` . Regjimi i Asadit e ka kthyer në rrënojë Gutën Lindore – TV-SHENJA

Regjimi i Asadit e ka kthyer në rrënojë Gutën Lindore

Regjimi i Bashar al-Asadit me sulmet ajrore dhe tokësore ka shkatërruar rajonin e Gutës Lindore të cilën afërsisht prej 5 vitesh e mban nën rrethim ndërsa banorët e rajonit vazhdojnë jetën me shpresë, durim dhe frikë, raporton Anadolu Agency (AA).

Guta Lindore e cila ndodhet në lindje të kryeqytetit Damask të Sirisë që prej 5 vitesh ndodhet nën rrethimin e regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij të cilët vazhdojnë pa ndërprerje sulmet tokësore dhe ajrore në rajonin i cili ndodhet nën kontrollin e opozitarëve.

Rajoni Haresta një nga zonat e Gutës Lindore që nga 14 nëntori 2017 e deri më tani ndodhet në objektivin e sulmeve intensive, ku si pasojë qindra familje për shkak të bombardimeve instensive shpërngulen në zona më të sigurta ndërsa ata që nuk kanë se ku të shkojnë vazhdojnë jetën e tyre nëpër strehimore e bunkerë.

Pavarësisht se forcat e regjimit pretendojnë se në sulmet e tyre ata kanë në objektiv rajonet që “u përkasin terroristëve”, fotot dhe pamjet që vijnë nga rajoni tregojnë hapur se bombardimet kanë në objektiv civilët.

Në foto shihen se shtëpitë në rajon janë shkatërruar dhe se nëpër rrugë vërehen një numër i vogël i civilëve.

Ndalimi i sulmeve për një kohë të shkurtër për shkak të motit me shi, ka bërë që disa fëmijë të shfrytëzojnë rastin dhe të luajnë në mes të rrugëve duke harruar në këtë mënyrë sadopak dhimbjen që lufta ka lënë në trupin e tyre ndërsa disa të tjerë shihen duke dërguar ushqim në shtëpitë e tyre.

Fëmijët e Gutës Lindore thurrin ëndrra për ditët kur lufta do të përfundojë dhe kur ata do të mund të shkojnë në shkollë. Civilët, pavarësisht dhimbjeve që kanë përjetuar në rajonin e shndërruar tashmë në një rrënojë vazhdojnë jetën në mesin e zhurmës së bombave të regjimit dhe lajmeve të personave që humbin jetën.

Rreth 2.700 familje jetojnë në strehimore

Kryetari i këshillit lokal të rajonit Haresta, Husam Bejruti në një deklaratë për AA tha se “Forcat e regjimit duke bombarduar civilët po hakmerren për rajonet ku kanë humbur përballë opozitarëve në tre muajt e fundit. Disa pika të regjimit janë shumë afër me rajonin tonë, për këtë arsye vazhdimisht jemi në objektiv të sulmeve”.

“Forcat e regjimit e kanë shkatërruar rajonin Haresta duke e bombarduar me armë të rënda. Për shkak të sulmeve 2.700 familje jetojnë në strehimore (bunkerë) dhe bodrume”, thekson Bejruti.

Pasi ka vënë në dukje se familjet që jetojnë në strehimore janë në kushte të vështira, Bejruti ka bërë të ditur se shumë familje nuk kanë mundësi të marrin ndihma dhe shërbime shëndetësore.

Ai tha se si rezultat i sulmeve një numër i madh i familjeve kanë braktisur rajonin. “Tre muaj më parë jetonin 3.900 familje, ku rreth 1.200 familje kanë qenë të detyruar të migrojnë në zona të brendshme të vendit”, tha Bejruti.

Gjithashtu ai bëri të ditur se sipas raportit të Këshillit lokal të rajonit për periudhën 14 nëntor 2017 – 7 shkurt 2018 për shkak të sulmeve të regjimit kanë humbur jetën 166 civilë nga të cilët 13 janë fëmijë. Në raport thuhet se afro 10.800 persona jetojnë në bunkerë.

Rajoni Haresta ashtu sikurse rajonet e tjera të Gutës Lindore që prej 5 vitesh ndodhet nën bllokadën e regjimit.

Forcat e regjimit që nga 14 nëntori vazhdojnë bombardimet intensive në Gutën Lindore e cila është një nga zonat për uljen e tensioneve.