` . Roli iranian dhe ndikimi në luftën e Sirisë - TV SHENJA

Roli iranian dhe ndikimi në luftën e Sirisë

Politika iraniane kundrejt luftës në Siri udhëhiqet kryesisht nga Garda Revolucionare (IRGC), kjo e fundit degë e Forcave të Armatosura Iraniane, e cila është e miratuar plotësisht nga zyra e lartë e udhëheqësit suprem, Ali Hamneit.

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

 Që nga ditët e para të fillimit të luftës siriane (mars 2011) Republika e Iranit doli në mbështetje të regjimit të Beshar el-Asadit. Fillimi i revolucionit në Siri dhe rënia eventuale e Asadit nga pushteti ishte shqetësuese për Iranin, pasi që zyrtarët iranianë besonin se një gjë e tillë prish “idealet e Revolucionit të vitit 1979.

Siria prej kohësh konsiderohet aleat mjaft i rëndësishëm i Iranit – “Boshti i Rezistencës”, madje gjatë luftës tetëvjeçare ndërmjet Iranit dhe Irakut, Siria – edhe pse vend me popullsi arabe – qëndroi në anën iraniane. Ndoshta jo për shkaqe fetare – elementit alevito-shiit, por për arsye të konkurrencës rajonale me ba’athistët e Bagdadit. Në vitin 2006 Siria dhe Irani nënshkruan marrëveshjen ushtarake kundër “rrezikut të përbashkët”, ndërsa Irani sigurinë e Sirisë e konsideronte si çështje të brendshme të tij (Iranit). Irani luftën në Siri nuk e shikon vetëm si një luftë ndërmjet regjimit dhe grupeve opozitare, porse edhe një betejë gjeopolitike me vendet e Gadishullit Arabik, sidomos Arabisë Saudite, për dominim rajonal në Lindjen e Mesme.

Politika iraniane kundrejt luftës në Siri udhëhiqet kryesisht nga Garda Revolucionare (IRGC), kjo e fundit degë e Forcave të Armatosura Iraniane, e cila është e miratuar plotësisht nga zyra e lartë e udhëheqësit suprem, Ali Hamneit.

Presidenti iranian Hasan Ruhani, edhe pse i takon krahut të moderuar, nuk kishte fuqi që ta ndryshojë qasjen e Iranit ndaj Sirisë. Kur jemi këtu, vlen të potencohet fakti se me ardhjen e tij në krye të shtetit (2013), zyrtarët e afërt me presidentin Ruhani konsideronin se angazhimi direkt i Iranit në luftën e Sirisë e dëmton Iranin. Por, një qëndrim i tillë hasi kundërshtime të fuqishme nga IRGC-ja dhe zyra e liderit suprem.

Figurë qendrore në projektimin e strategjisë së Iranit ndaj luftës siriane është Kasim Sulejmani, gjeneral në Gardën Revolucionare, njëherazi përgjegjës kryesor i operacioneve ushtarake jashtë territorit iranian, madje në një studim të Institutit të Uashingtonit për Lindjen e Mesme thuhet se pikërisht Sulejmani ka rol në zhvillimet politike jo vetëm të Sirisë, por edhe të Irakut, Libanit dhe Egjiptit. Për këtë shkak ai herë pas here cilësohet si një ndër njerëzit më të fuqishëm në Lindjen e Mesme.

Fillimisht Irani i ofroi regjimit të Damaskut mbështetje kryesisht financiare, kurse gjatë vitit 2012 Irani ishte vendimtar në krijimin e Forcave Mbrojtëse Nacionale, organizatës paramilitare, e cila ndihmon ushtrinë e rregullt siriane. Mendohet se ky formacion posedon rreth 100 mijë vullnetarë nga provincat e ndryshme të Sirisë dhe gjithë financimi i tyre vjen nga Irani.

Sipas një think tank-u britanik për studimet të mbrojtjes dhe të sigurisë, deri në prill të vitit 2016 vlerësohet se afër 9.000 pjesëtarë të Gardës Revolucionare dhe paramilitarëve iranianë operojnë në Siri. Pasi që forcat e regjimit sirian ishin të pamjaftueshme në luftimin e grupeve opozitare, Irani mundësoi vendosjen e formacioneve të ndryshme shiite në Siri, të cilat erdhën nga vende të ndryshme të rajonit.

Grupi i parë paramilitarë shiit, që i doli në ndihmë regjimit të Asadit, ishte pikërisht Hizbullahu nga Libani, ndërsa më vonë atyre iu bashkëngjitën edhe brigadat e tjera të shiitëve të Irakut (Ketaib el-Imam Ali, Asaib Ehlu’l Hak), Afganistanit (Fatimijunët) dhe shiitëve të Pakistanit (Zejnebijunët). Në një artikull të revistës amerikane The National Interest thuhet se numri i shiitëve afganë, të cilën luftojnë krah për krah me regjimin sirian, sillet diku ndërmjet 10 mijë deri më 20 mijë ushtarë.

Të gjitha grupet paramilitare i përgjigjen kreut më të lartë, komandantit suprem të Gardës Revolucionare, gjeneralit Muhamed Ali Xhafari. Në këmbim të pjesëmarrjes së tyre në luftën civile siriane, në bazë të disa raporteve, mercenarët paguan nga 500 deri 1.000 dollarë në muaj. Përveç joshjes financiare, mercenarët shiitë joshen edhe me propagandë fetare: atyre u thuhet se duhet t’i mbrojnë “vendet e shenjta” shiite në Damask, përkatësisht varrin e Sejjida Zejneb, mbesës së profetit Muhamed ose vajzës së Aliut, figurës qendrore të doktrinës shiite.

Vitin e kaluar zëdhënësja e Stefan Di Mastura-s, të dërguarit të posaçëm të OKB-së për Sirinë, theksoi se ndihma iraniane për Sirinë çdo vit përafërsisht është 6 miliardë dollarë. Mirëpo, Qendra Perse për Studimet e Mediteranit Lindor me seli në Masaçusets pohon se ndihma vjetore që Irani ofron për regjimin e Damaskut është 14 deri më 15 miliardë dollarë në vit.

Irani synon që, përmes involvimit të së tij në luftën civile të Sirisë, të arrijë disa objektiva:

1) Vazhdimin e luftës kundër terrorizmit. Për Iranin prania e Deashit në Irak dhe Siri është kërcënim direkt për stabilitetin e tyre dhe, rrjedhimisht, e dobëson ndikimin iranian në këto dy vende. Presidenti Ruhani vitin e kaluar theksoi se “..rënia e Asadit e transformon Sirinë në një ‘parajsë për terroristët’” dhe se “prioritet për Iranin është lufta kundër terrorit”. Irani, edhe pse mbështet zhvillimin e negociatave, në të njëjtën kohë vazhdon luftën kundër grupeve rebele të cilat regjimi në Damask i konsideron si terroriste. Pavarësisht epilogut të luftës civile në Siri ose në rast të arritjes së ndonjë zgjidhje, prania e grupeve terroriste në territorin sirian është justifikuese për Iranin, me qëllim që edhe më tej të jetë i pranishëm në Siri.

2) Mbështetja për integritetin territorial. Forcimi i autoritetit qendror dhe ruajtja e integritetit territorial të Sirisë është tejet i rëndësishëm për Iranin, madje çdo rivizatim i kufijve të Sirisë për të do të ishte i papranueshëm. Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Muhamed Xhevad Zarif, para disa muajsh pohoi se “ndryshimi i kufijve e përkeqëson edhe më tepër situatën në rajon”. Integriteti territorial dhe sovraniteti i Sirisë u konfirmua edhe në “Deklaratën e Moskës”, e cila u arrit në muajin e kaluar (dhjetor) ndërmjet shefave të diplomacisë ruse, turke dhe asaj iraniane. Vetëm përmes ruajtjes së integritet territorial të Sirisë, Iranit i mundësohet jo vetëm realizimi i objektivave të tij në Siri, porse territori sirian shërben edhe si urë lidhëse me Hizbullahun libanez. Irani po ashtu ishte kundër çdo lloj ideje për federalizimin e Sirisë, ngase në këtë formë kurdët e Sirisë do të përfitonin një status autonom, gjë që aktivizonte edhe më tepër separatizmin kurd në Iran.

3.) Institucionet stabile. Për Teheranin zyrtar stabiliteti i institucioneve në Siri është i mundur vetëm nëse në pushtet qëndron Asadi. Irani e sheh mbrojtjen e institucioneve shtetërore siriane – sidomos armatës dhe shërbimin e inteligjencës – si çështje e cila pengon çdo lloj disponimi antiiranian në Damask. Për Iranin rënia e Beshar el-Asadit nga pushteti është vija e kuqe dhe çdo ndryshim eventual i pushtetit në Damask do të sjellë një pushtet, i cili do të afrohej me vendet e Gadishullit Arabik (lexo: Arabinë Saudite) dhe kësisoj shkëputjen e Sirisë nga sfera e influencës iraniane.

4) Aspekti energjetik. Qëndrimi i Asadit në pushtet, krahas avantazheve të lartpërmendura, i mundëson Iranit edhe sigurimin e rrugëve energjetike, përkatësisht kalimin e tubacioneve të gazit nëpër territorin sirian. Synimi Iranit është të bëjë transportimin e gazit nga fusha, e cila posedon rezervat më të mëdha të gazit natyror në botë – rajoni ndërmjet Katarit dhe Iranit – nëpërmjet Irakut dhe Sirisë e deri në brigjet e Mesdheut. Para disa viteve Irani, Iraku dhe Siria për realizimin e këtij projekti energjetik nënshkruan marrëveshje paraprake (The Wall Sreet Journal) me vlerë prej 10 miliardë dollarësh. Jetësimi i projektit në fjalë bëhet i mundur vetëm nëse pushtetin në Damask e kontrollon regjimi i Asadit. Tanimë Irani, përmes qeverisë shiite në Bagdat, regjimit të Asadit në Damask dhe Hizbullahut në Bejrut arriti që influencën e tij ta zgjerojë deri në Mesdheun Lindor. Rritja e influencës iraniane në rajon, si dhe arritja e marrëveshjes së Iranit me vendet e P5+1 para një viti, duket se i shqetësoi vendet e Gadishullit Arabik.

Ndërkaq në Samitin e 37-të të Këshillit për Bashkëpunim të Shteteve të Gadishullit Arabik, i cili u mbajt në fillim të dhjetorit në Bahrejn, vendet e Gadishullit Arabik gjatë komunikatës përmbyllëse të samitit kërkuan nga Irani që ta ndryshojë kursin e politikës së tij kundrejt vendeve të rajonit, t’i respektojë traktet ndërkombëtare dhe mos të nxisë konflikte sektare në rajon. Në këtë samit po ashtu u përmend edhe nevoja e transformimit, përkatësisht nga faza e Bashkëpunimit drejt fazës së Bashkimit ose formimit të “Unionit të Gadishullit Arabik”. Historia dëshmoi se entitete të ndryshme u bashkuan kur ndienin rrezikun e përbashkët.

Postime të Ngjajshme