` . Rot: Marrëveshja është shans unik për hapjen e dyerve të BE-së dhe të NATO-s – TV-SHENJA

Rot: Marrëveshja është shans unik për hapjen e dyerve të BE-së dhe të NATO-s

Me Marrëveshjen e nënshkruar me Greqinë për tejkalimin e dallimeve rreth emrit ka shans unik për hapjen e dyerve të BE-së dhe NATO-s. Do të doja sa më shpejtë miqtë e Maqedonisë t’i shoh në grupin e miqve të bashkuar në dy asociacionet, theksoi sot në Ohër, ministri shtetëror për Evropën pranë MPJ-së gjermane, Mihael Rot i cili është për vizitë pune në Maqedoni.

“Do të doja t’i inkurajoj njerëzit në vendin tuaj të bukur për ta pranuar këtë mundësi historike. Nëse e mbështesni marrëveshjen, kjo do të jetë një shenjë e rëndësishme se qytetarët e Maqedonisë, fuqishëm janë të përkushtuar në demokracinë, qeverisjen e të drejtës, pavarësinë e gjyqësisë, ata do të bëhen pjesë kruciale të Evropës së Bashkuar. Duhet ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë, miqësinë tonë, obligimet e përbashkëta, kështu që jam optimist i madh në këtë drejtim”, theksoi ai.

Ministri shtetëror Rot në debatin interaktiv “Maqedonia në rrugën e BE-së”, shprehu kënaqësi që një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë jetojnë dhe punojnë në Gjermani, duke i theksuar si segment i rëndësishëm që kontribuon në pasurimin e shoqërisë gjermane, por edhe në ekonomi.

“Dëshirojmë ta lehtësojmë mënyrën në të cilën ata mund të vijnë dhe të punojnë në Gjermani, por megjithatë për këtë ekziston regjim i vendosur në kuadër të BE-së dhe Zonës së Shengenit. Ajo që është intenca jonë është megjithatë të gjejnë mënyrë për thjeshtësimin e asaj procedure”, tha Rot, njëkohësisht duke e theksuar interesimin e kompanive gjermane për të investuar në Maqedoni, si mënyrë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e përgjithshëm të standardit jetësor të qytetarëve të Maqedonisë, veçanërisht për gjeneratat e reja.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Dimitrov nga ana e tij theksoi se vizitat e kancelares Angela Merkel, vizita e sotme e Rot, si dhe vizitat tani më të paralajmëruara të kolegut të tij gjerman, si dhe ministres së Mbrojtjes, janë një konfirmim i interesit të fuqishëm të Gjermanisë që Maqedonia përfundimisht të qëndrojë në këmbë dhe të ecë përpara.

“Më 30 shtator kemi një udhëkryq të madh, historik. Mendoj se do t’ia dalim, investimi është i madh, porositë janë të qarta, askush nuk e din nëse kjo gjeneratë e jona do të ketë shans të ardhshëm. Është e qartë se Marrëveshja kalon vështirë edhe në Greqi, kjo do të thotë se mezi është gjetur gjuhë e përbashkët. Ne jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonase, dje kryeministri në Strasburg për herë të parë u drejtua në gjuhën maqedonase, mori ovacione. Edhe pse dje Parlamenti Evropian u ngrit në këmbë për Maqedoni evropiane, ne do të ngrihemi në këmbë për kauzën e njëjtë edhe më 30 shtator”, tha Dimitrov.