` . REPLIKË - TV-SHENJA

REPLIKË

(tekstit në Portalb “Gjashtë mësime nga zgjedhjet lokale 2017” që në fakt janë “jo-mësime” shikuar në kontekst politik, moral dhe kombëtar).

1.“Përfundimisht duhet bërë dallim mes politikës dhe identitetit kombëtar ose fetar”. Detyra parësore e partive shqiptare në Maqedoninë diskriminuese është çështja e avansimit të kombit që përfaqësojnë, kombit që i voton partitë.

“Partitë politike janë grupe të organizuara që kanë për qëllim ardhjen në pushtet”.

!?

Kësaj i përgjigjet më mirë Salajdin Salihu në fjalinë hyrëse të kolumnës “Shteti normal” që nis, ashtu si edhe vazhdon dhe përfundon, me margaritar: “Dua të jetoj në një shtet ku politika nuk konceptohet vetëm si luftë për pushtet”.

  1. “Mësimi tjetër i rëndësishëm është të ruhet gjakftohtësia dhe të mos përdoren fjalë të mëdha, ofenduese dhe tërësisht negative ndaj kundërshtarëve politikë. Këto zgjedhje na mësuan se partitë politike për interesa të ndryshme mund të koalicionojnë me kë të duan dhe si të duan”.

!?

Vetëm partitë e çfytyruara politike mund të koalicionojnë me kë t’u mteket. A ti lusim banorët e Lubotenit që për foton ku janë bashkë, në fushatë parazgjedhore, Lube Boshkovski dhe prefektja e re-e vjetër e Tetovës, të mos përdorin “fjalë të mëdha, ofenduese dhe tërësisht negative”? Unë nuk marr guximin t’ua them këtë, as lubotenasëve as shqiptarëve në përgjithësi.

  1. “Në këto zgjedhje kishte një leksion specifik që erdhi drejtpërdrejtë nga Gostivari dhe quhet “Leksioni Bejta”.

Gostivari është qyteti i vetëm që dha provimin në këto zgjedhje por jo për arsyen që përmendet në tekst. Për mësim prioritar e konsideroj faktin që banorët e tij, anise e kishin prefektin më punëtor shqiptar, sërisht votuan kandidatin konsensualisht më të mirë politik të këtyre zgjedhjeve Arben Taravarin, neurologun europian, mjekun e jokorruptuar, njeriun e urtë dhe modest. I to je to.

  1. Lexoni vetë, që mos zgjatem këtu, “mësimin” për Selën.

Zgjedhjet lokale anise janë për çështje komunale në shtet jonormal në fakt janë referendum nacional. Nëse nuk janë atëherë përse kryetari i partisë që mbrohet në tekstin e apostrofuar doli në bilborde dhe mitingje hiç pa qenë kandidat për prefekt!? Ose pa qenë kandidat për anëtar të Këshillit komunalJ

Te pika nr 4 përmenden edhe votat shqiptare për LSDM-në në zgjedhjet 2016.

Ato ishin vota për përmbysjen e regjimit (anise personalisht nuk votoj për partinë e kryesuar nga njeriu që nuk i tejkalon përmasat e menaxherit lokal).

Nga ana tjetër, votat maqedonase për kandidatët e BDI-së nuk ishin zë qytetarie, por ishin vota kundër opozitës së bashkuar shqiptare e cila si e patestuar, teoretikisht është e pamanipulueshme dhe perceptohet si rrezikim i dominimit të deritanishëm maqedonas me amin të përfaqësuesëve shqiptarë të zënë ngushtë. Përse të zënë ngushtë? Për shumë arsye që më vjen mërzi t’i elaboroj, zaten i dini edhe vetë, i dinë edhe fëmijët e politizuar.

  1. “Në komuna të caktuara qytetarët zgjodhën persona më të moderuar edhe përkrah akuzave për sjellje kriminale në të kaluarën”. Për profesoreshën që arsimon të rinjtë, personat e akuzuar për kriminalitet cilësohen si të moderuar.

!?

Qytetarët, thuhet më tej në tekst, “po bëhen më pak tolerantë ndaj nacionalizmit bile edhe krahas dyshimeve të mundshme për kriminalitet. Dhe për këtë gjë nuk mund të fajësohet qytetari…fundja, qytetari nuk është gjykatës, ai vendos vetëm për përfaqësuesin e tij”.

!!?

Qytetari është gjykatës suprem në kutinë e votimit.

Qytetari i cili beson në politikën pa hajni dhe moralin publik as në ëndërr nuk rrethon përfaqësues të dyshuar për kriminalitet!!

(nesër: Si e bënte Tahiri politikën.

P.s po, këtë muaj do të shoqërohemi për çdo ditë. Pak e zametshme për mua, ndoshta bëhet edhe për ju, por ta provojmë njëherë. E kam pasur ëndërr, prej mooti…)

Postime të Ngjajshme