` . REKRUTIMI “I HESHTUR” - TV-SHENJA

REKRUTIMI “I HESHTUR”

“U treta dhe rrodha / përrenjve, lumenjve, deteve / Tani jam këtu pa veten, i hidhur / si t’i kthehem burimit tim?” Mak Dizdar”

Ismail Bardhi

Njeriu nuk është qenie e vetëmjaftueshme. Gjithmonë dhe në çdo vend njeriu e jeton jetën e tij në bashkësi me pjesëtarët e tjerë të llojit të vet. Edhe Aristoteli thoshte se jashtë bashkësisë njeriu nuk është ajo që është dhe nuk mund të mbijetojë, jashtë shoqërisë mbijetojnë egërsirat dhe zotat e pavdekshëm. Që nga lindja e tij, ambienti social i vulos në ndërgjegjen e njeriut gjurmët e veta, dhe të gjithë jemi “të burgosur” të kohës dhe hapësirës në të cilën ndodh ekzistenca jonë. Ekzistenca jonë e përbashkët me njerëzit e tjerë i ndërton institucionet, të cilat, me pushtetin e vet, japin tablonë për ne, i japin kuptimet e veta për domethëniet e jetës njerëzore, pozitës së tij dhe rolit në botë (shteti, kombi, familja, bashkësia fetare, etj.). Zakonet që i gjejmë duke e parë dritën e kësaj bote me të madhe e orientojnë jetën tonë; zakoni e bart porosinë e klishesë të sjelljes sonë dhe kërkon respektimin e rregullave të veta. Prandaj, njeriu veten nuk mund ta takojë duke ardhur nga jashtë, “nuk mund ta takojë kurrë veten ashtu siç e takon Tokën dhe Qiellin, shkëmbinjtë, bimët, kafshët në fushën e botës që e rrethon” (Fink).

Me siguri nuk është e mundur që njeriu të jetojë i izoluar, edhe nga rrethanat që paraqiten, e sidomos kur në emër të tij bëhet përpjekje që atij t’i shkaktohet dëmi më i madh. Këtë “problem” e shohim në një formë tepër “naive”, tepër “paradoksale”, tepër “të rrezikshme”, kur shohim se Islami dhe muslimanë akuzohen për gjëra që vetë kjo fe i kundërshton kategorikisht, e ai është terrorizmi koflargtupari. Ky terrorizëm i ka kapërcyer përmasat racionale, sepse në vend që të ndëshkohet terrorizmi janë duke u ndëshkuar muslimanët e pafajshëm, të sinqertë, pa marrë parasysh naivitetin e tyre; i vogël e i madh pa nevojë jemi duke ndjerë një lloj faji. Sa turp është që vetëm për shkak se disa mercenarë ulërijnë “Allahu Ekber” – ja të gjithë muslimanët janë terroristë; vetëm për arsye se kanë mjekra/lesh në fytyrë, e fustan të bardhë – ja të gjithë janë terroristë. Njeriu kështu “juve” ju kupton dhe “ju” nuk jeni duke bërë asgjë që të tregoni se çfarë do të thotë kjo, që është larg çdo gjëje. Më lejoni t’ju them se ne ju kuptojmë, por edhe se nuk ju kuptojmë! Më lejoni t’ju them se jeni duke na mashtruar. Ne nuk dimë asgjë; ne këtë e kuptojmë se ju shejtanin na e paraqisni si engjëll, e engjëllin si shejtan. Çfarë kërkoni ju, pra ju që nuk ju kuptojmë se kush jeni, sepse nuk e tregoni as emrin e as mbiemrin, e që shkoni aq larg sa që i shfrytëzoni edhe mendjet e pastra të njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, për t’i “mbrojtur” tezat tuaja të tmerrshme që nuk janë asgjë, veçse forcë për të robëruar dhe shkatërruar qetësinë e njeriut, dhe për ta izoluar atë nga shoqëria? Me zor jeni duke na e imputuar ndjenjën e mëkatit “të lindur”.

Dje pata një bisedë me një gazetare, e cila kishte prirje për profesionin që e ushtronte, dhe të cilës i interesonte ta plotësonte një program dhe ta zbulonte një të vërtetë, ndonëse të hidhur – por që sipas saj ishte realitet. Fjala ishte për rekrutimin e të rinjve për në Siri. Me nxitim i thashë: çka flet, ç’është kjo pyetje e harxhuar; si mund ta mbështesësh gazetarinë tënde mbi diçka që është “e parëndësishme”. Pa më lënë të përfundoj më tha se është e vërtetë dhe se nuk bëhet fjalë për numër të vogël, por për një numër të madh të rinjsh, sepse ka grupime këtu që i rekrutojnë dhe i dërgojnë ata atje. Natyrisht që kjo më shqetësoi, dhe nuk munda të besoj se një gjë të tillë mund ta bëjnë “mercenarët” muslimanë, që nuk kanë iman, turp e as përgjegjësi fetare, njerëzore e familjare. Habia u shtua kur ajo më tha se nëse i zbulon emrat e tyre, ata i janë kërcënuar se do ta “fshijnë”. E tmerrshme! Nuk më mbeti gjë, përpos t’i them se kjo dukuri nuk mund të ndodhë pa përkrahjen nga shërbimet e aparatit shtetëror, sepse i tejkalon përmasat organizative të rrugës. Unë gjithmonë kam qenë i mendimit, dhe do të vazhdoj ta kem këtë mendim, se çdo dhunë ilegale për mua ka qenë dhe është terror i gjallë dhe i rrezikshëm, pavarësisht kush e kryen apo e nxit atë. Për këtë kemi qenë dëshmitarë si në kohën e ish-Jugosllavisë, ashtu edhe në vitin 2001. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë fajtorë kujdestarë, dhe mashë në duart e të tjerëve kurdo që ka qenë e nevojshme të shkaktohet ndonjë “incident”.

Kur them se nuk është e mundur që pa përkrahjen e aparatit shtetëror të ndodh diçka e këtillë, do t’jua jap dy shembuj: njëri ndodhi në vitin 2005, kur në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup ishte mbledhur Kuvendi i BFI-së për zgjidhjen e çështjes së Muftinisë së Shkupit (e cila ishte në duar të as(çdo)kujt). Unë si përgjegjës i fakultetit asokohe kisha kërkuar me shkrim nga Ministria e Punëve të Brendshme që të sigurohej kjo mbledhje dhe ata dërguan dy policë. Por, imagjinoni se çfarë ndodhi: mu në kohën kur është dashur që të jenë aty, policët largohen dhe në ndërtesën e fakultetit futen disa bastardë të armatosur me dhe pa mjekra, i shtrijnë kuvendarët për toke, shkrepin disa herë me armë dhe e ndërpresin mbledhjen. Për këtë çështje iu drejtova me shkrim kryeministrit të atëhershme Vlado Buçkovski dhe ministrit të brendshëm. Dhe çfarë ndodhi: ata dërguan dy policë të rëndomtë që t’i fotografojnë gjurmët e plumbave. Kush duhet fajësuar për këtë?! Rasti tjetër ishte ekzekutimi i gjashtë pakistanezëve që kishin “hyrë ilegalisht të armatosur” në territorin e Maqedonisë. Kjo ndodhi kur ministër i brendshëm ishte Lube Boshkovski. Faktikisht, ishte e qartë se kjo s’kishte të bënte fare me realitetin, por se ata kishin qenë refugjatë që kishin dëshiruar të kalonin në Perëndim për një jetë më të mirë. E të mos flas për aferat e fundit me gjykime të montuara, për çka njerëzit janë duke u tretur nëpër burgje të pafajshëm (Sopoti, Monstra…). E gjithë kjo është vetëm dëshmi se asgjë nuk ndodh rastësisht. Pra, edhe “rekrutimet” nuk ndodhin rastësisht, por ato së pari janë tradhti fetare dhe familjare, e pse jo edhe kombëtare.

Ne në Ballkan kemi qenë dëshmitarë të një gjëje të tillë: pamë “patriotë” të ilegalitetit dhe mashtrues të ilegalitetit, që dita-ditës janë duke u zbuluar dhe demaskuar edhe nga vetë ata. Ju e shihni se figurat politike nuk dinë të flasin, për shkak se sfondet i kanë të ngjyrosura me ngjyrën e padrejtësisë dhe kriminalitetit. Për këtë arsye kryeministrat “tanë” na burgosen nëpër aeroportet e botës dhe janë me fletë-arreste. Ne nuk kemi mundësi ta bëjmë ndarjen e rekrutimit nga kokat e ilegalitetit, sepse edhe ai me sa duket është i mbështetur mbi atë mendësi. Edhe “të rinjtë” tanë, Zoti i shpëtoftë nga kjo krizë, me gjasë nuk shkojnë atje për arsye të bindjeve ose kërkesës që ka qenë dhe mbetet më e shenjtë, e që askush nuk mund ta pengojë, e ajo është ta mbrosh identitetin njerëzor, “lirinë” njerëzore; ta mbrosh loken, nënën, fëmijën që dita-ditës shohim se nëpër çfarë trishtimesh kalojnë, por si duket për interesa personale, qoftë të tyre, qoftë të atyre që i dërgojnë edhe për shkak të krizës ekonomike e kulturore në shtetin tonë. Thirrja për ta mbrojtur dinjitetin njerëzor ka qenë thirrje e përhershme e shpalljeve hyjnore, i pëlqeu kjo politikës ose jo; i pëlqeu kjo strategjive të ndryshme ose jo. Është kjo një çështje që nuk ka të bëjë fare me besimin.

Është e vërtetë se punët janë shumë të përziera apo koklavitura; janë bërë tamam si “lesh arapi”, por ne nuk kemi luajtur mendsh që të pyesim se kush janë ata që organizojnë rekrutime të tilla? Kush ishin ata që i përkrahën gadafizmin, sadamizmin etj.?! Ishin pikërisht ata që sot mundohen me plot mashtrime ta luftojnë një terrorizëm, një rekruti(zë)m që i kapërcen përmasat e racionales dhe që fare nuk ka sukses, ngaqë dita-ditës tmerret e tyre na tmerrojnë neve. Pse injorohet çështja shumë e rëndësishme se kush është duke u ndëshkuar më tepër nga ky lloj “lufte”? Pa dyshim se janë muslimanët e pafajshëm dhe atë më shumë se një miliardë muslimanë; për hir të “leshatakëve” dhe “ekberistëve” që fare nuk kanë as din e as iman, të ndëshkohen besimtarët e sinqertë!? A nuk është ky tmerr. Sa çështje e thjeshtë bëhet kjo nëse pak i ktheheni arsyes, mendjes; së paku kthejuni fjalorëve botërore dhe ata t’i quani terroristë – dhe kaq; ngaqë ata nuk kanë as komb e as fe. Por ju ja çka bëtë: çrregulluat gjithçka, saqë nuk mund ta kuptoni as veten, ngaqë nuk mundeni ta kontrolloni mendjen e cila mbështetet mbi gënjeshtër, e gënjeshtra vetë ndryshon dhe i ndryshon edhe gjërat. Kurse e vërteta është një, ngado që ta ktheni – terror. Po të ishte emëruar terrori me emrin e duhur, do të mund t’i kishim kuptuar edhe këto organizime në formën e rekrutimeve të çuditshme. Edhe ju edhe ne do të shpëtonim.

Edhe një herë, a nuk është e çuditshme të sillen vërdallë në një kryeqytet si Shkupi banda që “rekrutojnë”, e këtë të mos e dijë aparati shtetëror. Për këtë kemi edhe një dëshmi tjetër, fjalën se: “ata i dërgojnë atje dhe pastaj nuk kanë të drejtë të kthehen në vendin e vet, sepse burgosen”. Çfarë paradoksi! Kjo është tamam një organizim me mbështetje të madhe nga organet shtetërore; sepse në vend të kërcënimit të tillë do të ishte shumë më e qëlluar sikur shteti në mënyrë shumë serioze t’iu mundësojë atyre të kthehen sa më shpejtë dhe të largohen nga demonizmi i “atyre” që i kanë dërguar atje, ngaqë këta të shkretët ndoshta edhe pa vetëdije janë futur në atë lojën më të rrezikshme që Pejgamberi a.s. moti e ka shprehur me fjalë: “Edhe katili (vrasësi) edhe maktuli (i vrari) janë në xhehennem”.

Më gëzon fakti që institucioni fetar, pa marrë parasysh dobësitë e mëdha që i ka, çdo herë ka pasur një qëndrim të prerë si kundër terrorizmit ashtu edhe kundër rekrutimit për qëllime të tilla, edhe pse për fat të keq në disa raste e ka shfrytëzuar këtë mendësi të fëlliqur për qëllime të veta. Por, kjo çështje është dashur të theksohet qysh më herët, që besimtarët të jenë të përgatitur dhe të mos lejojnë diçka të tillë, sipas asaj se është më mirë të parandalohet sesa të shërohet. Për hir të së vërtetës duhet përmendur edhe kjo se një kohë të gjatë në mesin tonë po sillet vërdallë lloji i fetvaxhinjve të cilëve nuk iu dihet as fillimi e as mbarimi e që lëshojnë fetva private; kujt i teket flet ashtu siç i pëlqen çastit. Kjo është dëshmi se “hoxhallarë” të tillë dita-ditës vetëm janë shtuar, të cilët teologjinë e tyre e mbështesin vetëm në “njohjen” e gjuhës arabe, por me sa duket më shumë mbi mbështetjen arabe: faktikisht jo aq shumë në emër të Zotit, por në emër të dinarit. Ku keni parë ju hoxhallarë të thonë: kjo është xhamia jonë, ky është medhhebi jonë, ky është stili jonë. Këtë nuk e bëjnë as munafikët, e as dinsëzët. A nuk i vjen kësaj një erë e keqe? Tamam majmunllëk.

Shyqyr Zotit që Feja e Tij është e Tij dhe mbetet e tillë, si shpëtim dhe thirrje e përhershme për shpëtim dhe përmirësim; pa marrë parasysh “interpretimet” e ndryshme, si ato qëllimmira ashtu edhe qëllimkëqija, ajo është e përhershme dhe e pastër dhe sjell shpëtimin dhe pastrimin e zemrës, mendjes dhe shoqërisë. Ja e shohim edhe këtë luftë që është duke iu bërë asaj së fundmi nga politika, kur pandërprerë gazetarë dhe analistë të ndryshëm akuzojnë se Islami është fe politike. Jo, ai nuk ka qenë dhe nuk është i tillë, dhe as që i ka interesuar politika, e sidomos kjo “politikë” që është duke mbizotëruar me botën, që i ka kapërcyer përmasat e shejtanit – ama fare nuk i duhet Islamit, edhe pse Islamit in interesojnë politikanët, si qenie njerëzore. Islami dhe muslimanët duhet patjetër të bashkohen, por jo vetëm, duhet të bashkohen edhe kisha dhe xhamia dhe t’ua ndërpresin hovin këtyre shejtanëve me fytyrë e pa fytyrë. Politika e sotme e korporatave është duke e krijuar terrorizmin dhe duke e shkatërruar njeriun dhe natyrshmërinë e tij – ajo e ka marrë njeriun peng; asnjëherë njeriu nuk ka qenë më i rrezikuar se sot; politika është duke e ndarë njeriun nga njeriu; politika e sotme është duke shkuar aq larg saqë edhe në emër të së kaluarës përpiqet ta ndëshkojë të sotmen; politika nuk është duke lejuar as përmirësimin, as pendimin e as rregullimin. Dëshmi për këtë është se ajo është edhe duke e mbështetur krimin dhe duke krijuar frikën si rrezik të përhershëm që e kemi parë në të kaluarën, kurse sa për të ardhmen dijetarët e njohur thonë se nuk kemi një të tillë. Sa e qëlluar ka qenë fjala e Diogenit drejtuar Lekës së Madh: “Nuk dua gjë tjetër, vetëm mos ma zini Diellin”.

Shkup, 03.11.2017

Postime të Ngjajshme