` . Republika e Maqedonisë së Veriut ka apo ka nevojë për një lider të ri politik?! - TV-SHENJA

Republika e Maqedonisë së Veriut ka apo ka nevojë për një lider të ri politik?!

Urimet e orkestruara nga SHBA-ja, komisari Han e Mogerini, si dhe Sekretari i NATO-s, Stotelberg, ishin diçka që pritje. Por, ajo që shqetësoj popullatën maqedonase ishte vërshimi i urimeve nga krerët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe mungesa e atyre nga blloku sllavo-ortodoks, veçanërisht nga Serbia

Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Drama, tanimë disavjeçare, e njohur si çështja e emrit të Republikës së Maqedonisë mori epilogun e vet. Me miratimin e amendamenteve kushtetuese dhe ligjit kushtetues, shumë shpejt edhe me ratifikim të marrëveshjes në parlamentin grek, emri i ri i shtetit do të jetë, “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Ky moment i ndau sërish qytetarët e Maqedonisë mbi baza etnike. Përderisa shqiptarët u entuziazmuan e u gëzuan, maqedonasit u dëshpëruan, së paku pjesa dërmuese e tyre, përjashtuar zyrtarët e lartë të pushtetit, më konkretisht kryeministri Zoran Zaev. Ai u mundua të shprehë një eufori dhe gëzim, por nuk gjeti përkrahje as nga bashkëpunëtorët e ngushtë, e lëre më nga popullata e gjerë. Se ishte kështu më së miri shihet nga postimet që u bënë në natën pas miratimit të amendamenteve. Zaevi u pa të festonte me kreun e BDI-s, Ahmeti, në kabinetin e kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi, në prani edhe të Bujar Osmanin e Ejup Alimit por jo edhe në zyrat e veta. Gëzimi u shfaq në forma të ndryshme, por veçohet Ali Ahmeti dhe funksionarët e lartë të kësaj partie që kënaqësinë e shprehën duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrerëshe .

Gjatë aprovimit të amendamenteve pati një shtyrje ndërmjet partive politike shqiptare në pushtet, BDI-së dhe Besës së Afrim Gashit, në njërën anë, me ato të opozitës shqiptare, të përfaqësuar përmes Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Besës së Bilall Kasamit. Të parët nën entuziazmin e kapjes së rrugës perëndimore të vendit, hoqën dorë nga çdo përpjekje për intervenim në amendamentet sa i përket pozicionimit më të mirë të shqiptarëve në kushtetutë, përkundër atyre në opozitë, që bënë disa pazare të vogla sa për të larë sytë dhe për të treguar se, përskaj se janë pro-perëndimorë, janë edhe pro-shqiptarë.

Urimet e orkestruara nga SHBA-ja, komisari Han e Mogerini, si dhe Sekretari i NATO-s, Stotelberg, ishin diçka që pritje. Por, ajo që shqetësoj popullatën maqedonase ishte vërshimi i urimeve nga krerët politikë të Kosovës dhe Shqipërisë dhe mungesa e atyre nga blloku sllavo-ortodoks, veçanërisht nga Serbia. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, me anë të një letre publike i përgëzoi qytetarët e këtij vendi, duke përkujtuar se me këtë akt filloi korrigjimi i gabimit 100-vjeçar që iu bë regjionit me Traktatin e Versajës pas Luftës së Parë Botërore. Se çka u përmirësua nga ky traktat në favor të shqiptarëve nuk u tha, por u potencua se Maqedonia përfundimisht është futur në binarët e Perëndimit, gjegjësisht të integrimeve euroatlantike dhe është shqepur nga kthetrat e ndikimit rus.

Ekzaltimi i shqiptarëve dhe dëshpërimi i maqedonasve zuri kulmin kur u kuptua se është shpallë Ligji për përdorimin e gjuhëve të komuniteteve që nuk janë shumicë, kurse në popull promovohet si ligji për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, kjo vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferi. Për këtë ndarje të ndjenjave mbi baza etnike ndikoi refuzimi i kryetarit të shtetit. Gjorge Ivanov, që ta nënshkruajë atë edhe pse është i detyruar sipas kushtetutës, sepse ky ligj – në bazë të rregullave në fuqi – u votua tri herë në Parlament. Refuzimi për një vjet të plotë, që maqedonasve ua ruante iluzionin se ndoshta edhe nuk do të hyjë kurrë në fuqi, përfundoi me veprimin e kryetarit të Parlamentit, i bëri shqiptarët të ndjehen triumfues në këtë luftë nervash.

Akti, si i tillë, sikur shënoi fillimin e lojës parazgjedhore për kryetar shteti, që pritet të mbahen në prill ose maj të vitit 2019, por nuk është çudi që, bashkë me to, të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare. BDI-ja dhe VMRO-DPMNE-ja sërish e luajnë tangon e tyre të radhës, që e kanë lozur vite me radhë. Njëra afirmon, promovon dhe aktualizon në forma të ndryshme, kurse tjetra kundërshton, me ngritjen e aktakuzave për kryetarin e Parlamentit Xhaferi, zëvendëssekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e ndërmarrjes publike si përgjegjës në shpalljen e “Gazetës zyrtare”, por edhe me ngritje të iniciativës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit.

Tangoja parazgjedhore mund të ketë pasojë afatgjate, bile mund të jetë edhe e rrezikshme për marrëdhëniet ndëretnike, pasi që ajo flet për një mentalitet të çuditshëm që dominon në kampin maqedonas. Për çka bëhet fjalë? Duhet të jetë shqetësues reagimi i partisë më të madhe opozitare, por më brengosëse është heshtja e intelektualë, që veten e promovonin për liberal, kundër regjimit, dhe deklaronin se janë për një bashkëjetesë ose për një shoqëri të përbashkët. Mungesa e një autoriteti politik maqedonas, që publikut të vet t’ua thotë të vërtetën në sy është një shqetësim shtesë sa edhe memoria e dobët shqiptarëve nga e kaluara, kur janë ballafaquar me situata të ngjashme.

Nga vjen shqetësimi? Një reagim arrogant dhe fyes i profesor Daniel Fërçkovskit, që shqiptarët e “simpatizojnë” e njohin dhe pranojnë si të “moderuar dhe intelektual”, kundër iniciativës së partive opozitare shqiptare për përmirësimin e amendamenteve kushtetuese vetëm sa vërteton se pretendimet hegjemoniste të maqedonasve nuk janë shuar. Një tjetër promotorë i së djathtës “moderne” ose përfaqësues i krahut reformator të VMRO-DPMNE-së dhe “pro perëndimore”, si Jovan Kekenovski, është bartës i iniciativës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve të komuniteteve që nuk janë shumicë. Kjo flet sa larg janë intelektualët, e lëre më popullatën e thjeshtë, për ta pranuar dhe vënë në funksion parullën e bashkëjetesës përmes një shoqërie të përbashkët. Kësaj liste mund t’i shtohen edhe emrat e shumë gazetarëve, opinionistëve e biznesmenëve që mbajnë e njohin për të moderuar dhe pro-perëndimorë.

Shqetësimi tjetër vjen nga mungesa e memories te një pjese e intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë, që harrojnë ose nuk mund të dallojnë kush është vërtet për bashkëjetesë, për vlera evropiane dhe kush është patriot, nacionalist e modernist dhe properëndimor profesional. Më saktë, kush jeton me këto bindje e kush luan për para një nga këto role dhe i manipulon të tjerët për nevoja ditore të konjukturave politike. Sa shpejt harruan shqiptarët se kush ishin arkitektët e kushtetutës së vitit 1991, që u bë shkak për konfliktin e vitit 2001? Kush e bëri privatizimin e pronës shoqërore e shtetërore me të cilën u përjashtuan shqiptarët në ndarjen e saj? Kush e bëri Bit Pazarin, Radolishtën, Gostivarin dhe kush e shpalli për të vdekur Universitetin e Tetovës në themelim? Kush lavdërohej se me intervenimin që i bën Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, gjatë implementimit në norma kushtetuese, maqedonasit dhe gjuha e tyre janë shtetëformuese, kurse shqiptarët janë të rangut të dytë me gjuhën e një populli 20%? Kush lavdërohej se Kisha Maqedonase ka status të posaçëm, që e dallon nga bashkësitë e tjera fetare? Të gjitha këto u harruan, madje atyre u caktuan vend kryesor në nasihatet politike për modernizimin e këtij vendi, bile njeri prej tyre shihet edhe si kandidat potencial për kryetar shteti, që mund të zgjidhet me konsensus. A nuk ishin mu këta që e sabotuan vullnetin për të hyrë më thellë në ndryshimet kushtetues, me çka do të mbyllej përfundimisht çështja e zyrtarizmit të gjuhës shqipe dhe pozitës së shqiptarëve në vend? Të ndikuar mu nga këta, përskaj përmirësimeve të vogla që ndodhën me kërkesë të partive politike opozitare shqiptare, mangësitë që mbetën do ta ushqejnë opinion publik dhe do t’i mbajnë gjallë polarizimet ndëretnike dhe do ta mbajnë peng procesin e stabilizimit të shtetit.

Çka u duhet maqedonasve dhe shqiptarëve? Atyre “u duhet një Vuçiq”, që ka guximin t’u thotë serbëve: “Nëse nuk doni që shqiptarët t’ua marrin Nishin, duhet të bëheni gati sot për marrëveshje historike me shqiptarët!”, që ka guximin të thotë: “Molim vas Priŝtino (shqiptarë), ukinite nam carinske mere!”, (“Ju lutem Prishtinë (shqiptarë) tërhiqni masat doganore”; “Molim vas Evropo vrsite veči pritisak prema albancima da ukine mere carine” (“Ju lutem Evropë, bëni presion më të madh shqiptarëve që t’i tërheqin masat doganore”). Këto deklarata i bëri disa ditë pasi ia shtroi qilimin e kuq Putinit në Beograd, kur mbi 100.000 njerëz dolën në rrugë për ta përshëndetur, me shpresë se do t’i përkrah në rastin e Kosovës. Një ish bashkëluftëtar i Sheshelit gjen forcë që të përdorë fjalët “molim vas albanci” (“ju lutem shqiptarë”)! Sado që mund të jetë edhe ironi edhe trik politik e diplomatik, megjithatë këto fjalë zbulojnë se në nënvetëdijen e tij ekziston një shqetësim serioz. Ai duket se e ka kuptuar se shqiptarët tani dhe në të ardhmen do të jenë faktorë demografik, ekonomik e gjeopolitik, pa të cilët nuk do të mund të parashihet as paqja e as stabiliteti politik e ekonomik.

Çka i duhet Maqedonisë? Kujtoj se Maqedonisë i nevojitet një lider me më shumë përkrahje, që do t’ia thotë në sy të vërtetën popullit të vet. Ai duhet në të njëjtën kohë t’i pyes dhe të japë përgjigje: “Nëse nesër duan të keni shtet, sot duhet të keni marrëveshje historike me shqiptarët”. Ai duhet t’ua përkujtojë maqedonasve: “Mos harroni, Maqedonia (maqedonasit) nuk i mbajnë në shpinë shqiptarët, por shqiptarët e mbajnë në shpinë Maqedoninë (maqedonasit)”. Shqiptarët e mbajnë gjallë jo vetëm stabilitetin politik dhe të sigurisë, por edhe atë ekonomik të këtij vendi. Me diku afër një miliardë euro remitenca, ata i paguajnë banesat e tyre nga 50.000 euro, të cilat maqedonasit i kanë marrë për 1.000-3.000 euro gjatë privatizimit. Shqiptarët blejnë nga 250 euro për metër katrorë truallin ndërtimor në Butel I dhe II të Shkupit, atë truall që ata e kanë marrë për 1 euro për metër katror. Shqiptarët i bëjnë këto transaksionet nëpër banka, të cilat në pjesën më të madhe i posedojnë maqedonasit (asnjë bankë nuk ka shqiptare) që në vit bëjnë fitim të paraqitur mbi 140 milionë euro. Shqiptarët edhe sot e kësaj dite për kokë banori harxhojnë shumë më pak para për arsim fillor, të mesëm e të lartë, në krahasim me shkollat ku mësojnë maqedonasit. Ata gjithashtu harxhojnë shumë më pak për kokë banori në shëndetësi primare, në mësim parashkollor, kurse nuk janë të përfshirë as në administratë shtetërore në përqindjen e nevojshme e le më në degët më profitabile, si energjetikë, telekomunikacion, sistemin bankar e grosistë, ku qarkullohen para të përbashkëta me provizione të majme.

Po, mund të ketë dikush nga rruga e famshme “Plastiçarska” ose në tezgat e Bit Pazarit që nuk paguan tatimet e nevojshme (që nuk e përkrah), por ato janë abuzime minore (fundja, çdo shtet këta i përdorë për të blerë qetësi sociale) në krahasim me ato që bëjnë bankat, grosistët, kompanitë që merren me shitblerjen e energjisë dhe shërbimet në telekomunikacion ose edhe në krahasim me atë se sa u kthehen nga buxheti i përbashkët në formë të shërbimeve publike.

Besoj se nëse kjo u thuhet hapur nga një lider, që vjen nga gjiri i vet, nuk do të diskutohej sa mjete shtesë duhet ndarë në buxhet për përdorimin e gjuhës shqipe. Ekziston një lider si kryeministri Zoran Zaev, që duket se ka edhe guximin edhe vullnetin për t’ua thënë këtë, por nuk e ka popullaritetin e nevojshëm brenda kampit politik maqedonas dhe as nuk ka përkrahje nga bashkëpunëtorët e tij për një paraqitje të tillë. Opozita, VMRO-DPMNE, si e djathtë që veten e quan shtetëformuese (po si Vuçiqi), në vend se ta marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të rënda shtetërore, ajo i kthehet këngës së vjetër. Me gjasë, gjithë fushatën parazgjedhore do ta bazojë në kundërshtimin e përdorimit të gjuhës shqipe si rrezik për shtetin dhe identitetin e tyre etnik. Nëse kështu do të zhvillohen gjërat, do të mbetet pyetja: “A ka apo ka nevojë për lider të ri politik Republika e Maqedonisë së Veriut?!”.