` . Rrëzohet një aeroplan në Honduras, pesë të vdekur - TV-SHENJA

Rrëzohet një aeroplan në Honduras, pesë të vdekur

Autoritetet lokale të Hondurasit njoftuan se pesë turistë të huaj kanë vdekur pas rrëzimit në det të një aeroplani të vogël privat disa minuta pasi u ngrit në ajër nga ishulli i Roatanit, afër brigjeve të këtij shteti në ujërat e Oqeanit Atlantik.

Zëdhënësi i forcave të armatosura, Jose Domingo Meza, tha se katër viktima janë nga Shtetet e Bashkuara dhe kombësia e një viktime tjetër ende nuk është zbuluar.

Sidoqoftë, shërbimet e emergjencës fillimisht thanë se në këtë aksident kanë vdekur katër kanadezë dhe një person me kombësi ende të panjohur.

Autoritetet thanë se ende nuk mund ta konfirmojnë shkakun e rrëzimit të aeroplanit.

Aeroplani ishte duke shkuar në portin e qytetit të Trujillos, rreth 80 kilometra larg Roatanit. Ky ishull është një vend i bukur që vizitohet nga turistët amerikanë, kanadezë dhe evropianë.

Aeroplani i rrëzuar ishte i tipit “Piper PA-32-260”. Zyrtarët e kësaj kompanie nuk e kanë komentuar këtë aksident, shkruan “The Guardian”.