` . Ruanda përgënjeshtron marrëveshjen me Izraelin për emigrantët afrikanë – TV-SHENJA

Ruanda përgënjeshtron marrëveshjen me Izraelin për emigrantët afrikanë

Ministri i shtetit për Çështje të Jashtme të Ruandës, Olivier J.P. Nduhungirehe, ka përgënjeshtruar marrëveshjen e diskutueshme të nënshkruar nga vendi i tij me Izraelin për të strehuar emigrantët afrikanë që do të deportohen nga shteti hebre, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas disa raportimeve në media, rreth 10 mijë refugjatë afrikanë në Izrael ishin në rrezik të dëboheshin me forcë në Ruandë, gjë që do t’i mundësonte Ruandës të fitonte 5.000 dollarë për çdo refugjat që merr.

Në një prononcim për AA, në prag të një takimi turko-afrikan në Stamboll, Nduhungirehe i përshkroi raportimet e fundit si “lajme të rreme”.

“Së pari, nuk kemi ndonjë marrëveshje me Izraelin. Së dyti, ne do të presim vetëm emigrantët që janë të gatshëm të shprehin vullnetin e tyre për të ardhur në Ruandë, jo ata që deportohen kundër vullnetit të tyre”, tha Nduhungirehe.

Ai tha se vendi i tij ishte i gatshëm të strehojë emigrantë afrikanë të bllokuar në Libi, duke shtuar se, “Ruanda ka shprehur gatishmërinë e saj për të strehuar emigrantë afrikanë që janë të bllokuar në Libi. Pra, ne themi se ata të cilët janë të gatshëm të vijnë në Ruandë, do t’i pranojmë”.

Gushtin e vitit të kaluar, Gjykata Supreme e Izraelit vendosi që emigrantët nga Eritrea dhe Sudani, të cilët nuk kishin kërkuar zyrtarisht azil në Izrael, mund të dëboheshin në vendin e tyre ose në një vend të tretë.

– “Lidhjet dypalëshe”

Lidhur me takimin me ministrin e Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në Stamboll gjatë fundjavës, ministri i shtetit të Ruandës tha se të dyja palët diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh si pjesë e partneritetit të Unionit Afrikan-Turqi. Ai theksoi se Ruanda dhe Turqia kultivojnë marrëdhënie të mira.

“Ne po bashkëpunojmë në fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë, arsimin dhe çështjet e tjera. Kemi ardhur këtu në Stamboll për ta shqyrtuar atë (planin e përbashkët të zbatimit). Ne kemi një samit vitin e ardhshëm. Shpresojmë se do t’i adresojmë disa nga sfidat që kemi për të përforcuar partneritetin që tashmë e kemi”, deklaroi Nduhungirehe.

Konferenca e dytë ministrore Turko-Afrikane u mbajt dje në Stamboll me përfaqësues nga 19 vende afrikane, ku AA shërbeu si ofrues zyrtar i fotografive.

Një nga qëllimet e konferencës ishte shqyrtimi i përgatitjeve për Samitin e Tretë të Bashkëpunimit Turqi-Afrikë, i cili do të zhvillohet në Stamboll në vitin 2019.

Në porosinë e ministrit Nduhungirehe për investitorët turq, ai tha, “Ejani në Afrikë, ejani në Ruanda. Ne jemi një nga vendet më të hapura në botë. Ju mund të vini pa aplikim paraprak të vizës. Ne u japim viza të gjithë qytetarëve të botës pa përjashtim”.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Turqisë, vëllimi i tregtisë dypalëshe me Ruandën ishte 30.5 milionë dollarë në vitin 2015.

Kompania ajrore Turkish Airlines që nga viti 2012 ka fluturime direkte në kryeqytetin e Ruandës, Kigali.

Ankaraja poashtu u jep bursa studentëve të universitetit nga Ruanda.