` . Ridefinimi i rendit botëror dhe i Ballkanit - TV-SHENJA

Ridefinimi i rendit botëror dhe i Ballkanit

Për momentin në aspektin e ekonomisë globale, por edhe ushtarake e tekniko-teknologjike, sfida kryesore për Trump-in është Kina. Ai është i vetëdijshëm se një shtet si Kina me këtë dinamike ekonomike, por jo vetëm ekonomike, nuk mundet të balancohet pa partnerë të tjerë, si Rusia, Japonia, por edhe shtetet evropiane.

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Trump-i edhe zyrtarisht është kryetar i SHBA-së, fuqisë kryesore botërore. Për dikë kjo ishte befasi, për dikë fenomen dhe vetëm ata që pak më me kujdes i kanë ndjekur rrjedhat brenda shoqërisë amerikane dhe asaj botërore kanë mundur ta kuptojnë ardhjen e tij në pushtet. Deri para disa ditëve dilema kryesore ishte nëse Trump-i i fushatës zgjedhore do të jetë i njëjti edhe si president. Tanimë ajo dilemë nuk ekziston. Fjalimi i tij inaugurues tregoi se ai do ta vazhdojë pa mëdyshje realizimin e ëndrrës së tij “Amerika përsëri e Madhe” dhe “Amerika në vend të parë”. Për të kjo ditë do të mbahet mend si dita e ndryshimit të madh, kur popullit do t’i kthehet pushteti që ia kishin grabitur elitat dhe oligarkët e Uashingtonit.

Që të mund të kuptohet ky qëndrim dhe ky vizion i ri, që ai e promovon, duhet t’i kthehemi analizës se si ai erdhi në pushtet. Që në fillim dua të konstatojmë se Trump-i nuk zbriti nga qielli, por është rezultat i rrethanave socio-ekonomike brenda SHBA-ve, por edhe i konstalacioneve të reja globale në të cilat jetojmë. Ekzistojnë së paku disa rrethana që Trump-i në mënyrë perfekte i shfrytëzoi për të ardhur në pushtet. Zgjidhjet që ua ofroi qytetarëve për tejkalimin e këtyre situatave tani ia determinojnë kahet e veprimit të tij. Ndër rrethanat që e sollën atë në këtë post janë: kriza e demokracisë liberale, ngritja qendrave të reja ekonomike botërore, humbja e rolit dominues të SHBA-ve në sigurinë globale dhe jeta në një botë pa rregulla, ku çdo njeri për çdonjërin është rrezik.

Të mundohemi t’i analizojmë këto rrethana dhe zgjidhjet që ai i ofroi për këto sfida, nga të cilat do të mundohemi të nxjerrim konstatime për rrjedhat e mundshme botërore, me theks në Ballkan dhe pozitës së shqiptarëve. Disa herë kam potencuar se bota, flasim për botën perëndimore, ku bën pjesë edhe Amerika, nuk ballafaqohet vetëm me krizën financiare, por edhe me atë sigurisë, madje mbi gjitha me mungesë të filozofisë politike adekuate për rrethanat momentale. Duhet të konstatojmë se demokracia liberale, bazuar në ekonominë e tregut, solli një zhvillim të paparë ekonomik në shtetet ku ajo funksionon, por prodhoi një pabarazi për sa i përket shpërndarjes së pasurisë brenda qytetarëve të saj, si edhe ndërmjet shteteve në përgjithësi. Për pasojë, kjo ngriti dyshime mbi vlerat e demokracisë. Nëse e bukura e demokracisë qëndron në atë që, përkundër faktit se njerëzit nga natyra nuk janë të njëjtë as sipas talentit, as sipas inteligjencës, e as sipas forcës së tyre fizike, ata në ditën e votimit kanë çdonjëri vetëm nga një votë. Përskaj këtij parimi të barabarësisë në vendimmarrje, pabarazia ndërmjet klasave thellohet më shumë se kurdoherë. Thuhet se 400 njerëzit më të pasur të Amerikës posedojnë pasuri sa tërë bruto-prodhimin vendor i Indisë, një shtet me 1.3 miliardë popullatë. Ose, 20 pasanikët më të mëdhenj të këtij vendi posedojnë sa gjysma e popullatës amerikane, që i takojnë klasës së ulur të shoqërisë. Shtrohet pyetja; ku mbet urtësia kolektive popullore si zgjedhje në të cilën bazohet demokracia? Ka një përgjigje shumë logjike për këtë. Llogaritet se fushatën presidenciale në SHBA me mbi 50% e financojnë 175 kompanitë kryesore të këtij vendi. Mu për këtë fakt disa mendimtarë flasin për kohën e post-demokracisë. Tanimë për atë se kush do t’i fitojë zgjedhjet në këtë vend, nuk vendos populli, por grupe të caktuar të interesit, të lidhura me politikën dhe me mediat. Nëpërmjet një teatri politik, që luhet çdo katër vjet, elitat e dy partive i ndërrojnë pozitat, herë njëra dhe herë tjetra, kurse oligarkët financiarë e ekonomikë e ruajnë status quo-në që ata e dëshirojnë. Kësaj situate i kontribuoi pasiviteti i një shtrese të gjerë të popullatës, që i përkasin klasës më të ulët, por që e kanë të garantuar një ekzistencë solide. Ata pothuajse ishin pajtuar me këtë fakt dhe sikur kishin humbur ambiciet për ndryshime dhe progres. Një shtresë tjetër e popullatës ishin të dëshpëruar, bile edhe në depresion. Çka bëri Trump? Ai e zgjoi këtë klasë të deprimuar, që ishte në gjumë, me një alarm që ngjalli frikë. Duke përdorë, por më tepër duke keqpërdorë, disa të dhëna për migracionin dhe terrorizmin, ai paralajmëroi për rrezikun që i kanoset Amerikës nga ky fenomen. Të dëshpëruarit, të deprimuarit dhe të frikësuarit i mobilizoi duke përdorë dy argumente ose mashtrime: një, se gjendja e tyre ishte e tillë, ngase Obama – një njeri me prejardhje afroamerikane dhe myslimane shumë më tepër ka mbajtur llogari për të tjerët sesa për amerikanët dhe, dy, ai i trishtoi amerikanët e bardhë se shumë shpejt do të bëhen pakicë dhe do të sundohen nga meksikanët dhe myslimanët. Andaj, për të dalë nga kjo situatë, sipas tij, ekziston një mundësi “Amerika duhet të jetë në vend të parë”, me çka “Amerika përsëri do të bëhet e madhe”. Në një shtet të tillë pa emigrantë dhe mysliman do të ketë vend për çdonjërin, posaçërisht për amerikanët e bardhë.

Ai ishte i vetëdijshëm se mas-mediumet dhe disa intelektualë, që krijojnë opinion publik, janë  të lidhur me oligarkitë e dy partive politike kryesore dhe nuk do ta përkrahin këtë ide, andej kërkoj rrugë alternative. Trump-i vuri në përdorim rrjetet sociale dhe disa herë me qëllim dhe në mënyrë demonstrative i anashkalonte mediat kryesore, si TV-të dhe gazetat prestigjioze, duke ua bërë me dije se koha e tyre ka kaluar. Rrjetet sociale i shpërndanin të vërtetat dhe të pavërtetat me një fjalor të ulët, plot emocione dhe urrejtje, që shumë lehtë përkapen nga klasat e ulëta dhe ato rurale. Në këtë mal informatash e dezinformatash u bë krejt e pamundur të dihet cila është e vërteta e cila e pavërteta, saqë një fjalori prestigjioz e aprovoi termin “pos e vërteta”.

Ky populizëm, që nuk ishte parë në ambientin politik amerikan, i ndau edhe elitat intelektuale. Disa shkuan aq larg sa ta shpallin fundin e demokracisë liberale. Kjo luftë politike nga shumëkush shihet si luftë ndërmjet demokratëve liberalë dhe atyre joliberalë. Trump-i paraqitet si një përfaqësues i kësaj politike joliberale, që paraprakisht ishte promovuar në Rusi, Turqi, por edhe në Hungari dhe tek disa liderë britanikë, që e imponuan idenë e Brexit-it. Me një fjalë, nga shumë analistë populizmi dhe demokracia joliberale fitoi karshi asaj liberale dhe politikave racionale. Kjo nuk është e tëra. Demokracia liberale u sfidua edhe nga faktorë të jashtëm dhe sisteme të tjera jodemokratike. Nëse shikohet historikisht dallimi ndërmjet shteteve të zhvilluara, demokratike dhe atyre jo të zhvilluara, jodemokratike, deri para dyqind viteve këto dallime ishin minimale. Zhvillimi ekonomik i Evropës dhe Amerikës kah viti 1800, shprehur në Bruto Prodhim Vendor, krahasuar me shtetet e Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, nuk ishte serioz. Në dyqind vitet e fundit Evropa dhe Amerika përjetojnë një bum industrial, me çka krijohen dallime marramendëse ndërmjet këtyre vendeve dhe Kinës, Azisë së Mesme dhe Afrikës. Diku në mesin e dytë të shekullit të njëzetë, shtetet e Azisë Lindore, si Japonia, Koreja, Tajvani dhe Singapori fillojnë ta kapin hapin dhe t’i tejkalojnë dallimet. Asnjë prej këtyre shteteve nuk shquhet për ndonjë demokraci, veçanërisht për demokraci liberale. Në shekullin XXI shtetet si Rusia, Kina, India, Brazili, por edhe Afrika e Jugut, fillojnë seriozisht t’u bashkëngjiten shteteve të zhvilluara. As këto shtete nuk njihen për ndonjë demokraci liberale, bile përkundrazi, shumë më tepër llogariten si shembuj të demokracisë joliberale, autoritare e populiste. Zhvillimi i këtyre shteteve nuk e sfidoi vetëm në aspektin ekonomik Perëndimin, por edhe ideologjikisht me demokraci joliberale. Kjo e fundit u tregua shumë më efikase në ballafaqimin me krizat ekonomike sesa demokracia liberale e Evropës. Demokracia joliberale mori hov shtesë në Evropë pas krizës ekonomike, të nxitur edhe nga migracioni, por edhe rreziku nga terrorizmi. Në këso rrethana popujt shumë më tepër do të angazhohen për shtet të sigurt sesa për shtet të lirë dhe të hapur. Këto rrethana të jashtme mund të shihen si një erë pas shpine, që i ndihmoj Trump-it t’i realizoj ambiciet e veta, por edhe ta ndryshojë kursin e deritanishëm të politikës në vend, atë të jashtme dhe globale.

Ngritja e qendrave të reja ekonomike me demokraci joliberale e bën të qartë se periudha e Amerikës, si fuqi e vetme botërore, është në perëndim. Ajo për gati një shekulli ishte fuqia kryesore botërore, por sot paguan edhe fatura. Enti statistikor i këtij vendi numëron 21.8 milion veteranë të luftës që nga Lufta e Parë Botërore, deri te këto me të rejat kundër terrorizmit në Afganistan, Irak e gjetiu. Prej vitit 2014 Obama i ka rritur shpenzimet për këta veteranë të luftërave nga 100 miliardë në 163 miliardë dollarë. Stafi i Trump-it është i vetëdijshëm se vendi i tij nuk do të mund edhe më tutje ta luajë rolin e policit botëror dhe se imponohet nevoja e ndarjes së përgjegjësisë. Andej ai do ta promovojë idenë “Amerika në vend të parë”. Kjo strategji cilësohet si politikë izolacioniste, antiglobaliste bie ndesh me politikën, që promovohet tani e një shekull më parë. Por, koha e Pax Amerika mbaron, për më tepër që ajo sot nuk rrezikohet vetëm nga rivalët ekonomikë botërorë, por edhe nga ata që nuk kanë kurrfarë relevance ekonomike e ku më tekniko-teknologjikë e ushtarake. Terrorizmi, si rrezik kryesor i ditëve tona vjen mu nga këto vende. Për këtë ai mori mesazh shumë më herët.

Shekulli XXI filloi me një ngjarje të papritur nga askush, por që mban në vete porosi shumë domethënëse. Shteti më i fuqishëm në botë nuk u sulmua nga ndonjë fuqi ushtarake, por nga individë të shteteve të dështuara. Pesë beduinë, fanatikë ose terroristë, nuk është më rëndësi si do t’i quajmë, e sulmuan qendrën më të fuqishme ushtarake botërore, Pentagonin. Simbolika ishte e qartë – një shtet sado i madh dhe i avancuar ushtarakisht dhe tekniko-teknoligjikisht të jetë, nuk është i gjithëfuqishëm dhe i paprekshëm. Kaluan pesëmbëdhjetë vite në kërkim dhe luftë kundër këtij rreziku të padukshëm, por pa sukses. Në vend që të eliminohet, ai përjetoi transformim dhe tanimë është rreziku kryesorë botërorë. Një argument shtesë se ka ikur koha e shteteve të gjithëfuqishme ishte deklarate e Obamës para ikjes nga Shtëpia e Bardhë. Ai pa ekuivoke deklaroi se, në bazë të informatave të shërbimeve sekrete amerikane, në zgjedhjen e Trump-it ka gisht shërbimi sekret rus, bile vet Putini. Shteti me 18 shërbime të ndryshme që harxhon qindra miliarda dollarë në vit për këto shërbime nuk e mbron dot vetveten. Ky është edhe një argument se sa relative janë konstatimet se ka shtete të gjithëfuqishme dhe të paprekshme në botë. Me një fjalë, duhet ta pranojmë se jetojmë në kohën të relativizmit dhe të demitoligjizimit të fuqive botërore. Për më tepër, është koha për një strategji të re dhe për një qasje të re në rendin botëror. Andaj, në vend se të jemi në një luftë pafund me shtriga, nevojitet një strategji dhe një qasje e re. A do të mund ta vendosë Trump-i këtë rend të ri? Nuk e di! Nuk e besoj! Por, një gjë me siguri do të ndodhë: ai do të ndikojë që status quo-ja e rendit botëror të ndryshojë. Ndoshta mund të jetë vetëm një ice breaker, që do ta thyejë akullin, që për momentin i ka ngrirë rrjedhat botërore. Më vonë mund të kalohet në një rend të ri botëror më demokratik. Shpresoj të kemi një asamble botërore të shteteve ose kombeve, që do ta kishin të njëjtën peshë, pa marrë parasysh madhësinë dhe nivelin e zhvillimit, kurse Këshilli i Sigurimit do të transferohej në qeveri botërore. E derisa të vijë ajo kohë ne duhet t’u japim përgjigje sfidave aktuale.

Për momentin në aspektin e ekonomisë globale, por edhe ushtarake e tekniko-teknologjike, sfida kryesore për Trump-in është Kina. Ai është i vetëdijshëm se një shtet si Kina me këtë dinamike ekonomike, por jo vetëm ekonomike, nuk mundet të balancohet pa partnerë të tjerë, si Rusia, Japonia, por edhe shtetet evropiane. Duke mbetur krejt në rrafshin real-politik ai tanimë nuk kërkon partneritet mbi vlera të përbashkëta, siç është demokracia liberale, e cila kishte pretendime të promovohej si vlerë universale, por në bazë të marrëveshjeve, interesave dhe zonave të ndikimit. Pra, për të nuk është me rëndësi se sa demokratike do të jetë Rusia ose Japonia, por se sa ata mund t’i harmonizojnë qëndrimet dhe sa do të mund të bashkëpunojnë për interesa të veta. Prandaj pasoi deklarata se “NATO është organizatë e vjetruar”. Për të dhe njerëzit që e rrethojnë nuk bën peshë vlera që ka aleanca ushtarake, por shumë më me rëndësi është se kush sa paguan dhe sa përfiton. Jorastësisht kabineti i tij kryesisht përbëhet nga biznesmenë e gjeneralë, që për nga mënyra e mendimit janë shumë më tepër të përqendruar në rezultatin final sesa në vlerat universale, si liria, demokracia, drejtësia, barazia. Këto janë parimet e vizionit të ri, që Trump-i në fjalimin e tij inaugurues në stilin dhe retorikën tanimë të njohur populiste, me elemente të qarta nacionaliste, i bëri të qarta.

Demokracinë grabitur nga oligarkët, që ai e shfrytëzoi me mjeshtri për ta mbushur me populizëm, do t᾿ia kthejë popullit. Por, prapë në esencë ai mbetet populist e autokrat, pasi veten e vendosë në rolin babait të kombit që do të interesohet për ta dhe jo se atyre do t’u krijojë mundësi të vendosin për fatin e vet. Sipas tij, tani e tutje nuk do të fitojnë nga qeveria një grup njerëzish në Uashington, por populli. Familjes amerikane të klasës së mesme, që ishte në apati e depresion, do t’i kthehet shpresa dhe gëzimi. Amerika, nën udhëheqjen e tij, nuk do të punojë për të tjerët, por për amerikanët. E vetmja gjë që tha lidhur me politikën e jashtme ishte premtimi se do të bëjë koalicion me forcat progresive për një luftë pa kompromis kundër terrorizmit islamik, duke potencuar se nuk do të insistojë që ata të ndajnë vlera të përbashkëta me amerikanët. Një argument shtesë se për të demokracia liberale nuk do të shihet si vlerë universale.

Në këso rrethana dhe me një vizion të tillë për të ardhmen, është logjike të shtrohet pyetja: çka me Ballkanin? Në fjalimin inagurativ nuk foli as për NATO-n, as për Rusinë, e as për Kinën, e ku më për Ballkanin. Por, në frymën e asaj që u tha më lart mund të konstatojmë se edhe këtu do të ndodhë ndryshimi. Status quo-ja, që mbretëron për momentin as në Lindje as në Perëndim, as në integrim e as dezintegrim, ka gjasa të prishet. Ky konflikt i ngrirë, që është vendosur në shtetet e Ballkanit mbi parimin integrim në NATO dhe EU, për të ruajtur qetësinë në këtë pjesë të Evropës, duket të paraqitet shumë i shtrenjtë dhe i paqëndrueshëm. Evropa përjeton ndryshime dramatike brenda vetvetes. Ajo nga një qendër e vendosjes, siç është Gjermania pas Brexit-it, mund të transferohet në më tepër qendra vendosje, si p.sh: Gjermani me ish shtet e Lindjes, Anglia me Baltikun dhe shtetet e EFTA-së, Franca me Portugalinë dhe Spanjën, Italia me shtetet e Adriatikut. Por, çka do të ndodhë me ato shtete të që kanë mbetur jashtë NATO-s dhe BE-së? Nëse do të mund të sponsorojë Trump-i një pajtim ndërmjet Perëndimit, më tepër Gjermanisë dhe Rusisë, ndoshta edhe Turqisë, zgjedhja duhet kërkuar në ndarjen e zonave të ndikimit të Rusisë dhe Turqisë, me miratimin edhe të Gjermanisë, nën mbikëqyrjen e Amerikës.

Nëse çmimi i mbajtje së shteteve multietnike është i lartë, mund të kalohet edhe në krijimin e shteteve etnike. Do të ishte mirë që nëse kjo ndodhë të ndodhë me marrëveshjen e këtyre faktorëve dhe pa gjakderdhje. Një skenar i mundshëm për redefinimin e Ballkanit kah formimi i shteteve etnike mund të jetë që trupat ushtarake të NATO-s në Kosovë, pasi është shumë reale që SHBA-të të tërhiqen prej Ballkanit, në kuadër të kësaj organizate në fazën e parë të zëvendësohen me ushtri turke në marrëveshje edhe me Rusinë. Ndoshta edhe ata në Bosnje. Në një moment jo shumë të largët Maqedonia të shndërrohet në një federatë të “maqedonasve autoktonë” dhe “shqiptarëve autoktonë dhe autonomë”. Jo kosovarë! Jo shqiptarë! Së paku në një periudhë kalimtare. Ndoshta më vonë një konfederatë Shqipëri, Kosovë dhe “shqiptarë autoktonë” të Maqedonisë nën mbikëqyrjen e Turqisë. Pjesa tjetër një Serbo-sllavi nën mbikëqyrjen e Rusisë. Por, tani Rusia, Gjermani, Turqia do të ishin aleatë, pra miq dhe jo armiq. Ky skenar është i mundur nëse marrëveshja Turqi-Rusi për Sirinë tregohet e suksesshme dhe pranohet prej SHBA-ve, por edhe prej shteteve evropiane. Takimi në Astana, që pritet të mbahet më 23 janar, do të jetë testi i parë. Nëse ai vazhdon në Gjenevë me prezencën e SHBA-ve dhe shteteve të Evropës dhe mbaron me sukses, ky bashkëpunim edhe mund të thellohet, por mbi parime krejt të tjera. Shqiptarëve, në mungesë të alternativës serioze dhe nën rrezikun e ekspansionizmit serb, një përkrahje nga Turqia mund t’ju duket si shpëtim.

Postime të Ngjajshme