` . Rusia sërish bombardon Idlibin - TV-SHENJA

Rusia sërish bombardon Idlibin

Një civil ka humbur jetën pasi Rusia, mbështetës i regjimit të Bashar al-Assadit në Siri, pas një pauze prej 12 ditësh ka kryer sulme ndaj vendbanimeve civile në Idlib, transmeton AA.

Sipas opozitës ushtarake, avionët rusë kanë bombarduar fshatrat Dahir dhe Kefer Mares pranë qytezës Darkush në rajonin e Idlibit.

Mbrojtja Civile në Idlib bëri të ditur se një civil ka humbur jetën si pasojë e sulmeve.

Ndërkaq, regjimi i Asadit ka realizuar sulme artilerike në qytetin Kafranbel dhe fshatrat Jarjanaz, Has, Hazarin, Rikaya, Maar Shimshe, Tel Minnes dhe Maar Shimarin.

Ndryshe, në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullsia e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e deeskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit dhe Rusia kanë vazhduar sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

1.282 civilë, përfshirë 219 gra dhe 341 fëmijë kanë humbur jetën në Zonën e Deeskalimit Idlib që nga nënshkrimi i marrëveshjes së 17 shtatorit të vitit 2018 midis Turqisë dhe Rusisë.