` . Rivaliteti regjional ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit – TV-SHENJA

Rivaliteti regjional ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Për shumë vite Irani dhe Arabia Saudite janë konkurruesit kryesorë për dominim regjional, hegjemoni dhe influencë në Lindjen e Mesme. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, këto dy shtete ndoshta përbënin shtyllat kryesore të politikës së jashtme amerikane në rajon. Por, gjithë kjo ndryshoi atëherë kur në krye të Iranit erdhën ajatollahët me revolucionin e vitit 1979. Që nga ajo periudhë Republika Islamike zhvilloi politikë konfliktuoze dhe antagoniste me Perëndimin, veçanërisht me SHBA-të, si edhe me vendet pro-perëndimore në rajon, të kryesuara me Arabinë Saudite.

Për udhëheqësit e rinj në Teheran revolucioni nuk bartte vetëm karakterin nacional, porse ai duhej të kapërcente kufijtë e Iranit dhe të eksportohet në pjesët tjera të botës Islame. Kësisoj ata e shihnin Iranin si pikë kërcyese të një “Revolucioni gjithëpërfshirës islamik”! Këtë koncept ideologët e revolucionit në Iran e quajtën Umm’ul Qura – një ndër emrat e qytetit të shenjtë të Mekës – përmes të cilit Irani tanimë duhej të shndërrohej në qendër politike, shpirtërore e religjioze për botën Islame! S’do mend se një pikëpamje e tillë ndaj revolucionit asnjëherë nuk u mirëprit në botën arabe dhe islame, posaçërisht në vendin që kujdeset për dy qytetet e shenjta të Islamit, Arabinë Saudite.

Pikëpamjen iraniane kundrejt Arabisë Saudite gjithnjë e karakterizoi ndenja e superioritet civilizues, madje një botëvështrim i tillë ekzistonte në Iran, qoftë para dhe pas revolucionit.

Marrë në përgjithësi, vendet e Gadishullit Arabik në Iran shihen si entitete të krijuara nga fuqitë perëndimore si pjesë e politikave imperialiste dhe, si të tilla, nuk mund të mbijetojnë pa mbështetjen e jashtme /Harvard Kennedy School/.

Marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve mjaft të rëndësishme të Lindjes së Mesme mund t’u jepen tri qasje;

I pari është këndvështrimi real-politik, që fokus primar ka hegjemoninë dhe ekuilibrin e forcave, e cila është e qenësishme dhe inherente në zhvillimet e këtilla regjionale. Në bazë të kësaj pikëpamje Arabia Saudite dhe Irani e kanë të pamundur bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e ngrohta miqësore, sepse garojnë për pushtet rajonal dhe në vazhdimësi gjenden para “dilemës së sigurisë”;

Qasja e dytë ndaj marrëdhënieve të Arabisë Saudite dhe Iranit mund të shihet nën prizmin e konstruktivizmit social. Kjo qasje përqendrohet në karakteristikat konceptuale të rivalitetit, siç janë sektarizmi, ndarja në etnikumin arab e pers, si dhe diskursi revolucionar në Iran. Sipas kësaj qasjeje, beteja mbi lidershipin dhe udhëheqjen e botës islame i pengon këto vende që t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe t’i zbusin tensionet; dhe

Këndvështrimi i tretë niset nga analiza e politikave të jashtme. Kjo qasje argumenton se të dyja shtetet janë të detyruara që të konkurrojnë me njëri-tjetrin për shkak të natyrës së regjimeve të tyre, hartimit dhe formulimit të politikës së jashtme. Përkrahësit e një teze të tillë e mbrojnë idenë se vendimet kritike të politikës së jashtme saudiane, siç janë normalizimi i marrëdhënieve të jashtme, përqendrohen në duart e hierarkisë së lartë mbretërore. Ndërkaq, në anën tjetër, parimet revolucionare iraniane janë anti-monarkike dhe mundësojnë kyçje të autoritetit klerikal në hartimin e politikave. Prandaj, shteti iranian dhe mbretëria saudite shihen në konflikt permanent.

Krijimi i mjedisit të ri gjeopolitik në rajonin e Lindjes së Mesme i zhyti edhe më thellë marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit dhe kjo për dy arsye kryesore: periudha e pas vitit 2011, tanimë e njohur si Pranvera Arabe, e cila çoi në shembjen e dy shteteve (Siri dhe Irak), dhe kjo i mundësoi Iranit që ta përmbush me “sukses” vakumin që u krijua si rrjedhojë shteteve të dështuara – Irak, Siri dhe Jemen – qoftë në aspektin politik a ushtarak dhe kësisoj rritjen e influencës së tij në rajon; dhe, e dyta, përafrimi i Iranit me vendet perëndimore, pas nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore (2015), dhe rehabilitimi i tij në arenën globale.

Marrëveshja bërthamore ka forcuar aftësinë e Teheranit për të krijuar hegjemoni rajonale. Ky transformim i mundësoi Iranit që të përmirësojë ekonominë dhe pozicionin e tij strategjik dhe, gjithashtu, ekuilibrin rajonal të pushtetit ta shtyjë në favor të tij (2017 Index of U.S Military Strengh). Këto lëvizje bënë që Rijadi të shqetësohet seriozisht për ambiciet hegjemonike të Iranit.

Së fundmi Libani, përkatësisht dorëheqja e Sead Haririt, u bë arsye e një sërë akuzash të ndërsjella ndërmjet dy aktorëve kryesorë të Lindjes së Mesme. Sead Hariri, i cili e mori detyrën e kryeministrit të Libanit një vit më parë (dhjetor 2016) udhëhoqi një qeveri koalicioni, e cila mes tjerash përbehej nga anëtarët të Hizbullahut dhe grupe të tjera shiite. Në pikëpamjen e Rijadit, qeveria në Bejrut konsiderohet e dominuar nga elementi shiit, që këtu e ndikuar nga Irani. Në një situatë të tillë udhëheqësia saudite e sheh vendin e vet të rrethuar nga shtetet të cilat politikish, e ushtarakisht janë nën diktat të rivalit të tyre. Madje, edhe gjatë leximit të deklaratës së dorëheqjes Hariri e akuzoi Iranin për ndërhyrje në çështjet e brendshme të botës arabe, duke filluar nga Libani, Siria, Iraku Bahrejni dhe Jemeni. Për vet faktin se dorëheqja e Haririt u bë në Rijad e jo në Bejrut, duket se për Hizbullahun dhe Iranin fajtori kryesor në dorëheqjen e tij është Arabia Saudite, përkatësisht personi më influencues, Princi i Kurorës dhe Ministri i Mbrojtjes, Muhamed bin Selman (MbS), i cili njëherazi udhëheq me fushatën ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen.

Thelbi i rivalitetit të Saudisë e Iranit qëndron në pozicionet diametralisht të kundërta, që assesi nuk mund të përputhen më njëri tjetrin dhe, rrjedhimisht, duke përjashtuar çfarë do lloj marrëveshje për ndarjen e zonave të influencës. Me nënshkrimin e marrëveshjes bërthamore ndërmjet Iranit dhe fuqive të mëdha (P5+1), si Irani, ashtu edhe Arabia Saudite – e cila përpiqej ta mbrojë pozitën e tij si partner kryesor i Perëndimit në rajon – nëpër mediat prestigjioze perëndimore e portretizonin njëri-tjetrin si sponsorues të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Shefi i diplomacisë iraniane, Muhamed Javad Zarifi, në “New York Times” e akuzoi Arabinë Saudite për mbështetës të ekstremizmit dhe ndasive sektare  (The New York Times, janar 2016). Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Adil el-Jubeir në “Wall Stret Journal” në shtator të vitit të kaluar deklaroi se: “Irani është shteti kryesor që e mbështet terrorizmin dhe zyrtarët qeveritarë janë drejtpërdrejt përgjegjës për dhjetëra sulme terroriste që nga viti 1979.”

Marrëdhëniet ndërmjet Arabisë Saudite e Iranit gjatë gjithë kohës i karakterizoi ideologjia revolucionare, sektarizmi, pelegrinazhi në Mekë, çmimi i naftës, qëndrimet e tyre ndaj pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Arabik, dilema e sigurisë, gara në fushën e armatimit, si dhe zhvillimet tjera rajonale.

Rivaliteti hegjemonik ndërmjet tyre nuk ka gjasa të zhduket brenda natës, ngase aspiratat e tyre të papajtueshme gjeopolitike vazhdojnë të ekzistojnë. Por, ata mund t’i ulin tensionet duke u ballafaquar bashkërisht me tejkalimin e sfidave në të cilat po kalon rajoni i Lindjes së Mesme.