` . Ridiskutim mbi metodën – TV-SHENJA

Ridiskutim mbi metodën

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Tregohet se idenë për romanin Shpirtra të vdekur Gogoli e mori nga Pushkini. Në një takim mes të dyve, Pushkini jo vetëm që ia tregoi si subjekt, por edhe e nxiti që ta shkruante, duke i sugjeruar të kishte parasysh Don Kishotin. Ndoshta një nga arsyet se pse Gogoli e quan “poemë” romanin e tij, tashmë emblematik, është se kjo shërben si një miradije për Pushkinin. Duke qenë më shumë poet, Pushkini nuk e merrte kollaj mundimin që të shkruante prozë dhe nuk e pati fare për gjë që idenë – e cila ia vlente – t’ia diktonte Gogolit, meqë ky i fundit shkruante kryesisht prozë.

Edhe Servantes-i, diku në fillim të kryeveprës së tij, na thotë se kjo që po lexoni nuk është gjë tjetër, pos përkthim i një dorëshkrimi në gjuhën arabe që e kishte gjetur në një treg sendurinash andaluziane, të cilin ia kishte përkthyer me pagesë një maur, pasi ai vetë nuk dinte arabisht. Dhe, kjo nuk duhet marrë si fakt ose po si provë, sepse janë disa gjëra që janë më reale se realja.

Është edhe një rast tjetër i kësaj natyre, kur Goethe pat vendosur një strofë të Hafizit në një prej poezive të tij, dhe kur një prej nxënësve e hasi këtë i tha se “kjo është e Hafizit”. – Po. E di. Por, ja që rri për bukuri brenda poezisë sime, – ia ktheu mjeshtri.

Ajo çfarë na kujtojnë këta shembuj e shumë të tjerë si këta, është se një e vërtetë mbi qenien ose mbi jetën nuk është shpikje e njeriut, por ajo lind përnjëherë me njeriun, që me njeriun e parë. Prandaj askush nuk mund të ketë certifikatë pronësie për një të vërtetë të kësaj natyre. Është njëlloj si të kesh certifikatë pronësie për shkimin. Këto të vërteta nuk mund të jenë pronë e askujt. Ajo çfarë mund të bëjë njeriu – dhe e ka bërë vazhdimisht – është t’i përcjellë këto të vërteta. Një nga format më “ideale” për ta bërë këtë është letërsia.

Ja pse në rastet e mësipërme nuk kemi të bëjmë as me pronësi mbi idenë e as me kopjim, por me diçka përtej këtyre, që nuk ka të bëjë fare as me njërën e as me tjetrën.

Një prej gjërave që na thotë postmodernizmi është se nuk ka fakte – ka vetëm interpretime, domethënë njeriu nuk krijon ex nihilo (nga hiçi), por krijon kur intrepreton, e thënë ndryshe, kur përcjell; kur gjen mënyrën e duhur për ta bërë këtë të fundit. Një “mënyrë e duhur” është Iliada, Njëmijë e një netë, Fausti, Mbreti Lir, Uliksi, Të mjerët, Fije bari, Duke pritur Godonë, Metamorfoza, Zorba e shumë vepra (mënyra) të tjera. Autorët e këtyre veprave më shumë se sa të na japin diçka të re, që ne s’e dinim, që nuk ekzistonte më parë, na kanë kujtuar/përmendur një të vërtetë tonën, të cilën priremi ta harrojmë teksa kuturisim në forma të ndryshme t’i falemi botës në dëm të jetës. Pra, arti na kujton për jetën, jo për botën. Mbase çdo gjë tjetër, përveç artit, përfundon te bota.

Nëse mund të shprehemi figurshëm, mund të themi se roli i një autori është të përpunojë esencën, ta hollojë, pasi pjesa më e madhe e njerëzve nuk e përtypin ndryshe, prandaj dhe lind nevoja që një e vërtetë e caktuar të vishet me një ngjarje. Një nga kuptimet e fjalës tekst në latinisht është edhe “veshje”.

Nëse një e vërtetë do të thuhej copë, çdo gjë mund të ndodhë, por jo mirëpritja e saj. Në këtë kuptim, nuk është aspak e vërtetë ideja që ka gjetur fole te shumë “misionarë” të dëshpëruar, që duan ta ndryshojnë botën, se kinse njerëzit nuk e duan të vërtetën. Problemi është se, në shumë raste, e vërteta u thuhet në mënyrën e gabuar dhe natyrisht që nuk do ta presin mirë. Çështja është se ne nuk kemi asnjë problem me një të vërtetë që dikush synon të na thotë, por me mënyrën se si na thuhet.

Nëse Shakespeare do ta thoshte troç se çdokush që adhuron pushtetin do të ketë një përfundim tragjik, megjithëse e vërtetë nuk do çudiste askënd, dhe kështu nuk do të kishte kurrfarë jehone. Por, ai shkroi Makbethin për ta thënë këtë dhe ja ku jemi të rrethuar nga jehona e përjetshme e kësaj vepre.

Edhe në këtë rast nuk ka asnjë shpikje dhe asgjë të re, pasi e vërteta nuk u nënshtrohet ligjeve të kohës dhe të hapësirës, ku një syresh është pikërisht e vjetër-e re. Ja pse një vepër si Makbethi është lexuar, lexohet dhe do të lexohet nga çdo njeri, pavrësisht çdo lloj përkatësie që ka veshur në kushtet e kohës e të hapësirës.