` . Rouhani: Sanksionet amerikane e kanë humbur fuqinë efektive - TV-SHENJA

Rouhani: Sanksionet amerikane e kanë humbur fuqinë efektive

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka deklaruar se presionet e SHBA-ve ndaj vendit të tij kanë arritur kulmin dhe se fuqia e sanksioneve po përfundon, transmeton AA.

Gjatë një fjalimi pas takmit të Këshillit të Ministrave në kryeqytetin Teheran, Rouhani tha se sot do të zhvillojë një takim me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, ndërsa nesër do të ketë takime të rëndësishme në mbledhjen e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim që do të mbahet në kryeqytetin e Kazakistanit, Bishkek.

“Presionet amerikane kundër vendit tonë kanë arritur kulmin, por fuqia e sanksioneve me të vërtetë po përfundon. Sanksionet dhe presionet e kanë humbur fuqinë e tyre efektive dhe do të bëhen edhe më joefektive”, deklaroi Rouhani.

Duke vënë theksin se pavarësisht sanksioneve amerikane ata janë në kushte të mira, por që kjo nuk do të thotë që të gjitha problemet janë zgjidhur, Rouhani tha se, “Këto lloj sanksionesh që SHBA ka vendosur kundër vendit tonë janë unike në histori. Sanksionet e imponuara ndaj vendit tonë përmes OKB-së nuk mund të krahasohen me embargot e tanishme të SHBA-ve”.

Rouhani tha se ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, i cili një ditë më parë vizitoi Teheranin, i ka shprehur në mënyrë të hapur mendimin se SHBA po gabon.

“Ata që duan të keqen tonë, ne do t’i tërheqim në tryezën e drejtësisë dhe negociatave dhe do t’i vendosim në pozicionin që të jenë të detyruar të pranojnë se kanë gabuar. Bisedat e paarsyeshme që kanë zhvilluar më parë tani i kanë ulur në një nivel më të moderuar dhe padyshim do të hedhin një hap prapa nga rruga e gabuar në të cilën kanë hyrë”, tha presidenti iranian, Rouhani.