` . Rexhep Zllatku, një jetë kushtuar shkrimit - TV-SHENJA

Rexhep Zllatku, një jetë kushtuar shkrimit

Rrugëtimi arsimor i Zllatkut ka kaluar disa qytete ballkanike. Shkollën fillore e mbaroi në qytetin e lindjen, për të vazhduar më pas arsimimin në gjimnazin e Prishtinës, shkollën njëvjeçare të gazetarisë në Beograd dhe Fakultetin Juridik në Shkup

Shkruan: Teuta BUÇI, Shkup

Rexhep Zllatku, i lindur në vitin 1939 në qytetin e Dibrës, sapo ka shkelur në dekadën e tetë të jetës së tij, duke bartur një bagazh të dendur të veprimtarisë së tij në fushën e gazetarisë dhe letërsisë. Meqenëse i takon një periudhe e cila ishte jo pak e vështirë për popullin shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, kujtimet fëmijërore të Zllatkut mbajnë ngjyra të zymta. Vështirësitë e atëhershme, që preknin palcën e çdo treve e familjeje shqiptare, nuk e linin indiferente as botën fëmijëve. Si shumë familje të tjera, edhe familja e tij kishte kaluar net me ankthe në pritje të trokitjeve e persekutimeve politike në derë. Kjo ndoshta do të ndikonte në formimin e mëvonshëm të karakterit tij, për të cilin do të bënte përpjekje maksimale për ta vënë në shërbim të shprehjes së lirë.

Rrugëtimi arsimor i Zllatkut ka kaluar disa qytete ballkanike. Shkollën fillore e mbaroi në qytetin e lindjen, për të vazhduar më pas arsimimin në gjimnazin e Prishtinës, shkollën njëvjeçare të gazetarisë në Beograd dhe Fakultetin Juridik në Shkup,

Ambicia e tij për t’u futur në botën e gazetarisë shfaqet herët e me pasion të madh, pasion ky që nis realizimin në vitin 1960, kur edhe e fillon profesionin si gazetar, fillimisht në gazetën “Flaka” dhe më pas tek “Rilindja”. Vullneti dhe përkushtimi i tij në këtë profesion do ta avancojnë atë në pozitën e kryeredaktorit në gazetën “Flaka”.

Zllatku i takonte plejadës së gazetarëve që vepronin gjatë sistemit komunist të Jugosllavisë. Edhe pse ajo ishte një periudhë shumë e vështirë për të mbijetuar si gazetar dhe kërkonte shumë sakrifica që ta përcjellë të vërtetën, kjo nuk paraqiste pengesë që ata të jepnin kontribut të palodhur në këtë drejtim. Përkundrazi, situata politike i motivonte edhe më shumë që ta vazhdojnë rrugën që ishte e mbushur me gjemba. Kësaj rruge nuk i shpëtoi as gazetari Zllatku. Puna e tij dhe e kolegëve, përpos që kontrollohej drejtpërdrejt nga struktura të Lidhjes së atëhershme Socialiste, ata ndonjëherë merrnin edhe urdhra të prerë që të shkruanin artikuj të caktuar dhe në këtë mënyrë shpesh detyroheshin të shkruajnë edhe gjëra për të cilat nuk pajtoheshin.

Megjithatë, sfidat që ka hasur ai gjatë rrugëtimit profesional nuk e penguan as për një moment që ta zgjeronte fushën e tij të veprimit. Instinkti i tij gazetaresk do ta nxisë atë që të dalë përtej kufijve dhe ta vizitoj komunitetin arbëresh në Greqi dhe Itali. Kështu, në vitet e ’70-ta, gjatë një vizite private në shtetin helen, ai do t’i vizitojë arbëreshët e Janinës, Igumenicës, Pargës, Artës, Prevezës, Mores dhe Atikë. Ai do të kthehet nga këto troje me një valixhe të mbushura me përshtypje, emocionesh e njohurish, të cilat do t’i zbraz mbi letër dhe do t’i botonte në një seri reportazhesh në gazetën “Rilindja”. Pas suksesit dhe interesit që ngjallën këto reportazhe, kureshtja e tij kësaj radhe do ta drejton tek arbëreshët e Italisë. Atje do të vizitonte fshatrat arbëreshe, ku do të takonte shumë arbëreshë të shquar, mes të cilëve edhe Dhimitër Belushin, nxënësin e fundit të gjallë të Jeronim De Radës. Gjatë qëndrimit të tij atje, ai do të jetë prezent edhe në hapjen e katedrës së pestë të gjuhës dhe letërsisë shqipe në Kozencë të Italisë nga ana e Frangjisk Sollanos. Mbresat e Kalabrisë Zllatku do t’i përmblidhte në 30 reportazhe, të cilat po ashtu do të publikohen në “Rilindja” e, më vonë, do të botoheshin edhe në formë libri me titull “Me arbëreshët”.

Përkrah këtij kontributi në gazetari, ai ka botuar edhe disa përmbledhje me tregime, romane, disa drama dhe ca vepra publicistike, si:“Droja e Kadiut”, “Magjia e Ballkanit”, “Plagoma”, “Kanunet s’rrojnë sa malet”…