` . Ronaldo tregon dallimin mes tij e Messit - TV-SHENJA

Ronaldo tregon dallimin mes tij e Messit

Cristiano Ronaldo ka dhënë mendimin e tij për rivalitetin e madh mes tij dhe Lionel Messit, duke deklaruar se dallimi qëndron se portugezi ka fituar Ligën e Kampionëve me më shumë se një klub.

Debati se cili është më i miri – ndoshta edhe i të gjitha kohërave – arriti kulmin kur të dy ishin përballë në Spanjë, me Realin dhe Barcelonën.

Secili kanë nga pesë Topa të Artë, por me Messin që ka kaluar gjithë karrierën te Barcelona, Ronaldo ka thënë se ndoshta kjo e vë atë pak përpara argjentinasit për shkak të aftësisë për t’u përshtatur në rrethana të reja.

“Në rastin e Messit, ai është lojtar i jashtëzakonshëm. Jo veç për Topat e Artë, por edhe pse është lojtar që gjithmonë ka qenë në majë, vit pas viti, sikur unë”, ka thënë ai për serinë e re të dokumentarëve “The Making Of” të “DAZN”. “Dallimi me mua është që kam luajtur për klube të ndryshme dhe kam fituar Ligën e Kampionëve me klube të ndryshme. Kam qenë top-golashënuesi në Ligën e Kampionëve gjashtë herë rresht”.

Pavarësisht kësaj, Ronaldo ka thënë se ka respektin më të madh për Messin duke e bërë të qartë se suksesi i të dyve duhet të vlerësohet për hir të punës së madhe.

“Sigurisht, s’kam parë një rivalitet mes dy lojtarëve në majë për kaq shumë vjet. Ka lojtarë të mrekullueshëm që i respektoj e që kanë tre, katër ose më së shumti pesë vjet në kulmin e tyre. Dhjetë vjet? S’e kam parë këtë. S’kam parë kurrë futbollistë, siç themi ne në Portugali: Të thyejnë gurë çdo vit, duke shënuar 40 ose 50 gola, duke fituar tituj, gjithmonë në majë. Kjo është më e vështira për ta arritur në futboll. Duhet shumë punë dhe të jesh gjithmonë në majë”, ka shtuar portugezi i Juventusit.