` . Reformat në siguri, përplasen ministri me deputetët e LSDM-së - TV-SHENJA

Reformat në siguri, përplasen ministri me deputetët e LSDM-së

Reforma në sferën e sigurisë dhe transformimi i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim në Agjencion për Siguri Nacionale ka përplasur Ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski me deputetët e partisë së njëjtë, Frosina Remenski dhe Muhamed Zeqiri. Në mbledhjen e komisionit amë që u mbajt dje, nga vetë deputetët e LSDM-së u propozuan 91 amendamente, ndërsa në 36 Remenski ishte si e nënshkruar e parë. Një pjesë e amendamenteve u pranuan, por nënkryetarja e Kuvendit ka ngelur e pakënaqur pasi ajo vazhdon të kontestoj edhe më tej dy çështjet kyçe në këtë reforme. Ajo është kundër marrëveshjes mes ministrit Spasovski dhe opozitës që në komisionin për elektim të marin pjesë edhe dy deputet, ndërsa kundërshton edhe shpërndarjen në institucione të tjera të personave të cilët do të vlerësohen si të pasigurt për organet e sigurisë.

Frosina Remenski, LSDM
“Qëndrimi im është se deputetët nuk kanë as të drejtë ligjore dhe as kushtetuese që të marrin pjesë në procedurën për selektimin dhe punësimin në organe të cilat kemi obligim t’i mbikqyrim dhe kjo është një argument shtesë duke patur parasyshë se një nga shtyllat e reformës është depolitizimi dhe departizimi. U propozua dhe u pranua një amendament në të cilin unë do ta thoja se nuk është veting, por jo është një lloj pako sociale për kuadrot e papërshtatshëm, në vend se në agjenci ose ministri të meren në organet e tjera shtetërore, gjeqësisht të vazhdojnë të jenë rrezik sigurie për institucionet e tjera shtetërore”.

Edhe deputeti Muhamed Zeqiri thotë se me këtë reformë nuk arrihet as depolitizimi dhe as dekriminalizimi i organeve të sigurisë. Sipas tij shumë kriminel do të vazhdojnë të jenë aktiv edhe më tej, ose të njëjtit do të veprojnë në administratën shtetërore.

Muhamed Zeqiri, LSDM
“Kjo nuk ka logjikë. DSK ka rreth 800 të punësuar, ndërsa pas transformimit në Agjencion do të ngelin rreth 350. Do të selektohen të punësuarit pas kritere dhe që nuk i plotësojnë kushtet. Ka një tufë kriminelësh në DSK nga koha e VMRO-DPMNE-së si Ninxha dhe kompanija dhe në vend që t’i largojnë, do të gjejnë vend pë rata në administratë”

Deputeti i partisë Alternativa, Rexhep Memedi, tha se në mbledhjen ekomisionit kanë mbështetur reformën pasi bëhet fjalë për ndryshime të rëndësishme në sferën e sigurisë. Dy deputetët që do të jenë pjesë e komisionit për selektim, Memedi thotë se nuk do të kenë të drejtë vote, por vetëm do të mbikqyrin.

Rexhep Memedi, Alternativa
“Deputetët që do të jenë pjesë e komisionit për selektim të punonjësve të cilët do të transferohen nga drejtoria për siguri dhe kundërzbulim tek agjencioni për siguri nacionale, këta deputet do të kenë vetëm rolin mbikqyrës, ndërsa nuk do të kenë të drejtë për të votuar gjatë selektimit të kuadrove”

Deputetja Frosina Remenski tha se amendamentet e njëjta do ti dorëzojë edhe në seancë plenare gjatë votimit përfundimtar të ligjeve nga sfera e sigurisë. Ajo nuk precizoi nëse do të mbështesë këtë reformë ose do të votojë kundër nëse refuzohen amendamentet e saj. Arben Zeqiri /SHENJA/