` . Rreth 3 mijë nëpunës të kulturës do të përfitojnë nga nivelizimi i pagave (Video) - TV-SHENJA

Rreth 3 mijë nëpunës të kulturës do të përfitojnë nga nivelizimi i pagave (Video)

Rreth 3000 punonjës në fushën e kulturës në vend, do të përfshihen nga masa e Ministrisë së Kulturës për nivelizimin e pagave në këtë sektor. Aplikimi i kësaj mase do të fillojë nga paga e muajit prill të këtij viti. Zëdhënësja e kësaj ministrie, Nurxhan Asanovska, deklaroi se kjo është rezultat i iniciativës të sindikatës apo punonjësve të kulturës dhe puna intensive e grupit punues të Ministrisë së Kulturës, të udhëhequr nga Asaf Ademi.

Nurxhan Asanovska, Ministria e Kulturës
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme miratoi informatën në lidhje me nivelimin e rrogave, me të cilët 2899 punëtorë të punësuar në institucionet nacionale dhe lokale në fushën e kulturës, do të rriten rrogat e të punësuarëve duke filluar nga rroga e muajit prill e vitit 2019. Me nivelimin janë përfshirë edhe rrogat e aktorëve sipas grupeve, nga aktorët kryesorë deri në grupin e pestë”.

Ajo tha se nivelizimi i pagave në kulturë, është njëra nga shtyllat e shoqërisë së përbashkët, e cila zbatohet sipas veprimtarive e jo sipas përkatësisë kombëtare apo fetare të të punësuarëve.

 Nurxhan Asanovska, Ministria e Kulturës
“Ndërsa, për shkak të informimit të opinionit do ta potencoj se i gjithë procesi ishte zhvilluar pa problem, por me mospajtime të vogla rreth nivelimit me udhëheqësin e Sindikatës për Arsim Shkencë dhe Kulturë, të cilat me takimin e ministrit u tejkaluan”.

Në seancën e djeshme qeveritare, ku u miratua informata për nivelizimin e pagave, u konstatua se Ministria e Kulturës është duke përgatitur një ligj të ri për interesin publik në kulturë, i cili do të jetë i harmonizuar me ndryshimet e reja legjislative në fushën e administratës publike, d.m.th. të Ligjit për Nëpunës Administrativë dhe Ligjit për Punonjësit e Sektorit Publik dhe pas miratimit  të tij do të krijohen kushte për harmonizim të ri të pagave në kulturë. Teuta Buçi /SHENJA/