` . Rusia drejt parlamentarizmit apo eklipsit të presidentit të ardhshëm? - TV-SHENJA

Rusia drejt parlamentarizmit apo eklipsit të presidentit të ardhshëm?

Përforcimi i organit legjislativ nuk nënkupton per se zhvillimin e parlamentarizmit. Kudo në botë, nëse shumica parlamentare rrezaton dëgjueshmëri inferiore ndaj diktatit të pushtetit ekzekutiv, nuk çon peshë nëse në kushtetutën e një vendi – de jure – shteti cilësohet si republikë/monarki parlamentare ose se Parlamentit i njihen taksativisht më shumë kompetenca.

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Tash e një kohë Rusia po përballet me krizë ekonomike, për pasojë të së cilës qytetet kryesore shpeshherë shndërrohen në arenë protestuesish. Çorientimi i politikave qeveritare ka shpërthyer pakënaqësinë edhe të Presidentit Vladimir Putin. Në fjalimin e tij vjetor, në mesin e janarit 2020, Putini shprehu haptazi synimin për ta ndryshuar Kushtetutën e Federatës Ruse. Këtë dalje të papritur të tij e pasoi dorëheqja e kryeministrit.

Sferat e rishikimit kushtetues

Putini dha disa aluzione se në cilat segmente do të iniciohen dhe realizohen ndryshimet e propozuara, të cilat pritet t’i nënshtrohen edhe miratimit popullor. Nëse ndodh referendumi, do të jetë i pari në vend që nga viti 1993. Këto ndryshime do të konstruktojnë sërish balancat midis pushteteve legjislative, ekzekutive e gjyqësore.

Propozimi për ndryshime parasheh që në territorin rus Kushtetuta e Rusisë të ketë epërsi ndaj të drejtës ndërkombëtare, që kështu të fuqizohet juridikisht Gjykata Kushtetuese, që kandidatët për President të Shtetit Federal të jenë banorë të vendit për së paku 25 vjet (aktualisht kriteri është 10 vjet) dhe të mos jenë shtetas të ndonjë shteti tjetër. Po kështu, edhe zyrtarët e lartë të shtetit (ministrat, gjykatësit, guvernatorët) nuk duhet të kenë një shtetësi tjetër krahas asaj të Federatës Ruse.

Planifikohet që të zgjerohen kompetencat Dumës (Dhomës së ulët të Parlamentit) lidhur me zgjedhjen e kryeministrit, që tani për tani jep pëlqimin për mandatarin për Kryeministër të emëruar nga Presidenti, sipas nenit 111/1 të Kushtetutës.

Me anë të këtyre amendamentimeve do të ketë ndryshime në rregullimin e kompetencave të organeve të pushtetit, por – me sa vihet re në këtë fazë – ka indikacione se do të ndërrohen edhe figurat e rëndësishme në hierarkinë shtetërore.

Në shënjestër të rishikimit eventual qëndron edhe shtimi i kompetencave për Këshillin e Shtetit dhe Këshillin e Sigurisë. Praktikisht, në të ardhmen kjo mund të shpjerë në rrethana të supremacisë së këtyre këshillave kundruall Presidentit.

Funksioni i Këshillit të Sigurisë

Duke qenë shteti me territorin më të madh në botë dhe mjaft heterogjen me republikat autonome brenda vetes, Federata Ruse është shquar tradicionalisht për politikat proteksioniste dhe angazhimin e madh të establishmentit për të garantuar sigurinë kombëtare.

Kësisoj, yshtur nga nevoja për planifikime strategjike përkitazi me çështjet e sigurisë dhe për asistimin në hartimin e akteve presidenciale, është shfaqur ideja për ekzistimin e një organi të veçantë kushtetues me karakter këshillimor, që do të ishte përgjegjës karshi Presidentit. Ky organ u themelua në vitin 1992 dhe quhet Këshilli i Sigurisë.

Këshilli i Sigurisë përgatit propozime të politikave për mbrojtjen e interesave jetike të individëve, shoqërisë dhe shtetit kundër kërcënimeve të brendshme a të jashtme. Roli i Këshillit konsiston edhe në ndihmesën për përcaktimin e një politike uniforme shtetërore për sigurinë dhe i ndihmon Presidentit në përmbushjen e detyrave të tij kushtetuese në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në ruajtjen e sovranitetit, të pavarësisë dhe integritetit territorial të Rusisë.

Këshilli i Sigurisë formohet nga Presidenti në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin Federal “Për Sigurinë”. Presidenti e kryeson Këshillin dhe i emëron anëtarët e tij. Sekretari i Këshillit të Sigurisë i përgjigjet drejtpërdrejt Presidentit dhe ai e mbikëqyr veprimtarinë e Këshillit dhe Zyrën e tij, e cila është një departament i veçantë i Zyrës Ekzekutive Presidenciale.

Për të siguruar ekspertizë studimore për punën e Këshillit të Sigurisë, ekziston edhe një këshill i posaçëm studiuesish, i përbërë nga përfaqësues të Akademisë Ruse të Shkencave, akademi të specializuara të shkencës dhe institucioneve arsimore, si dhe akademikë dhe ekspertë të tjerë.

Takimet e rregullta të Këshillit të Sigurisë mbahen sipas një plani të përcaktuar nga Kryesuesi (Presidenti i Rusisë). Në rast nevoje, Këshilli mund të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme. Kryesuesi e përcakton rendin e ditës bazuar në rekomandimet e Sekretarit të Këshillit.

Meqenëse Këshilli i Sigurisë nxjerr dokumentet themelore që i përcaktojnë qëndrimet konceptuale ndaj sigurisë kombëtare, kushtimisht mund të pohohet se ky Këshill është ndër pikat nevralgjike të sistemit politik të Rusisë. Prandaj, dorëheqja e kryeministrit Dmitry Medvedev dhe emërimi i tij në postin e zëvendëskryesuesit të këtij Këshilli mund të lexohen si lëvizje taktike e dyshes Putin-Medvedev për ta mbajtur nën kontroll shtetin edhe pas mbarimit të mandatit kushtetues (ose edhe për të mbajtur Medvedevin nën kontrollin e Putinit). Sidoqoftë, arsyetimi publik i Putinit për këtë zhvendosje të ish-kryeministrit është se ky i fundit rëndom është preokupuar me çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikat e mbrojtjes dhe për këtë arsye Këshilli i Sigurisë është vendi ideal që ai të japë kontribut meqë aty diskutohen në instancën më të lartë këto çështje.

Një “perestroika” e re?

Risitë që planifikohen me idenë e Putinit në Rusi sjellin ndërmend perestroika-n e viteve të ‘80-të të shekullit të kaluar. Ajo ka qenë një lëvizje reformatore e udhëhequr nga lideri i atëkohshëm sovjetik, Mikhail Gorbachev. Lëvizja mëtonte jetësimin e reformave politike dhe ekonomike në Bashkimin Sovjetik. Termi perestroika domethënë ristrukturim. Kështu, Gorbachev-i kishte në objektiv vijëzimin e kornizave të reja të organizimit politik e ekonomik në ish-Federatën Sovjetike.

Mund të merret me mend se ngjashëm orvatet të veprojë edhe Presidenti Putin. Ka kohë që ai i kritikon politikat e Qeverisë së Medvedev-it. Hapi i tij për të prekur në pozitën kushtetuese të organeve kryesore të shtetit dhe ardhja në krye të kabinetit qeveritar e një eksperti të financave, teknokratit Mikhail Mishustin, e dallon qëllimin e Putinit për ta formatizuar sistemin politik dhe rrjedhat ekonomike të Federatës Ruse.

Zbehja e rolit të Presidentit

Rusia njihet për një sistem hibrid të qeverisjes, duke përmbajtur tipare të sistemit presidencial dhe parlamentar. Ky përkufizim teorik nuk flet gjithçka. Praktika e deritashme, veçanërisht gjatë sundimit të Presidentit Putin, ka treguar se ky i fundit ka qenë alfa dhe omega e vendimmarrjes.

Të gjitha ndryshimet që janë ndërlidhur deri më sot me pozitën e presidentit kanë anuar në fuqizimin e tij. Madje, në dy dekadat e fundit, ku protagonist ishte Vladimir Putini, mandati presidencial është rritur nga 4 në 6 vjet. Megjithatë, tani vetë Putini po lë përshtypjen se po ndërmerr masa për etapën post-presidenciale. Se a synon të sigurojë vend të ri në piramidën institucionale apo jo, kjo mund të kuptohet qartë vetëm pasi ta kryejë detyrën si President. Mirëpo, një gjë është evidente: ai po e përgatit terrenin normativ, ashtu që Presidenti i ardhshëm të qeverisë në një profil më të ulët. Vënia e rregullave të reja të lojës në strukturën shtetërore, me anë të të cilave forcohet organi legjislativ dhe Këshilli i Shtetit e Këshilli i Sigurisë, e disfavorizojnë domenin e veprimtarisë së Presidentit.

Putini propozoi që të fshihet fjala “e njëpasnjëshme” nga Kushtetuta lidhur me mandatin e Presidentin. Përkufizimi i tashëm i Kushtetutës së Federatës Ruse është se “I njëjti person nuk mund të zgjidhet President i Federatës Ruse për më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme” (neni 81/3). Largimi i kësaj shprehjeje i pamundëson secilit President të ardhshëm që “të pauzojë” pas dy mandatesh presidenciale dhe të kandidojë përsëri pas një kohe, tamam siç kishte bërë vetë Putini në të kaluarën.

Funksionimi i sistemit të ri politik në Federatën Ruse mund të vlerësohet saktësisht kur të kenë kaluar disa vite dhe kur të kenë dalë në pah rezultatet konkrete. Prandaj mbetet të shihet se a do të mund të konsolidohet një sistem ku organi legjislativ do të ketë fuqi ta kontrollojë ekzekutivin, pavarësisht nëse Qeveria dhe Presidenti i takojnë subjektit që disponon me shumicën në Dumën ruse, sikurse është aktualisht, apo do të ndodhë një konkurrencë e dyanshme e Presidentit të ardhshëm: nga organi legjislativ, në njërën anë, dhe nga organet konsultative, nga ana tjetër.

Megjithëkëtë, një gjë mbetet e pakontestueshme: ndryshimet duhet të përvijojnë qartazi autoritetin e Presidentit të Federatës Ruse. Kjo përbën conditiasine qua non për ujdinë me ndarjen e pushteteve.

Çfarë mund të përfitojë Putini nga këto risi?

Mandati presidencial i Putinit skadon në vitin 2024. Këto risi i hapin rrugë Putinit që të mund të qëndrojë në pushtet edhe pas vitit 2024, veçse jo më në cilësinë e Presidentit. Nga këndvështrimi i tanishëm, duken dy mundësi për të: rikthimi në pozitën e kryeministrit (të cilën e kishte ushtruar gjatë viteve 2008-2012) ose pjesëmarrja direkte në Këshillin e Shtetit, organin tjetër konsultativ të Kremlinit.

Nuk përjashtohet mundësia që me draftin kushtetues të ndërrohet edhe rregulli në fuqi se Presidenti e drejton Këshillin në fjalë. Në këtë mënyrë i trasohet rruga Putinit (ose dikujt tjetër) ta marrë timonin e këtij Këshilli, në të cilin pritet të vendosen udhëzimet kryesore të politikës së brendshme dhe të jashtme të Federatës Ruse, si dhe fushat prioritare të zhvillimit socio-ekonomik. Mbase, pikëpyetja themelore qëndron në fuqinë detyruese të vendimeve të Këshillit të Shtetit ndaj Presidentit.

Në secilin variant Putini do ta ruante faktorizimin personal në politikën ruse. Kështu, ngase po të zgjidhet kryeministër në një sistem që do të rrëshqiste në përngjasim me parlamentarizmin, do t’i bie se do të ketë autorizime më të gjera seç ofron aktualisht Kushtetuta Ruse për kryeministrin. Në opsionin tjetër, fuqizimi i Këshillit të Shtetit do të vijonte ta mbante të freskët ndikimin e Putinit në agjendën e politikëbërjes së shtetit deri në fund të jetës së tij, ndoshta edhe si udhëheqës i këtij organi pas ndryshimeve eventuale. Në mënyrë hipotetike, një akt i tillë mund të komentohet si kalim i disa kompetencave nga Presidenti (Putin) te Kryesuesi i Këshillit të Shtetit (prapë Putini). Domethënë, pritet të ketë zhveshje të Presidentit nga disa autorizime dhe transferim të tyre në këtë Këshill. Gjithsesi, vrojtohet se Putini është magneti për qendërzimin e pushtetit real.

Në të vërtetë, këso strategjie kishte ndjekur edhe Nursultan Nazarbayev, lideri i Kazakistanit. Pasi kishte qëndruar në postin e Presidentit për afro tridhjetë vjet, në vitin 2019 ai dha dorëheqje, mirëpo nuk u largua nga politika aktive. Nazarbayev-i vijon të drejtojë me mandat të përjetshëm Këshillin e Sigurisë të Kazakistanit.

Modeli i ri qeverisës: Quo vadis?

Tani është mjaft herët që të spekulohet për konfigurimin e ri kushtetues e politik dhe efektet e tij. Por, diçka mund të paramendohet: ka pak të ngjarë që Putini të heqë dorë nga të qenët faktor në politikën ruse vetëm se i përfundon mandati presidencial. Dhe, po qe se do të jetë fizikisht i aftë të preokupohet me çështjet shtetërore edhe pas mandatit, atëherë ai do të përpiqet të ndikojë sa më shumë te presidenti pasues, qoftë nëpërmjet shumicës parlamentare nëse e siguron partia e vet, qoftë përmes mekanizmave të lidhur me Presidencën: Këshillit të Shtetit dhe Këshillit të Sigurisë, paskëtaj të armatosur me tagra shtesë.

Duke marrë parasysh edhe kulturën politike në Federatën Ruse, sikur nuk konsiderohet dot realiste pritshmëria e instalimit të sistemit parlamentar të qeverisjes.

Përforcimi i organit legjislativ nuk nënkupton per se zhvillimin e parlamentarizmit. Kudo në botë, nëse shumica parlamentare rrezaton dëgjueshmëri inferiore ndaj diktatit të pushtetit ekzekutiv, nuk çon peshë nëse në kushtetutën e një vendi – de jure – shteti cilësohet si republikë/monarki parlamentare ose se Parlamentit i njihen taksativisht më shumë kompetenca. De facto, kjo dukuri e transformon Parlamentin në organ të miratimit formal të kërkesave që burojnë nga gurra e dëshirave të ekzekutivit. E kësaj nuk i thuhet parlamentarizëm.

Sido që të jetë, me probabilitet të lartë, presidenti i ardhshëm rus nuk do të jetë personazhi dhe autoriteti i pakontestueshëm i shtetit sikundër është profili i Putinit. Me një fjalë, nëse realizohen ndryshimet kushtetuese, me aq sa bëri të qartë Putini, atëherë pritet një eklips i presidentit, pavarësisht personalitetit ad hominem.

Cilido qoftë qëllimi i vërtetë i kësaj loje, forcimi juridik i organeve kolegjiale në pushtetin ekzekutiv e përkujton periudhën e Bashkimit Sovjetik. Vallë janë gjurmë të reinkarnimit të ndonjë Presidiumi si dikur në monizëm?! Përgjigjen e saktë do të na e japë koha.