` . Rrustemi sjell titullin e Botës në Shkup (VIDEO) - TV SHENJA

Rrustemi sjell titullin e Botës në Shkup (VIDEO)

Televizioni SHENJA sot priti një mysafir special, kampionin e botës në boks në versionin WBF, Erzen Rrustemin. Boksieri nga Zhegra e Gjilanit që vepron në Zvicër ka vendosur të vizitojë Shkupin, si shenjë falënderimi për mbështetjen e vazhdueshme që po merr nga publiku i këtyre anëve.

Kampion nuk të bëjnë vetëm titujt apo shkathtësitë për një sport të caktuar, por para se gjithash vlerat njerëzore, morale dhe patriotike apo kombëtare. Virtyte tipike në personalitetin e boksierit nga Zhegra e Gjilanit të Kosovës, Erzen Rrustemit. I shpallur kampion i Botës në boks në verisonin “WBF” më 18 mars të këtij viti pas fitores ndaj argjentinasit Rikardo Humberto Ramirez në Danimarkë, Erzen Rrustemi shfrytëzon mundësinë e parë për të ardhur në Shkup në shenjë falënderimi për mbështetjen që po merr vazhdimisht nga shqiptarët e kësaj ane.

“Ky titull dhe kjo fitore është më shumë e gjithë shqiptarëve se sa vetë e imja. Normal që kam qejf ta festojmë këtë gëzim dhe këtë fitore të përbashkët së bashku me ju, kjo është edhe arsyeja pse jam këtu “, shprehet Erzen Rrustemi, kampion i botës në WBF.

Pesë vite në Ligën profesioniste ku njeh vetëm suksesin, me 12-të fitore, dhjetë prej të cilave me knock-out e bëjnë Rrustemin një prej simboleve të shqiptarëve në këtë sport, kanë barë që shqiptarët nga të gjithë anët të mbështesin fuqishëm arritjet e tij, për të cilat vetëm Rrustemi është shumë mirënjohës dhe falënderues.

“Është një obligim i imi dhe kënaqësi e madhe, që të jem këtu në Shkup dhe të t’ua jap mundësinë të gjithë shqiptarëve të njohen më mirë me mu. Normal, e kam ndjerë dhe gjithmonë e kam pasur parasysh. Unë jam 5 vite në ligën profesionale dhe normal që mbështetja e shqiptarëve më ka obliguar që unë t’i përfaqësoj ata. Më shumë më gëzon fakti që kam arritur t’i përfaqësoj shqiptarët denjësisht, se sa vetë fitorja që e kam arritur“, thotë gjilanasi me pasaportë zvicerane.

Rrustemi me ardhjen e tij në mesin e si shprehet ai vëllezërve shqiptarë në Maqedoni ka treguar madhështinë e tij edhe jashta ringut të boksit. Vizita e tij në Televizionin SHENJA ishte mundësi për ta ofruar edhe më shumë kampionin me qytetarët e Maqedonisë, ndërsa për më shumë rreth fitores, karrierës dhe jetës së kampionit Erzen Rustemi do të mund të njiheni në emisionin e rradhës “Sportmania” të hënën e ardhshme në TV SHENJA.

Faton Zylbehari /SHENJA/

 

Postime të Ngjajshme