` . “Rruga e kampionit Olimpik”, vepra jetësore e Shaban Tërstenës (VIDEO) – TV SHENJA

“Rruga e kampionit Olimpik”, vepra jetësore e Shaban Tërstenës (VIDEO)

“Rruga e kampionit olimpik”, është titulli i veprës monografike të tre autorëve Sefer Tahiri, Reshat Ibrahimi dhe Florim Rexhepi, që flet mbi jetën dhe karrierën e mundësit Shaban Tërstena, i cili u promovua sot në Shkup. Bëhet fjalë për një vepër në të cilën përshkruhet rruga 19 vjeçare e karrierës sportive të Tërstenës. Një nga autorët e kësaj vepre, Sefer Tahiri, tha se edhe kombe e shtete të vogla historisë së sportit i falin emra të mëdhenj dhe të papërsëritshëm dhe janë ata që kanë shënuar sukseset më kulmore dhe ngritjet më eprore në piedestajet e sukseseve aq shumë të dëshiruara.

“Kombet të cilët i japin historisë botërore njerëz të mëdhenj nuk mund të quhen të vegjël. Nga palca kombëtare e shqiptarëve dhe nga Maqedonia si shtet kanë lindur figura madhore që bota i njeh si emra të legjitimuar dhe të verifikuar me rezultate dhe suksese konkrete. Në këtë pëllëmbë toke, në këtë cep të botës ka lindur edhe një figurë e madhe, mundësi legjendar, emblema jonë, Shaban Tërstena i shpallur sportist i shekullit XX në Maqedoni dhe në mbarë hapësirën kombëtare shqiptare”, deklaroi Sefer Tahiri.

Ndërkohë, sportisti Shaban Tërsetena, duke folur mbi sfidat që ka përjetuar ai në rrugën e tij drejt sukseset, tha se lufta më e veshtirë është lufta me vetveten.

“Secili që ka dëshirë, kush e ka moralin, forcën, shpirtin, zemrën e sportistit ia del. Nuk është porosi vetëm për sportistët por çdo njeri kur do të arrinë diçka në jetë lufton deri sa të arrijë kulmin”, deklaroi Shaban Tërstena.

Shaban Tërstena është kampioni i vetëm olimpik shqiptar nga Maqedonia. Në Olimpiadën e vitit 1984 në Los Angeles fitoi medaljen e artë, ndërsa katër vite më vonë në Olimpiadën e Seulit fitoi medaljen e argjendtë, përveç këtyre, ai ka fituar edhe shumë çmime të tjera në kampionate të ndryshme botërore.

Teuta Buçi /SHENJA/


“Rruga e kampionit Olimpik”, vepra jetësore e… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme