` . Rusia refuzon propozimin për "zonë të sigurt ndërkombëtare" në Siri - TV-SHENJA

Rusia refuzon propozimin për “zonë të sigurt ndërkombëtare” në Siri

Rusia nuk e sheh si të nevojshëm krijimin e një zone të sigurt nën kontroll ndërkombëtar në veri të Sirisë, tha zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Vershinin, transmeton AA.

Duke folur për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti, Vershinin tha se vendi i tij është kundër propozimit të Gjermanisë për zonën e sigurt ndërkombëtare.

“Mendojmë se marrëveshja e arritur në Soçi është zgjidhje për problemin në verilindje të Sirisë”, tha Vershinin, duke iu referuar marrëveshjes së arritur dje midis Turqisë dhe Rusisë pas takimit në qytetin bregdetar rus Soçi ndërmjet liderëve të dy vendeve, Recep Tayyip Erdoğan dhe Vladimir Putin.

“Nuk e shohim të nevojshmëm krijimin e zonës nën kontroll ndërkombëtar këtu”, shtoi zëvendësshefi i diplomacisë ruse.

Ndryshe, ministrja gjermane e Mbrojtjes më herët propozoi formimin e një “zone të sigurt nën kontroll ndërkombëtar” në veri të Sirisë.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në mënyrë që të mundësohet tërheqja e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurt.

Dje, presidenti turk Erdoğan dhe homologu i tij rus Putin zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi vetëm disa orë para përfundimit të pauzimit të operacionit turk, ku Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë.

Marrëveshja po ashtu parashikon patrullime të përbashkëta të forcave të sigurisë nga Turqia dhe Rusia në rajon.