` . Rrugët e Kumanovës të papastruara, rrezikohen qytetarët | TV SHENJA
kumanove

Rrugët e Kumanovës të papastruara, rrezikohen qytetarët

Rrugët e Kumanovës ende të mbuluara nga shtresa e bardhë e borës. Rrugët kryesore të qytetit edhe pas 6 ditëve që nga fillimi i reshjeve të para të borës nuk janë pastruar aspak. Kjo ka bërë që lëvizja nëpër qytet të zhvillohet me shumë vështirësi si për veturat ashtu edhe për këmbësorët. Qytetarët për Televizionin Shenja thonë që papërgjegjësia e organeve kompetente të komunës së Kumanovës, ka bërë që qytetarët të druajnë që të dalin nga shtëpia sepse kanë frikë nga pasojat që mund të ju shkaktohen.

 “Nuk janë të pastruara dhe koha po e dëshmon këtë. Nuk janë të pastruara, por duhet edhe vetë qytetarët ta pastrojnë hapësirën para dyerve të tyre…Por duhet të pastrohen”, ka thënë një qytetar.

 “E vërtetë është se nuk janë të pastruara të gjitha rrugët. Si ka mundësi të mos na pengojnë, absolutisht pengojnë, ajo është madje shumë e rrezikshme. Nuk mund as të kalohet nga ngrica. Duhet të merren masa dhe të pastrohen këto rrugë”, ka deklaruar një qytetar.

Lagështi dhe ngrica shihen gjithandej nëpër qytet, kjo ju shkakton shumë pengesë, sidomos personave që janë të shtyrë në moshë sepse nuk mundë të shkojnë as në mjek.

 “Rrugët po shihen, akull, borë, rrëshimë ka, ka thyerje këmbësh. Na pengojnë, jo për te mjeku, jo për në treg”, tha një qytetar tjetër.

 “Neve na pengojnë sidomos neve që jemi më në moshë, mirëpo situata është e tillë, dimri është dimër, sipas mundësive me i pastru mirë është, mundësitë i kemi…Na pengon edhe lëvizja, se në këtë kohë në moshën tonë me u rrëzu mund të thesh këmbët, krahët”, ka thënë një qytetar.

 “Për këmbësorët është më vështirë, sepse ka pleq, ka njerëz që nuk mund të dalin nga shtëpia, rrëshqim shumë i madh, pastrim shumë i dobët, katastrofë”, ka deklaruar një qytetar.

Për këtë gjendje të rrugëve ata fajësojnë kryetarin e komunës, sepse ai nuk ka marrë masat e nevojshme, për ta tejkaluar këtë situatë në të cilën gjenden kumanovarët.

 “Kryetari i Komunës nuk merr masa, me kamionë, me ata makinat ti pastrojnë rrugët të qytetit të Kumanovës…Nuk mundemi të ecim lirshëm, por me frikë”, tha një qytetar.

 “Rrugët na pengojnë shumë, por çfarë të bëjmë. Nuk ka kush t’i pastroj, nuk ka as qeveri as shtet as asgjë. Del, të rrëshqet vetura, ndeshesh me ndokënd, të rrëshqet vetura”, tha një qytetar.

Qytetarët u bëjnë apelol organeve kompetente që të marrin masa për shkak se ata thonë që është shumë e rrezikshme lëvizja nëpër qytet në këto kushte.

Emine Ismaili /SHENJA/

Rrugët e Kumanovës të papastruara, rrezikohen… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme