` . Rufat Halili i Këshillit Opozitar: Partitë e reja të trashëgojnë sistemin amerikan të funksionimit | TV SHENJA
rufat

Rufat Halili i Këshillit Opozitar: Partitë e reja të trashëgojnë sistemin amerikan të funksionimit

Almakos publikon intervistën e 11 me rradhë “3 pyetje nga Mensur Krasniqi” me bashkëbisedues anëtarin e Këshillit Opozitar, Rufat Halilin.

Mensur Krasniqi: Ku qëndron problemi që ende nuk po haset një gjuhë e përbashkët e të gjitha partive opozitare shqiptare që t’i kundërvihen politikave të VMRO-BDI-së, dhe çka ka ndërmarrë konkretisht Këshilli Opozitar në këtë drejtim?

Rufat Halili: Kur periudhat kohore janë te ndërlidhura njëra me tjetrën dhe mënyra e të menduarit bëhet e formatuar (shabllonizuar), ne zakonisht u qasemi problemeve në mënyrë konvencionale për t’i kuptuar dhe zgjidhur ato. Por, kur kohërat janë dinamike dhe ndryshimet vijnë me shpejtësi marramendëse, atëherë ne gjendemi ndërmjet dy botëkuptimeve – njëri i vdekur dhe i shkuar, ndërsa tjetri që ende është duke lindur e formësuar. Kjo është situata momentale në shoqërinë tonë. Ne besojmë se çdo marrëveshje për bashkëpunim opozitare duhet të bëhet konform një botëkuptimi të ri, i cili në thelb ngërthen një paradigmë të rë te politikëberjes shqiptare në Maqedoni. Kjo paradigme konsiston me parimin se ka dallim ndërmjet marrëveshjeve politike dhe pazareve politike. Marrëveshja politike në thelb është një lloj besëlidhje, e formuar me frymëzim dhe vetëdije të larte për një fillim të ri. Është ky një fillim i cili bazohet në parimin e respektit të dinjitet dhe integritetit të çdo shqiptari si individ me të gjitha të arriturat e tij intelektuale dhe profesionale. Elementi themelor në këtë marrëveshje është ideja e veprimit te përbashkët, e lojalitetit ndaj idealeve dhe kohëzgjatja është permanente deri ne realizimin e barazisë kombëtare. Qëllimi final i kësaj marrëveshje është transformimi i shoqërisë, kjo si mënyrë e kohezionit shoqëror, si dhe zhvillimi i të gjitha sferave të tjera të jetës. Ndërkaq pazari politik është lloj kontrate e krijuar nga motive të ulëta dhe me interesa ekskluzive të palëve (për përftime vetëm të njerëzve me tesera partiake) dhe të shkurtra në kohëzgjatje. Kjo mund të prishet kur interesat e ngushta të përmbushen. Qëllimi i pazarit politik është përmbushja e apetiteve të klikave politike. Ky lloj pazari e sheh qytetarin shqiptar si një numër në turmën ose kopenë e tyre politike. Forma e parë e marrëveshjes që ne jemi shumë të interesuar të jetësohet, është një risi për mentalitetin politik të këtij nenqielli. Forma e dytë e “marrëveshjes” është zbatuar me dekada të tëra për shqiptaret këtu. Ajo nuk e prek thelbin e ndryshimit, por vetëm e reformon mënyrën e të bërit pazar politik. Dhe, mu ky mentalitet krijon siklet për ata që e kanë perfeksionuar mënyrën e dyte të politikëberjes tek ne. Andaj Këshilli Opozitar në këtë drejtim i inkurajon dhe ndihmon proceset për një marrëveshje politike, konform paradigmës se parë, që rezultatet të jenë evidente për shoqërinë shqiptare në Maqedoni.

Mensur Krasniqi: Cili do jetë roli dhe rëndësia e Këshillit Opozitar pas zgjedhjeve parlamentare?

Rufat Halili: Fenomenet dhe zhvillimet me të cilat momentalisht ballafaqohet shoqëria jone, janë një alarm për fatet e rrezikshme që mund të na ndodhin nesër. Ajo që është dëshpëruese është se normat morale dhe virtytet kanë një shkarje në fushën politike. Parashtrohet pyetja se çka ndodhë në një skenar të tille? Nëse nuk kemi konsensus për vlerat morale, e tëra qe na mbetet janë fjali të lakuriqësuara nga kuptimi i tyre. E tëra që bëjmë në atë moment është në vend që të konstatojmë gjendje morale, ne i shprehim ndjenjat tona. Morali reduktohet në çështje shije. “E mira” dhe “e keqja” behet si “e pëlqej këtë”, “se pëlqej atë”. Në atë moment ne kemi humbur një kod vlerash morale që është arsyeja e të qenit njeri dhe e mban një shoqëri të bashkuar. Ky është ai moment kur morali bën mutacion në politikë. Morali është çështje e virtyteve, politika është çështje e pushtetit. Në atë çast qe virtytet nuk bëjnë sens për një shoqëri si të tërë, e tëra që ka ngelur është forca dhe pushteti. Pushteti shndërrohet në epshe e epshi i pafrenuar na shndërron në gjendjen hobbsiane “njeriu për njeriun bëhet ujk”. E tëra që ngel qe kjo e keqe të na gllabërojë është qe njerëzit me te thirrur ne nje shoqëri, intelektualët, ta anestezojne sensin moral te kësaj gjenerate që jetojmë. Ne çastin kur konsenusi për vlerat morale fshihet, konversimi moral ne atë shoqëri ka vdekur. Andaj misioni për të identifikuar, emëruar dhe luftuar te keqen qe po e zhbën shoqërinë nuk ndërlidhet me zgjedhjet parlamentare. Prandaj e lëmë qe në të ardhmen koha dhe rrethanat t’i determinojnë format e veprimit tonë.

Mensur Krasniqi: Dhe meqë ju keni bërë studimet postdiplomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Lëvizja Besa si një forcë e re në politikëbërjen shqiptare në Maqedoni pretendojnë se kanë një sistem të ngjashëm amerikan të funksionimit. Çka i ngjason ato sipas jush?

Rufat Halili: Filozofia politike e një kombi gjithmonë i ka rrënjët e saja në traditën shpirtërore dhe rrethanat historike ne të cilën është lindur. Ne këtë fryme filozofia politike amerikane ne parim është një marrëveshje e qytetarëve ndërmjet vete për një fillim te ri, duke u besatuar njeri me tjetrin për te mirën përgjithshme, një politike që shprehet në sintagmën “Ëe the people” (Ne, njerëzit) në thelb është politikë e parimeve morale dhe e përgjegjësisë kolektive. Kjo do të thotë se fati i shtetit mbështetet mbi njerëzit, e jo mbi sundimtarin e njerëzve. Kjo lloj politike i ka rrënjët e saj te vizioni për dinjitet dhe barazi i qenies njerëzore, ashtu siç shprehet edhe në betimin solemn amerikan “Një popull nën Zot, i pandarë, me liri dhe barazi për të gjithë”. Është kjo një politikë e paimagjinueshme pa Zot, që në njërën anë u vendos kufij ambicieve të pakontrolluara për pushtet dhe, në anën tjetër, i jep kurajo popullit që ta mposhtë atë që shkel mbi dinjitetin lirinë dhe barazinë e tyre. Pas qenies njerëzore, theks të veçantë kjo demokraci i kushton edhe bashkësisë njerëzore ose shoqërisë civile, si: familjes së fuqishme, komunitetet, shoqatat vullnetare dhe format e tjera organizative, me qëllim që ta mbrojë lirinë dhe të bëhen digë mbrojtëse ndërmjet individit dhe shtetit. Qëllimi i ekzistimit të shtetit është të krijoje kushtet të barabarta për të gjithë qytetarët, që ata ta trasojnë lumturinë e tyre personale. Aq sa u kushtohet rëndësi të drejtave me ligj, po aq është me rëndësi edhe kultivimi i ndenjës së përgjegjësisë. Kultura e përgjegjësisë, duke filluar nga ajo politike gjer te individuale është mbrojtëse më e mirë e lirisë njerëzore. Demokracia e Solonit në Athinë dhe demokracia liberale amerikane dallojnë në atë se në të parin qytetari i shërben shtetit, ndërsa në të dytën shteti i shërben qytetarit.

Në këtë drejtim, megjithëse dua të jem i kursyer për gjykime në lidhje me partitë politike shqiptare në Maqedoni, do të doja që edhe partitë e reja politike shqiptare në Maqedoni të jenë të kësaj fryme.

Postime të Ngjajshme