` . Rezistenca politike përmes bllofit – TV-SHENJA

Rezistenca politike përmes bllofit

Shkruan: Arbër Çeliku

Rrethanat tona të brishta shoqërore kanë pjellë në vazhdimësi, sidomos, politikanë allasoj, të cilët përnjeherë kanë dalë nga anonimiteti dhe brenda natës janë ngritur në figura prominente, duke e shpallë veten aktorë të fushëbetejës nën maskën e një madhështie hyjnore, të cilën unë e quaj “rezistencë politike përmes bllofit”, në kuptimin e një qëndrimi stoik nihil admirari, një  sajesë bizarre e këtyre për të kamufluar anonimitetin e tyre përpara votuesit të dëshpëruar dhe të paaftë për ta gjetur veten në shoqëri, që më pas ta thellojnë edhe më tepër dëshpërimin e tij.

Fare kollaj e kanë pasur në fillim të gjithë politikanët, që pjesëtarëve të partive të veta t’ua imponojnë bindjen, se ata i ka lidhur fati në sajë të gjendjes dhe një parahistorie përcaktuese të përbashkët, gjë që ta impononon mendimin se tërësia politike ka qenë gjithmonë e karakterizuar me populacione që kanë pasur tendenca rritëse individualiste, prandaj dhe sot në mendjen e çdo qytetari, besa edhe të të miturve dhe adoleshentëve, mbizotëron koncepcioni se e gjithë kasta e politikanëve të hapësirës tonë karakterizohet me tiparin ‘profiterizëm’, pra pëfitues të paskrupullt nga e mira kolektive.

Dhe siç rezulton përditë e më shumë, stabiliteti i këtyre populacioneve nuk është i garantuar aspak, për më tepër, shoqërohet edhe me tronditje të mëdha, të cilat, në radhë të parë, i shkundin profiterët, e maskuar nën perçen e moralistëve. Duhet ta kemi të qartë, se teoria e entiteteve të mëdha është një kompleks në vete dhe përbëhet nga një numër i madh i subteorive: teoria e stresit, teoria mediatike, teoria e organizimit dhe rrjetëzimit dhe nuk është aspak një oazë, ku do të garantonte strehimin e profiterëve politikë, të cilët nuk arrijnë dot ta kuptojnë se jetojnë në skenën e lavdishme të vetëmashtrimit dhe jo në skenën e ndodhive shoqërore, e cila kërkon aftësi, përgatitje, profilizim, përvojë dhe percepcion përtej fushëpamjes.