` . Rreziku që i kanoset botës – TV-SHENJA

Rreziku që i kanoset botës

Përfundimisht me 8 maj, presidenti Trump, duke vërë theks në një retorikë kryesisht neokonservatore dhe ashpërsie ndaj Iranit, u tërhoq nga marrëveshja. John Bolton, këshilltar i Trump-it, për Siguri Nacionale, mes tjerash, pohoi se “…çdo vend rezervon të drejtën për të korrigjuar gabimet e kaluara…”, duke marrë si shembull tërheqjen e SHBA-së nga Traktati i Raketave Anti-Balistike, gjatë periudhës së ish presidentit Bush

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Programi bërthamor i Iranit, deri para arritjes së marrëveshjes, duket se përbënte shqetësim për komunitetin ndërkombëtar. Në vitin 2015, si rrjedhojë e bisedimeve, Irani së bashku me grupin e shteteve P5+1 (SHBA-të, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania), nënshkruan marrëveshjen, përmes së cilës Irani, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike, në periudhën e ardhshme do të duhet t’i kufizojë aktivitetet bërthamore, si dhe ta lejojë Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) për të kryer monitorim (pika X e Preambulës, si dhe Aneksi I) në zbatimin e marrëveshjes së njohur si Plani Gjithëpërfshirës për Veprim – JCPA.

Drejtori i përgjithshëm i IAEA-së, Yukiya Amano, muajin e kaluar (më 9 maj) deklaroi se: “Agjencia po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen më Planin Gjithëpërfshirës për Veprim.. ashtu siç kërkohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. IAEA po monitoron zbatimin e angazhimit të Iranit në kuadër të marrëveshjes. IAEA mund të konfirmojë se angazhimet që kanë të bëjnë me çështjet nukleare po zbatohen nga Irani.” (International Atomic Energy Agency, maj 2018). Deklaratë të ngjashme ai (lexo: IAEA) kishte edhe në muajin mars të këtij viti.

Njëra ndër kritikat që Trump-i adresonte drejt administratës së atëhershme të Obama-s ishte pikërisht arritja e marrëveshje me Iranin. Atëbotë ai e cilësoi atë si një “fatkeqësi” dhe “marrëveshja më e keqe e negociuar ndonjëherë”.

Përfundimisht me 8 maj, presidenti Trump, duke vërë theks në një retorikë kryesisht neokonservatore dhe ashpërsie ndaj Iranit, u tërhoq nga marrëveshja. John Bolton, këshilltar i Trump-it, për Siguri Nacionale, mes tjerash, pohoi se “…çdo vend rezervon të drejtën për të korrigjuar gabimet e kaluara…”, duke marrë si shembull tërheqjen e SHBA-së nga Traktati i Raketave Anti-Balistike, gjatë periudhës së ish Presidentit Bush.

Jake Sullivan – këshilltar i zëvendëspresidentit JoeB iden, njëri ndër protagonistët i cili ndihmoi në negocimin e marrëveshjes më Iranin, theksoi se vendimi i Trump-it për t’u larguar nga marrëveshja është gabimi më i madh i presidencës së tij gjer më tani!

Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini në emër të Bashkimit Evropian, vuri në dukje se – pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja – vendet evropiane do të mbeten plotësisht të përkushtuara për zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nukleare. Argumentimi i evropianëve kryesisht u bazua në 10 raportet e IAEA-së, të cilët vërtetojnë se Irani është në përputhje me premtimet e tij. Për ish presidentin Obama, ky vendim “rrezikon ta ulë kredibilitetin e Amerikës dhe ta vë (Amerikën, shën. i yni) në kundërshtim me fuqitë e mëdha të botës”.

Një përvojë të tillë të veprimeve unilaterale të SHBA-së, aleatët evropianë e kishin edhe me administratën e ish presidentit Bush (i riu). Në fakt, raportet e SHBA-së me shtetet evropiane dhe politikat e tyre kundrejt Lindjes së Mesme janë karakterizuar me tronditje të herëpashershme në periudha të caktuara historike.

Kjo mund të shihet që nga kriza e Suezit (1956), lufta në Irak (2003) qëndrimi amerikan, respektivisht evropian ndaj Jerusalemit (2017), si dhe tani me çështjen e marrëveshjes nukleare me Iranin.

Francis Fukuyama, kur flet për këndvështrimin e SHBA-së dhe evropianëve ndaj organizatave ose marrëveshjeve ndërkombëtare, niset nga ajo se evropianët janë të prirë që organizatat e ndryshme ndërkombëtare t’i shohin si ruajtës të së mirës së përgjithshme, ndërsa – përkundrazi – për SHBA-të delegimi i autorizimit në nivel ndërkombëtar është shumë më i kufizuar. Kjo nënkupton që nëse një institucion i dhënë ndërkombëtar nuk i shërben interesave të shtetit-komb, më vonë (shteti pra) ka të drejtë që ta limitojë ose tërheqë pjesëmarrjen e tij nga ai.

Tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja, ashtu edhe siç e përmendi presidenti Trump, ngrihet mbi dokumente të publikuara nga inteligjencia izraelite. Dhe, si e tillë, tërheqja erdhi në një kohë kur shteti izraelit dhe Irani shkëmbyen luftime në fushëbetejën siriane!

Fakti që marrëveshja nuk parasheh dispozita në rast të tërheqjes së ndonjërit nga palët nënshkruese, jep të kuptohet që ajo ishte hartuar për të siguruar pajtueshmërinë iraniane dhe se ajo nuk konsideroi se ndonjëri nga pjesëmarrësit perëndimorë do të tërhiqet. (Jon B. Alterman).

Presidenti Trump ua bëri me dije ndihmësve të tij, por edhe udhëheqësve të huaj se, ashtu siç politika e presionit maksimal e detyron KimJong-un të ulet në tavolinën e bisedimeve, po ashtu një presion i ngjashëm do t’ia mundësonte SHBA-së që të nxjerrë një marrëveshje më të mirë me Iranin. (The New York Times).

Mirëpo, nëse presidenti Trump do të dëshironte që të negociojë marrëveshje të re eventuale me Teheranin zyrtar, një gjë e tillë do të ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur, ngase do të duhej të gjejë një mbështetje të gjerë ndërkombëtare.

Vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja nukleare e mbështeten vetëm Izraeli, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni! Pikërisht, pra, kampi i fuqishëm anti-iranian në rajon.

Në anën tjetër, në një situatë të krijuar tanimë nuk përjashtohet mundësia e nxitjes së garës së armatimit në Lindjen e Mesme, si dhe e përshkallëzimit të luftimeve në Jemen dhe Siri, përmes së cilës Irani është prezent ushtarakisht. Madje, tërheqja amerikane u jep edhe më tepër arsye forcave politike ekstreme në Iran për ta rritur retorikën jo vetëm antiperëndimore, por edhe kundër lidershipit aktual iranian. Kësisoj, vendimi i presidentit Trump i dukshëm dëmton modernistët dhe e “rigjallëron” opozitën e ashpër! Me siguri për ekipin e Trump-it (John Bolton, Mike Pompeo dhe James Mattis) qeveria e Ruhanit, sado e moderuar dhe e hapur që duket ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar, shihet si pjesë e diktaturës dhe autokracisë iraniane.

Arabia Saudite konsiderohet mbështetësi më entuziast i vendimit të Trump-it, ndoshta edhe më shumë sesa Izraeli (Merwan Bishara), për faktin e thjeshtë se saudianët e shohin tërheqjen nga marrëveshja nukleare si një mundësi për izolimin e Iranit dhe ndërprerjen e aktiviteteve të tij gjithandej në Lindjen e Mesme.

Në pozitë më të palakmuar nga vendimi i tërheqjes dhe rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit mbeten nënshkruesit e Evropës, kjo sepse kompanitë e ndryshme nga Evropa kanë nënshkruar marrëveshje miliarda-dollarëshe në Iran, ndërsa sanksionet e SHBA-së mund që t’i përfshijnë edhe kompanitë joamerikane, të cilat zhvillojnë biznese dhe tregti me Iranin.

Në këto rrethana UE-ja mund që t’i kthehet statutit të saj të para 22 viteve, pra “rregullimit bllokues”, me qëllim që t’i mbrojë kompanitë nga sanksionet e SHBA-së. (The Guardian).

Por, kjo pa dyshim e dëmton ndjeshëm rendin ndërkombëtar multilateral, si dhe vizionin e përbashkët transatlantik, që e ka përcaktuar partneritetin që nga Lufta e Dytë Botërore.