` . "Rruga e Evropës Juglindore është anëtarësimi në BE dhe NATO" - TV SHENJA

“Rruga e Evropës Juglindore është anëtarësimi në BE dhe NATO”

Pa stabilitet të qëndrueshëm nuk ka të ardhme në Ballkanin Perëndimor, kurse rruga e vetme është rruga drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, u tha sot në Budvë të Malit të Zi në Forumin 2BS (To Be Secure), raporton AA.

Në debatin e sotëm, ku morën pjesë presidentët e Malit të Zi Filip Vujanoviç, ajo e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe i Sllovenisë Borut Pahor, është theksuar se nevojitet përpjekje shtesë nga ana e BE-së dhe NATO-s me qëllim të sigurimit të stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan.

Presidentja kroate Grabar-Kitaroviç tha se sot Evropa Juglindore po përballet me sfida të shumta si dhe vet BE-ja në lindjen dhe jugun e saj.

“Evropa Juglindore ndoshta është më e ekspozuar ndaj këtyre ndikimeve të dëmshme për të cilat po flasim sot, ndikimi i proceseve gjeopolitike, të cilat rrethojnë hapësirën evropiane dhe euroatlantike. Mali i Zi ka kaluar përmes shumë vështirësive, megjithatë jeni stabilizuar”, ka thënë presidentja kroate.

Ajo foli edhe për situatën në vendet e tjera të rajonit.

“Në Bosnjë e Hercegovinë, një çështje që duket banale, gjë teknike siç është regjistrimi i pronës ushtarake, shihet si çelës për hyrjen e plotë të BeH-së në aktivizimin MAP. Çelës i cili është dhënë në duart e atyre forcave brenda dhe jashtë BeH-së, për të bllokuar këtë vend, të tregojnë paaftësinë e institucioneve të tyre për të zgjidhur problemet, por edhe paaftësinë e NATO-s dhe BE-së për të gjetur një zgjidhje se si vendi të ecë përpara. Sigurisht, me zgjidhjen e çështjes së regjistrimit të pronës ushtarake do të mbesin edhe shumë çështje të tjera që duhet të zgjidhen në BeH, por ajo që është shumë e rëndësishme që të gjithë të mbështesim institucionet e BeH, në mënyrë të vendosur në qëllimin e tyre dhe vendimin për rrugën e integrimit euroatlantik, sepse vakumi që është krijuar tani nga mungesa e interesit të BE-së dhe NATO-s për situatën në këtë vend, plotësohet me ndikimet e ndryshme të vendeve të treta dhe forcave të treta të cilat tërheqin BeH-në në drejtim të gabuar”, ka thënë Grabar-Kitroviç.

Ajo e komentoi edhe situatën në Maqedoni, ku, sipas saj, për një çështje banale të zgjidhjes së emrit, ka sjellë vendin në një krizë të thellë politike.

“Edhe pse qëndroj në pozitën se ne duhet të insistojmë në plotësimin e kritereve, megjithatë duhet parë se cilat janë pasojat e veprimeve tona si dhe në çfarë mënyre mund të kontribuojmë për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Po ashtu edhe çështja e Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe vendeve të tjera në mjedisin tonë. Rruga e vetme është rruga e integrimeve euroatlantike, anëtarësimi në BE dhe NATO, e cila nuk duhet të jetë thjesht një manovër teknike, por edhe një proces politik ku duhet të merret parasysh i gjithë kompleksiteti i ngjarjeve në rajon”, ka thënë presidentja kroate.

Presidenti malazez Filip Vujanoviç, duke folur për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, theksoi se në vitin e kaluar Mali i Zi ka marrë një garanci të lirisë dhe jetës dhe mundësinë e partneritetit me partnerët euroatlantik të cilët do të sigurojnë zhvillimin cilësor të ekonomisë dhe reputacion politik në Mal të Zi për të mirën e të gjithë qytetarëve malazez.

“NATO asnjëherë nuk ka qenë kundër askujt. Aleanca Veri-Atlantike gjithmonë ishte me interesat e Malit të Zi, interesat e rajonit, interesat e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi dhe interesat e të gjithë qytetarëve të rajonit. Ne duke hyrë në NATO kemi përmbushur detyrimin tonë kushtetues edhe atë jo nga cili do Kuvend, por nga Asambleja Kushtetuese e Malit të Zi dhe jo me çfarëdo shumice, por me shumicën e dy të tretave, dhe jo për ndonjë çështje të thjeshtë, por për çështjen strategjike të anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka thënë Vujanoviç.

Një vendim i tillë është bërë, siç tha, duke e ditur të kaluarën e këtij rajoni.

“Shekulli i fundit me pesë luftëra, dy ballkanike, dy lufta botërore dhe shpërbërja e Jugosllavisë. Duke marrë parasysh numrin e banorëve me më shumë viktima në Evropë, me më të dëmtuarit, me numër të madh të refugjatëve. Pa stabilitet të qëndrueshëm, nuk ka të ardhme në këto hapësira dhe ky stabilitet i qëndrueshëm në Mal të Zi nuk mund të arrihet pa NATO-n”, tha Vujanoviç.

Ai përsëriti se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO nuk është i drejtuar kundër askujt dhe as kundër Rusisë.

Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor uroi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

“Në emër të Republikës së Sllovenisë përgëzoj Malin e Zi i cili së shpejti do të bëhet shteti i 29 anëtar i NATO-s. Ky është një moment historik, jo vetëm për Malin e Zi por edhe për këtë pjesë të Evropës. Kështu ka vendosur populli i Malit të Zi, kështu kanë vendosur autoritetet në Mal të Zi”, ka thënë Pahor.

Postime të Ngjajshme