` . Rusia nuk do të shkurtojë prodhimin e naftës   – TV-SHENJA

Rusia nuk do të shkurtojë prodhimin e naftës  

Ministri i Energjisë së Rusisë, Alexander Novak, ka deklaruar se negociatat mes vendeve anëtare dhe jo anëtare të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) zhvillohen në drejtim të kushteve të tregut, raporton Anadolu Agency (AA).

Novak për mediat në Shën Petersburg, foli mbi negociatat mbi shkurtimin e prodhimit në Vjenë mes disa vendeve anëtare dhe jo anëtare të OPEC-ut.

Ai tha se është vështirë që Rusia të shkurtojë prodhimin e naftës në krahasim me vendet tjera për arsye gjeologjike dhe klimatike. “Dimri për ne çdo herë është periudhë e veçantë. Këtë e kemi thënë edhe më parë, është vështirë të shkurtojmë prodhimin e naftës në këtë periudhë në krahasim me vendet tjera”, potencoi Novak.

Ministri rus komentoi edhe thirrjen e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili nëpërmjet Twitter-it bëri thirrje “që vitin e ardhshëm të mos shkurtohet prodhimi i naftës”.

“Negociatat mes vendeve anëtare dhe jo anëtare të OPEC-ut zhvillohen në drejtim të kushteve të tregut. Bisedimet nuk mund të drejtohen me deklaratat politike nëpërmjet Twitter-it”, tha Novak.

Në mbledhjen e OPEC-ut e cila filloi sot, trajtohet ardhmëria e marrëveshjes për shkurtimin e prodhimit të naftës. Pritet që në mbledhje të vendoset për një shkurtim prej 1 deri 1,5 milion fuçi naftë.