` . Rilindja e Ante Rebiç, 50% e golave të Milanit mbajnë firmën e tij - TV-SHENJA

Rilindja e Ante Rebiç, 50% e golave të Milanit mbajnë firmën e tij

Milani është rikthyer të përballet denjësisht me skuadrat më të forta të kampionatit italian dhe këtë e tregoi në ndeshjet ndaj Interit dhe Juventusit, ndërsa rezultatet e mira të vitit 2020, të shumtë janë ata që ia faturojnë mbërritjes së Zlatan Ibrahimovic.

Në fakt është e vërtetë që gjiganti suedez rriti besimin në ekip dhe shtoi grintën e seriozitetin te shokët e skuadrës, por një tjetër lojtar që po kontribuon për këtë moment mjaft të mirë është edhe kroati Ante Rebic.

I aktivizuar me pikatore deri në fund të dhjetorit, sulmuesi kroat ishte drejt largimit gjatë merkatos së janarit, por mungesa e ofertave bëri që të mbetej në Milano dhe drejtuesit e klubit kuqezi duhet të ndihen me fat për këtë rast.

Kjo pasi që prej 19 janarit, kur erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë në fitoren 3-2 ndaj Udineses, sulmuesi kroat ka gjetur një vend në formacion në krah të Ibrës dhe ka shënuar rregullisht, aq sa 50% e golave të Milanit, mbajnë firmën e tij.

Ndonëse rolin e tij ideal e ka atë të sulmuesit të dytë, Rebic vrapon pa fund, del shpesh në krah dhe vjen shumë herë mbrapa në ndihmë të shokëve, kur topin e kanë kundërshtarët, ndaj jo më kot ka shijuar edhe duartrokitjet e publikut kuqezi sa herë që është zëvendësuar.

Objektivi i Milanit këtë sezon është një vend në zonën Champions, që duket i vështirë për t’u arritur pasi Atalanta është e shkëputur dhe po bën një sezon spektakolar, por me një Rebiç më shumë, kuqezinjtë mund të provojnë gjithçka.