` . Ronaldinho kyçet në politikë, do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare në Brazil – TV-SHENJA

Ronaldinho kyçet në politikë, do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare në Brazil

Ylli i dikurshëm i futbollit, braziliani Ronaldinho (37), ka vendosur të kyçet në politikë, duke garuar për Senatin e vendit, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat do të mbahen në vitin 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta prestigjioze braziliane “O Globo”, shkruan se Ronaldinho do të jetë kandidat i Partisë Socialiste Kristiane (PSC), kryetar i së cilës është edhe politikani kontrovers, Jair Bolsonaro.

Ish ylli i futbollit, tashmë është në pritje që Bolsonaro edhe zyrtarisht të shpall kandidaturën e tij për president të Brazilit që pritet të publikohet në mars të vitit 2018, shkruan “O Globo”, për të shtuar se Ronaldinho do të kandidohet në shtetin Minas Gerais.

Bolsonaro është një politikan kontrovers me qëndrime konservatore për martesat e gjinisë së njëjtë, për dënimin me vdekje dhe politikën e mbrojtjes së shtetit.

Ai veten e krahason me presidentin amerikan Donald Trump, për çka opinioni shpesh herë e ka kritikuar për komentet për gratë dhe për homoseksualët.

Ronaldinho ka fituar dy herë me radhë titullin e lojtarit më të mirë në botë, FIFA World Player 2004 dhe 2005 dhe “Topin e Artë” në vitin 2005.

Deri atëherë, Ronaldinho ka qenë lider i Brazilit të fuqishëm, me të cilin ai fitoi titullin e Kupës së Konfederatave që u luajt në Gjermani në vitin 2005.

Megjithatë, angazhimi i tij në Barcelonë ishte edhe maja më e lartë e karrierës së tij. Ai për pesë vite qëndroi në Camp Nou dhe në 145 ndeshje arriti të shënojë 70 gola. Karrierën e përmbylli në vitin 2015.