, shtypi i thatë, monotipia, intaglino dhe garfika digjitale. Këto teknika i kanë mundësuar  që për kohë shumë të shkurtër të arrijë te detajet e dëshiruara. Ajo ka patur kujdes të posaçëm që të mos i anashkalojë edhe materialet siç janë : rrjeta, ofseta, dantellat, perin, etj. Ngjyrat  në grafikat e autores tregojnë ndershmërinë, dashurinë edhe harmoninë njerëzore.

Proporcioni i drejtë kompozicional në aspekt ide-formë-teknika tregon qartë që veprat e Lulzime Osmanit janë të thella dhe se shpirti i saj krijues në të ardhmen artdashësve do t’u mundësojë edhe katarza të tjera në fushën e artit…

Postime të Ngjajshme