` . Richard Gere: Salvini, ky “Trump i vogël”! - TV-SHENJA

Richard Gere: Salvini, ky “Trump i vogël”!

Ministri i Brendshëm i Italisë dhe drejtuesi i krahut të djathtë, Matteo Salvini është një “Trump i vogël” që shfrytëzon frikën e njerëzve për të fituar vota – tha të hënën aktori amerikan Richard Gere, i angazhuar në çështjen e emigrantëve në Mesdhe.

Gere, 69 vjeç, kohët e fundit u përplas me Salvinin mbi një anije bamirësie me qindra emigrantë, pasi ky i fundit ndaloi ankorimin në portet italiane.

Spanja ofroi portet e saj, por anija nuk pranoi sepse udhëtimi do të zgjaste shumë dhe do të rrezikonte shëndetin e emigrantëve, njoftoi Reuters.

Salvini pretendon se Open Arms po gënjen për gjendjen e emigrantëve dhe se një kontroll mjekësor nga autoritetet italiane gjatë fundjavës tregoi që situata në anije nuk ishte urgjente.

“Ministri juaj ka të njëjtin mentalitet si Presidenti Trump. Në fakt, unë e quaj Salvinin një ‘Trump të vogël;. Ai përdor të njëjtën injorancë radikale, shfrytëzon frikën dhe urrejtjen”, i tha Gere për Corriere della Sera-n.

Gere vizitoi “Open Arms” dy javë më parë duke sjellë ushqim për emigrantët dhe dhënë atyre përkrahje. Salvini reagoi duke i kërkuar që t’i merrte migrantët në Hollivud dhe t’i akomodonte “në vilat e tyre”.

“Nëse ministri juaj do të kalonte kohë me këta njerëz, duke dëgjuar historitë e tyre dhe traumat familjare, ai do të ndryshonte qëndrimin e tij”, tha aktori.

Ai shtoi se do të dëshironte të takohej me Salvinin sepse ai është “i sigurt se nuk është ashtu siç paraqitet në publik”.

“Ai ka familje, fëmijë, prindër. Por ai përdor politikën si një mjet për të rritur mbështetjen. Jeta mund të jetë e thjeshtë, nëse jeni i sinqertë dhe flisni nga zemra”, tha Gere. /tesheshi/