` . Rialokohen 1 miliard e 6 milionë denarë për larjen e borxheve dhe shmangien e kamatave (Video) – TV-SHENJA

Rialokohen 1 miliard e 6 milionë denarë për larjen e borxheve dhe shmangien e kamatave (Video)

Kuvendi ka miratuar propozimin e Qeverisë për rialokimin e mbi 1 miliard e 6 milionë denarëve me qëllim që të paguhen borxhet dhe të shmangen kamatat.  Në arsyetimin para deputetëve ministri i Financave, Dragan Tevdovski  tha se këto mjete merren prej dispozitave të cilat institucionet nuk kanë mundur t’i realizojnë dhe transferohen në fshirje të borxheve.

DRAGAN TEVDOVSKI, MINISTËR I FINANCAVE

“Shuma e përgjithshme e rialokimit të propozuar është 1,6 miliardë denarë. Propozojmë të paguajmë disa hua më të mëdha të mbetura. E para për sallën e madhe të koncerteve për Filharmoninë e Maqedonisë, e dyta pajisje për Ministrinë e Punëve të Brendshme, tre, objekte të ndërtuara në shërbimin për punët e përgjithshme të përbashkëta, para së gjithash objektin e fakultetit të Artit Dramatik, për Teatrin Shqiptar në Shkup, për Teatrin dhe Bibliotekën e Tetovës, për hua të mbetura për përkthim dhe botim të literaturës profesionale, përkthime të librave nga autorë me renome dhe libra pa pagesë”

Ministri Tevdovski tha se një pjesë e huave të mbetura do të sigurohen me kursime në vitet  e ardhshme fiskale si rezultat i shmangies së kamateve dhe harxhimeve eventuale gjyqësore për mospagesën në kohë të huave. Por, sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së,  Qeveria për këtë duhej të marrë masa që kur opozita e kërkoi një gjë të tillë gjatë rishikimit të Buxhetit. Deputetja Liljana Kuzmanovska tha se përfaqësuesit e pushtetit ende përshtaten në Qeveri.

LILJANA KUZMANOVSKA, VMRO-DPMNE

“Ju në këtë periudhë të kaluar morët shumë kredite, rreth 439 milionë dhe 349 ishin për larje të borxheve, por nuk na shpjeguat ato 83 milionë euro ku shkuan. E vetma gjë që dimë është se kishim vetëm zgjedhje për atë periudhë. Në pjesën më të madhe thatë se zvogëloni dispozitat ku kemi realizim të ngadalësuar të objekteve ndërtimore, por kjo ishte motoja juaj kryesore në të cilën ju e kritikonit qeverinë se nuk ka kapacitet që buxhetet që i planifikon t’i realizojë në tërësi. Por, ne tani themi se nuk ka kapacitet ky pushtet t’i realizojë dhe ja ku shohim se realizimi është nën 50 për qind”

Ky vendim parashikon zvogëlimin e 230 milionë denarëve në programin e rrogës minimale. Për blerjen e pajisjeve dhe makinerive në MPB mjetet janë rritur për 124 milion denarë, ndërsa në Ministrinë e Mbrojtjes ka ulje prej rreth 180 milion denarëve. Mefail Ismaili /SHENJA/