` . Roli i politikave fiskale dhe mbushja e arkës së shtetit - TV-SHENJA

Roli i politikave fiskale dhe mbushja e arkës së shtetit

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucione nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit të shtetit. Kjo mënyrë e mbledhjes të të hyrave konsiderohet se nuk është njëra nga mënyrat më të mira, por që aktualisht është zgjidhja e vetme. Një prej objektivave kryesor të Doganës së Kosovës, është sigurimi i të hyrave për buxhetin e shtetit.

Lulzim Beqiri & Mustafë Kadriaj

Tatimi është pjesë e pasurisë, të cilën çdo qytetar ia jep shtetit nga pasuria e tij për ta ruajtur pjesën tjetër të pasurisë. Tatimet shërbejnë për mbulimin e shpenzimeve publike dhe për rishpërndarjen e të ardhurave kombëtare.

Neni 119 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës “Secili person është i obliguar që të paguajë tatimet dhe kontributet e tjera të parapara me Ligj.”

Në teorinë shkencore paraqiten vështirësi të shumta të definicionit të tatimit. Shumë shkencëtarë janë përpjekur që me disa fjali ta definojnë tatimin, duke vënë në pah edhe dallimet që shfaqen ndërmjet tatimeve dhe instrumenteve të tjera financiare të mbledhjes së të hyrave.

Në vitet e para të pasluftës Kosova është ndeshur me një ndërhyrje tatimore të çakorduar dhe të vrullshme, të bazuar kryesisht në përvojat e vendeve të tjera dhe jo në përputhshmëri me gjendjen e nevojat reale të Kosovës së pasluftës, e cila është dashur që në shumë sektorë të fillojë nga zeroja. Që nga viti 1999 e deri në vitin 2003 UNMIK-u ishte kreator i sistemit dhe politikës tatimore në Kosovë.

Sistemi tatimor në Kosovë ka evoluar nga sistemi i rregulloreve të UNMIK-ut, në sistemin e ligjeve tatimore të nxjerra nga Kuvendi i Republikës së Kosovës te Strategjia e Përmbushjes 2012 – 2015 .

Aktualisht baza tatimore në Kosovë përbëhet nga tri lloje të tatimeve:

Tatimi mbi të ardhurat personale, Tatimi mbi vlerën e shtuar dhe Tatimi mbi të ardhurat e korporatave

Tatimi në të ardhura personale ka filluar së aplikuari nga periudha 2002 dhe është administruar nga Rregullorja 2002/4, “Tatimi mbi të Ardhurat Personale në Kosovë”, i cili tatim ka pasur objekt tatues vetëm të ardhurat e të punësuarve, por koncepti i këtij tatimi që nga 1.1.2005 ka ndryshuar, kur ky tatim, i ashtuquajtur Tatimi në të ardhura personale, në vete ka përfshirë profile të tjera të të ardhurave duke mos u kufizuar vetëm në paga.

Ky tatim në fillim ka pasur objekt tatues vetëm të ardhurat e të punësuarve, ndërsa pas vitit 2005 ka ndryshuar dhe në vete ka përfshirë profile të tjera të të ardhurave.

Nga 2005 është një tatim më gjithëpërfshirës në të ardhura me zbatimin e Rregullores se UNMIK-ut Nr.2004/52 “Mbi Tatimin në të Ardhura Personale”. Pastaj nga janari 2009 është në fuqi ligji nr.03/L-115 për tatimin në të ardhurat personale, sipas të cilit janë në fuqi shkallë të reja tatimore dhe nga janari 2010 është në fuqi ligji Nr.03/L-161 për tatimin në të ardhurat personale, i cili është ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.04/L-104, në maj të vitit 2012. Ndërsa ligji i fundit është ai nr.05/L -028 që ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2015 me më shumë specifika.

Tatimi në të Ardhura Personale dhe normat tatimore në %

Tatimi në të ardhura personale dhe normat tatimore në%
Niveli i të ardhurave mujore në € Norma tatimore në%
Mujore Vjetore Deri më 2008 Nga janari 2009
Deri në 80 € 960€ 0 % 0%
80 – 250 € 960€ – 3000€ 5% 4%
250 – 450 € 3.000€ – 5.400€ 10% 8%
Mbi 450 € Mbi 5.400€ 20% 10%

Tatimi i vlerës së shtuar (TVSH) obligon çdo konsumator të paguajë këtë tatim, ndërsa ndërmarrjet janë përgjegjëse për deklarimin e pagesës të tatimit të vlerës së shtuar në baza mujore. TVSH – tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili përfshin aplikimin e tatimit të përgjithshëm në konsum për mallra dhe shërbime, që është saktësisht proporcional me çmimin e mallrave dhe shërbimeve.

Tatimi mbi vlerën e shtuarllogaritet në këtë çmim sipas normës së aplikueshme, ngarkohet në fazat e ndryshme të prodhimit, shpërndarjes dhe ciklit jetësor të tregtisë së mallrave e shërbimeve dhe që në fund bartet nga konsumatori i fundit.

Ne dhjetor të vitit 2008 është miratuar ligji i TVSH-së nr. 03/L-114 dhe është në fuqi nga janari i vitit 2009. Ndryshimi bazë është në ngritjen e shkallës tatimore nga 15% në 16%.

Tani me ndryshimet që janë bërë, norma standarde e TVSH-së është 18%, e cila aplikohet për shumicën e furnizimeve, por ka filluar të aplikohet edhe një normale e reduktuar prej 8% në produkte që janë më esenciale për jetesën si p.sh.: uji, rryma, drithërat, qumështi, librat, pajisjet IT, barnat, pajisjet mjekësore.Kështu, lirisht mund të themi se çdo person kërkohet që të regjistrohet për TVSH, në momentin kur furnizimet totale gjatë vitit kalendarik e tejkalojnë pragun prej 30,000 eurosh. Deri tani ky prag ishte 50,000 euro.

Tatimi në të ardhurat e korporatave, ky tatim zbatohet te personat juridikë dhe korporatat. Norma tatuese për tatimin në të ardhurat e korporatës në vitin 2005 ishte 20%. Ky tatim në vitin 2009 u reduktua në 10%, sipas Ligjit nr. 03/L – 113 për tatimin në të ardhura të korporatës dhe aplikohet e njëjta normë tatimore edhe me Ligjin e ri nr. O3/L – 162 për të ardhurat e korporatës.

Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës, janë dy institucione nga të cilat varet edhe mbushja e buxhetit të shtetit. Kjo mënyrë e mbledhjes të të hyrave konsiderohet se nuk është njëra nga mënyrat më të mira, por që aktualisht është zgjidhja e vetme. Një prej objektivave kryesor të Doganës së Kosovës, është sigurimi i të hyrave për buxhetin e shtetit. Ky objektiv është më i rëndësishme, pasi që nga performanca e Doganës varet edhe vetë performanca e të gjitha institucioneve, të cilat financohen indirekt nga Dogana e Kosovës.

Në vitin 2009 dogana e Kosovës ka mbledhur rreth 635.08 milionë euro, dhe ka pas vazhdimisht rritje progresive.

Dogana e Kosovës për herë të parë që nga themelimi (17 vite më parë) ka arritur një rekord ku në vitin 2016 ka tejkaluar 1 miliard €. Derisa në krahasim me vitin e kaluar kemi mbi 99 milion më shumë.

Mbledhja e të Hyrave 2014 2015 2016
Të hyrat totale 871.8 951 1,037.1
Taksa doganore 126.3 131,4 128.4
Akciza 304,5 360,6 397.8
TVSH-ja 424,2 456,5 507.10
Të tjera (kundërvajtjet, shitja e konfiskimeve etj.) 5.08 3,3 3,8

Burimi: Dogana e Kosovës

Taksa doganore nuk ka pasur ndryshime fiskale dhe është rritur nga 126,1 milionë euro që ishte në vitin 2014 në 131,4 milionë euro gjatë vitit 2015 apo shprehur në përqindje + 3,8 %, në vitin 2016 128.4 milionë euro. Akciza ka pasur disa ndryshime gjatë këtij viti te veturat, duhani dhe lojërat e fatit, po ashtu gjatë vitit 2015 arkëtimi i Doganës është ngritur në 360.6 milionë euro nga 304,5 milionë euro që ishte në vitit 2014, pra rritje e përgjithshme prej +15.5 %.

Në vitin 2016 arkëtimi ka arrite në 397.8 milionë euro. TVSH-ja ka pasur ndryshimet, ku ndryshimi kryesor ishte të lirimi i lëndës së parë që përdoret në procesin e prodhimit dhe ulja në 8% e një grupi të produkteve, derisa është bërë edhe rritja prej 16% në 18%. Përkundër ndryshimeve Dogana ka ruajtur dhe ka rritur arkëtimin, pra kemi mbledhur 456.5 milionë euro apo7% më shumë se vitin e kaluar Nëse shikohet trendi i mbledhjes së të hyrave në krahasim me vitin e kaluar, vërehet se deri në mars 2015 është bërë edhe rritja progresive, ku edhe arrihet të punohet mbi të gjitha parashikimet. Në vazhdim është paraqitur lakorja e cila tregon qartë rritje e të hyrave kundrejt vitit të kaluar.

Administrata Tatimore e Kosovës në vitin 2016 ka  realizuar të hyra prej 393 mil euro, që është 60.2 mil (apo 18%) më shumë se në vitin paraprak( 2015).

Postime të Ngjajshme