` . Republika Kontradiktore e Maqedonisë - TV-SHENJA

Republika Kontradiktore e Maqedonisë

Republika e Maqedonisë është shtet i kontradiktave të mëdha. Nga njëra anë ka standarde të larta për të drejtat e komuniteteve joshumicë, me të cilat mund t’u mbajë ligjërata të gjitha shteteve të rajonit (përveç Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës), por nga ana tjetër, të gjitha përshtypjet pozitive që mund t’i kesh për Maqedoninë kur vjen puna te të drejtat e komuniteteve joshumicë, të prishen kur i kujton poshtërsitë e mëdha që bëhen në praktikë.

Shkruan: Rilind DAUTI, Shkup

Republika e Maqedonisë është një shtet ku si sëmundje kryesore “kronike” është kokëçarja se si të zgjidhen mosmarrëveshjet mes dy komuniteteve më të mëdha në këtë shtet: maqedonasve dhe shqiptarëve. Njerëzve shpesh u vjen në majë të hundës Maqedonia dhe thonë “kjo punë nuk shkon, hajde ta ndajmë Maqedoninë!”. Por, ata që iu ka ardhur maje hunde mosmarrëveshjet e vazhdueshme dhe te ndarja e shikojnë zgjidhjen (ithtarë të kësaj ka te të dy bashkësitë etnike), duhet t’u japin përgjigje disa pyetjeve të rënda që vijnë me idenë e ndarjes, siç është më kryesorja: në bazë të cilit kriter? Për shembull, nëse përdoret kriteri i asaj se kush është shumicë në një komunë, çfarë do të bëhet me vendbanime si Shkupi, Kumanova, Prespa apo Ohri, ku jetojnë një numër i madh i shqiptarëve, por nuk janë shumicë? Nëse shkohet deri në fund me kriterin etnik, si do të ndahet një qytet, lagje apo fshat ku jetojnë njerëz nga të dyja grupet etnike? Pyetje të ngjashme vijnë edhe me idenë e federalizimit. Duke e pasur parasysh këtë, as ndarja e as federalizmi (së paku jo ai territorial) nuk duket të jenë ide praktike dhe në interes të shqiptarëve. Por ku qëndron problemi dhe çfarë mund të përmirësohet në kuadër të këtij shteti unitar (që shumë shqiptarë pa e menduar hollë e hollë e llogarisin këtë si të metën më të madhe që e ka ky shtet), ashtu që shqiptarët të jenë shumë më të kënaqur apo, madje, plotësisht të kënaqur?

Fillimisht duhet thënë se shqiptarët kanë shumë arsye për t’u ankuar (edhe pse ka prej tyre që e teprojnë kur shkojnë aq larg sa thonë “shqiptarët e Maqedonisë janë komuniteti më i shtypur në tërë botën”), por gjithashtu patjetër duhet t’i pranojmë edhe aspektet pozitive, që i ka Maqedonia lidhur me të drejtat e komuniteteve joshumicë, në veçanti ndaj shqiptarëve si komuniteti i dytë në numër, që zyrtarisht marrin pjesë me 25.17% (sipas regjistrimit të vitit 2002), por që realisht mund të jetë më shumë se aq. Ja disa gjëra me të cilat tashmë jemi mësuar dhe tani na duken asgjë, por realisht janë arritje shumë të mëdha të shqiptarëve ose për të gjitha komunitetet joshumicë, por nga të cilat më së shumti dobi nxjerrin shqiptarët: vendosja me “shumicë të dyfishtë” (“shumica e Badenterit”) në Kuvend për çështjet që i prekin marrëdhëniet ndëretnike, zgjedhje e Avokatit të Popullit me shumicë të tillë, detyrimi ligjor për përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në organet shtetërore, shkollimi në shqip që nga niveli parashkollor e deri në studimet e doktoratës, shqipja gjuhë zyrtare në komunat ku shqiptarët janë mbi 20%, e drejta e komunikimit në shqip me organet e pushtetit qendror dhe, së fundi, nga Marrëveshja e Përzhinës, MTV2 do të duhet të jetë qind për qind shqip etj.

Por, përkundër gjithë këtyre të drejtave që e bëjnë Maqedoninë një nga shtetet me standardet më të larta për të drejtat e komuniteteve joshumicë, shqiptarët e Maqedonisë, me të drejtë, ende nuk janë të kënaqur. Ku qëndron, pra, problemi? Problemi qëndron në dy arsye:

  1. Në faktin që shqiptarëve u takon me ligj, subjektet maqedonase ua nxjerrin për hunde në praktikë ose në fusha që nuk parashihen me ligj; dhe
  2. Synimet më të larta të shqiptarëve për barazi të plotë, të cilën ky shtet nuk e reflekton, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e lartë të shqiptarëve në popullsinë e Maqedonisë.

Do të shtjellohen këtu të dyja arsyet veç e veç me shembuj. Për të parën, ndonëse ekziston mekanizmi i shumicës së Badenterit, ai është mjaft i limituar dhe nuk përdoret për votimin e buxhetit, që është një burim i madh i diskriminimit për shqiptarët; ndonëse Avokati i Popullit prej vitit 2004 është shqiptar, ndikimi i tij për pengimin e padrejtësive është shumë i vogël; ndonëse me ligj parashihet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, ky princip respektohet vetëm në institucionet tradicionalisht të udhëhequra nga kuadro shqiptarë dhe ngec në institucionet që është tabu të udhëhiqen nga shqiptarë (si: Ministria e Punëve të Jashtme, e Brendshme, e Financave…) dhe, në veçanti, në organet e sigurisë; ndonëse ekziston e drejta e shkollimit shqip në të gjitha nivelet, shkollimi shqip është objekt i diskriminimit përmes klasave të stërmbushura (për dallim nga shkollimi në maqedonisht, ku ka klasa me numër simbolik nxënësish), shkolla të amortizuara dhe të parenovuara, refuzim të punësimit të mësuesve të rinj nga Ministria e Financave… etj.

Një problem serioz është drejtësia selektive. Për këto vite kanë ndodhur disa raste gjyqësore tejet të dyshimta (si Sopoti dhe Monstra), që shqiptarët i llogarisin si të montuara dhe që janë shkaktar i madh i revoltës te ta dhe burim i mosbesimit ndaj shtetit. Një problem tjetër është edhe standardi i dyfishtë në dënime. Eklatantë janë shembujt e zbatimit selektiv të drejtësisë, si p.sh. për thyerje xhamash të gjykatës, disa protestuesve shqiptarë iu dhanë dënim me 3 vjet burg, kurse për demolimet ndaj dyqaneve të pronarëve shqiptarë në lagjen Gjorçe Petrov, ku u dëmtuan me qindra mijë euro të pronës private, kryerësve maqedonas iu shqiptuan dënime qesharake me maksimum 10 muaj me kusht! Dënim me kusht në vend se me burg u dha edhe për ata që hynë në Kuvend më 27 prill dhe përgjakën disa deputetë, përveç shkaktimit të dëmeve të shumta materiale! Por, kur jemi te gjyqësia, nuk bën pa u përmendur edhe brutaliteti policor ndaj shqiptarëve, që çdoherë mbetet i padënuar.

Nga kjo që u tha gjer më tani mund të konstatohet se Republika e Maqedonisë është shtet i kontradiktave të mëdha. Nga njëra anë ka standarde të larta për të drejtat e komuniteteve joshumicë, me të cilat mund t’u mbajë ligjërata të gjitha shteteve të rajonit (përveç Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës), por nga ana tjetër, të gjitha përshtypjet pozitive që mund t’i kesh për Maqedoninë kur vjen puna te të drejtat e komuniteteve joshumicë, të prishen kur i kujton poshtërsitë e mëdha që bëhen në praktikë.

Më lart u shtjellua kontradikta midis normatives dhe praktikës, që është i pakënaqësisë për shqiptarët. Tani dalim te arsyeja e dytë e përmendur në këtë shkrim: synimi i shqiptarëve që, në bazë të përqindjes së lartë zyrtare dhe edhe më të lartë të pretenduar, si dhe autoktonisë së tyre, për barazi të plotë të bazuar në kushtetutë, që do të ishte bazë e fortë për barazi edhe në praktikë. Momentalisht, situata është e tillë që një numër i madh i të drejtave që i gëzojnë shqiptarët bien në kornizat e të drejtave të minoriteteve, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë nuk duan të llogariten minoritet. Kjo është arsyeja e dallimit konceptual midis partive shqiptare dhe atyre maqedonase, që vërehet edhe në retorikën e tyre. Përderisa partitë shqiptare flasin për maqedonas dhe shqiptarë, partitë maqedonase domosdoshmërisht e vazhdojnë edhe me popujt tjerë në numër shumë më të vogël që së bashku bëjnë rreth 10% (turqit me 3.86%, romët me 2.66%, serbët me 1.78%, boshnjakët me 0.84%, vllahët me 0.48%, dhe të tjerët.). Nuk është arsyeja e këtij dallimi thjesht ideja e shtetit binacional, që partitë maqedonase e refuzojnë me pretekstin “po kjo do të ishte e padrejtë ndaj popujve tjerë në Maqedoni”, sepse shtetin binacional nga partitë shqiptare e proklamojnë vetëm PDSH-ja dhe LR-PDSH-ja, por arsyeja e vërtetë e këtij dallimi është dëshira e partive maqedonase që shqiptarët të mbeten në statusin e minoritetit, duke mos u dalluar aspak nga popujt e tjerë shumë më të vegjël se shqiptarët.

Bëra një digresion të vogël, por të nevojshëm, për dallimet mes partive shqiptare dhe atyre maqedonase kur vjen puna te popujt e Maqedonisë. Tani të kthehemi tani te çështja në fjalë me shembuj për atë se si shumë të drejta që i gëzojnë shqiptarët nuk i kënaqin aspiratat e tyre. Të nisemi nga gjuha shqipe! Ajo është zyrtare nëpër komuna ku shqiptarët janë mbi 20%. Kjo është një përparim i dukshëm krahasuar me kriterin 50%, që ka qenë më herët, por kjo nuk i bën shqiptarët as për së afërmi të barabartë me maqedonasit. Nuk mund të quhet barazi përderisa shqipja kufizohet nëpër komuna me përqindje të caktuar të shqiptarëve, ndërsa ajo nuk është zyrtare në kuptimin e plotë të fjalës për organet e pushtetit qendror. Momentalisht, në organet e pushtetit qendror shqipja përdoret nëpër ueb-faqet dhe prapavijën e vendit, ku mbahen konferenca për shtyp vetëm në organet e udhëhequra nga kuadro shqiptarë, ndërsa te tabelat e zeza ku shkruhet emri i institucionit emri shkruhet vetëm në maqedonisht, madje edhe në institucionet e udhëhequra nga kuadro shqiptarë. Kur jemi te gjuha shqipe, shqiptarët kanë të drejtë që letërnjoftimet dhe pasaportat t’i kenë maqedonisht dhe shqip, por kjo nuk është dygjuhësi, sepse maqedonasve u shkruan vetëm në maqedonisht.

Përveç zyrtarizimit jo të plotë të gjuhës shqipe, nga aspekti normativ për shqiptarët burim pakënaqësie janë edhe: mungesa e mekanizmit për pengimin e diskriminimit ekonomik, mungesa e mekanizmit për pengimin e proceseve të montuara gjyqësore dhe, në një masë, edhe simbolet monoetnike shtetërore. Pakënaqësinë e shton edhe mospërmbyllja e çështjeve dhe zvarritja e tyre tashmë 2 dekada e gjysmë. Përparime ka, por ato nuk i shkojnë çështjes deri në fund. Nga njëra anë është rezistenca e fortë e partive maqedonase kundrejt çfarëdo kërkese të shqiptarëve, ndërsa nga ana tjetër është përçarja e partive shqiptare dhe lakmia e tyre për të qenë në qeveri, që bën që ato të heqin dorë nga vijat e kuqe dhe premtimet e tyre elektorale.

Analiza e situatës momentale ndihmon në identifikimin e problemeve dhe kanalizimin e përpjekjeve për t’i zgjidhur ato. E mira e punës është se, si rezultat i luftës së vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, një pjesë e konsiderueshme e çështjeve për shqiptarët janë përmbyllur. Ato që tani mbeten për t’u zgjidhur janë:

  1. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe përmes ndryshimeve kushtetuese (e jo “Ligj për përdorimin e gjuhës shqipe” ose, siç shprehet LSDM, “Ligj për përdorimin e gjuhëve”, sado i avancuar të jetë ai ligj.)
  2. Rigjykimi i proceseve të dyshimta gjyqësore dhe krijimi i mekanizmit për parandalimin e tyre në të ardhmen.
  3. Heqja e të a.q. “kontroll i brendshëm” në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe zëvendësimi me kontroll të jashtëm, që do të merrej me rastet e brutalitetit policor.
  4. Krijimi i mekanizmit për pengimin e diskriminimit ekonomik. Përveç ndonjë mekanizmi të veçantë të vendimmarrjes në nivel të pushtetit qendror, kjo do të mund të bëhej edhe përmes asaj që sa më shumë prej tatimit të mbledhur të mbetet ose të kthehet në komunat ku është mbledhur.

Saktësisht se çfarë reformash do të duhet të ndërmerren, kjo do të duhet të jetë objekt i diskutimit dhe konsensusit shoqëror të shqiptarëve dhe daljes me një platformë të mirëfilltë të përbashkët, e jo si ajo të cilën e nënshkruan tre partitë ose koalicionet shqiptare të Maqedonisë në Tiranë. Partitë shqiptare duhet t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të punojnë së bashku për arritjen e barazisë për shqiptarët, e jo si deri më tani, kur njëra parti (ose aktualisht më shumë se një parti) është në qeveri, ndërsa partitë tjera bëjnë opozitarizëm me akuza ndaj partisë shqiptare në qeveri për mosaftësi, moskompetencë ose lëshime ndaj partnerit maqedonas – secila me “rolin” e vet në status quo! Në përpilimin e një platforme të tillë, përveç partive, do të duhej të marrin pjesë edhe profesorë, akademikë, intelektualë dhe njohës tjerë të çështjeve.

Sa i përket ndryshimit të simboleve, edhe ajo do të duhet të jetë kërkesë e shqiptarëve, por këtu më mirë është partitë shqiptare të jenë më të buta për shkak të ndjeshmërisë së maqedonasve për këtë çështje, që thonë se ata nuk kanë shtet tjetër, përveç këtij, prandaj simbolet do të duhet të jenë ato që janë. Nuk është fjala për heqje dorë nga kërkesa për ndryshim të simboleve, por kjo le të jetë çështje që do t’i takojë të ardhmes së afërt, kur të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike dhe, në fakt, do të ketë më shumë mundësi që kjo dhe të ndodhë e jo të jetë temë që do t’i dëmtojë marrëdhëniet ndëretnike dhe simbolet prapë të mbeten të pandryshuara.

Republika e Maqedonisë është një shtet ku në një anë qëndron narrativi i maqedonasve që thonë se ata nuk kanë shtet tjetër, përveç këtij, dhe me atë e arsyetojnë pozitën e tyre dominuese, dhe nga ana tjetër është narrativi i shqiptarëve, që thonë se ata janë në numër të konsiderueshëm dhe autoktonë, andaj duhet të dëgjohet edhe zëri i tyre. Realiteti politik në këtë shtet kryesisht shënohet me përplasjen në mes këtyre dy narrativeve. Gjatë viteve është avancuar në mënyrë të konsiderueshme pozita e shqiptarëve, por ka shumë fusha që mbeten për t’u përmirësuar. Atë që ndoshta nuk e kuptojnë subjektet maqedonase është fakti se pikërisht ky përmirësim e forcon unitetin shoqëror dhe perspektivën e gjithmbarshme.

Postime të Ngjajshme