` . Referenca që dallon Makedoninë nga Maqedonia – TV-SHENJA

Referenca që dallon Makedoninë nga Maqedonia

Shkruan: Alajdin DEMIRI, Shkup   

Ofensiva e fundit e diplomacisë maqedonase dhe greke për ndryshimin e emrit të Republikës së Maqedonisë si duket do të japë rezultate, kjo nga fakti se këto takime janë gjithnjë e më të shpeshta, janë të  drejtpërdrejta dhe me shumë pak prezencë të faktorit ndërkombëtar. Siç duket, vetë aktorët e kontestit janë duke i afruar qëndrimet dhe eliminuar pikat e kontestit, por çka në të vërtetë ndodhë dhe çka duhet të ndryshohet në këtë situatë të re.

Kush prej çka heqë dorë, si do të negociohet dhe çfarë rrjedhoje pritet?! Ka disa fakte të panegociueshme që janë të vërteta absolute, të pandryshueshme, se emri Maqedoni është emri i vjetër i Greqisë Antike dhe ekziston edhe sot e kësaj dite në kuadër të Greqisë si krahina e veriut të Greqisë me emër Makedonia dhe me banorë helenë, siç e quajnë ata veten, ose grekë. Banorët e Maqedonisë dhe ata të Greqisë nuk janë të një origjine të përbashkët: nëse në Greqi jetojnë grekët me origjinë nga fisi makedon, kurse në Maqedoni jetojnë maqedonasit me origjinë sllave, si dhe shqiptarët, turqit, vllahët (cincarët) etj., dhe se dilema është nëse kombi maqedonas e merr emrin nga hapësira Maqedoni apo etniteti maqedonas quhet ashtu nga ndjenjat e tyre. Rrjedhimisht, maqedonasit e Maqedonisë janë sllavë nga familja e madhe e popujve sllavë, si serbët, kroatët, rusët etj. Dhe, në kuadër të kësaj logjike maqedonasit nuk e kanë marrë emrin nga Makedonia, por është prodhuar me vonesë. Është kjo vonesë historike e krijimit të kombeve të krijuara nga rrethanat historike, se të gjithë kombet nuk krijohen në të njëjtën kohë, pra disa më herët, disa më vonë, se periudha e Perandorisë Osmane nuk njeh sllavë me emrin maqedonë, por popull të krishterë në këtë hapësirë, mirëpo ekzistojnë edhe disa kryengritje me tendencë të formimit të këtillë, siç është ajo e fundit, e Ilindenit. Fakti se luftërat ballkanike janë bërë për copëtimin e Maqedonisë dhe Shqipërisë nga ana e Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë dhe se kanë përfunduar me një emër të ri të asaj kohe për Maqedoninë, Banovina e Jugut (Juzhna Banovina) ka dëshmuar pretendimet e hapura të Serbisë që ta trajtojë këtë territor si të vetin ose si krahinë të veten. Vonesa historike e këtillë e krijoi Maqedoninë në mbledhjen e ASNOM-it (në mbledhjen e parë të AVNOJ-it nuk ishin prezent), mirëpo në kuadër të Jugosllavisë, koha kur Greqia nuk kishte problem me emrin dhe as me identitetin, sepse ai shtet gjendej në federatë.

Pavarësia e Maqedonisë më 1991 e krijoi problemin e emrit me Greqinë, pra mosnjohjen e Maqedonisë me emrin Republika e Maqedonisë, por jo vetëm nga ana e Greqisë. Gjithashtu edhe faktori ndërkombëtar e njohu ashtu: Kombet e Bashkuara e pranuan veton e Greqisë dhe e pranuan shkurtesën e përkohshme IRJM. Koha nga 1991 deri më sot është orvatje e kthimit të standardeve në vend të tyre, gjë që filloi me ndryshimin e flamurit, sepse “Virgina” nuk ishte maqedonase por antike. Nëse u hoq dorë nga një pengesë dhe afrohej zgjidhja, në skenë u paraqit VMRO-ja e Gruevskit, që filloi largimin nga zgjidhja me antikuizimin e Maqedonisë, duke e stolisur Maqedoninë me skulptura antike, si Leka i Madh, Filipi, Epikuri etj., duke i ndërruar emrat e objekteve (aeroportit) dhe duke krijuar teorinë se Maqedonasit kur kanë ardhur në shek e VII, kanë hasur në popullsi antike dhe janë kryqëzuar dhe pikërisht për këtë arsye ata kanë të drejtë të quhen maqedonas antikë. Ky ishte sinjal i “gërryerjes së zorrëve” të Grekëve dhe largim nga negociatat ose ngrirje e problemit.

Me ardhjen e pushtetit të ri reformator LSDM, BDI dhe ASH, filloi edhe relaksimi i disa marrëdhënieve të ngrira: me Bullgarinë për çështjen e gjuhës dhe kulturës ose të historisë, si dhe kontaktet e shpeshta me Greqinë. Pra, rifillojnë negociatat. Për të qenë të suksesshme, të dyja palët duhet të konstatojnë pse ka kontest, të heqin dorë nga e kaluara e përzier me qëllim dhe ta njohin atë me realitetin aktual dhe të pastruar; të gjendet distinksion mes Maqedonisë antike dhe të sotmes; të distinksionohen maqedonasit antikë dhe ata të sotmit; dhe të gjendet argumenti i ri i pranueshëm për të dyja palët.

Është vështirë ose jo, natyrisht se duhet të vijë esëllimi i të dyja palëve, se antika është një realitet, por edhe e sotmja është realitet, se dallimi i të dyjave është i madh, por duhet të shihet se nuk ka nevojë të arnohesh me arna të huaja dhe mjafton të gjendet zgjidhja.

Metafora e ministrit të Jashtëm Maqedonas Dimitrov, se “ne të dy ministrat e Jashtëm, të Greqisë dhe Maqedonisë, kemi emrin e njëjtë Nikos Koxias dhe Nikolla Dimitrov, pra (Nikos dhe Nikolla)”, si duket ofron ide për zgjidhje se si një emër universal (Nikollaj, Nikolla, Nikos, Nick etj.) mundë të kenë kuptim të njëjtë, por përdorim të ndryshëm, pra për një rus, maqedonas, grek ose anglez.

Zgjidhja më pranueshme dhe reale duhet të gjendet tek distinksioni, prefiksi, sufiksi ose instrumenti që e bën këtë distinksion, prandaj edhe ekziston politika, diplomacia, por edhe historia. Distinksioni është pozitiviteti, i cili nuk e vendos pozicionin e humbësit dhe fituesit, sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë për humbje ose fitore, se nuk ka betejë për fitore, por ka një rishqyrtim të së kaluarës, pra idesë së krijimit të kombit dhe shtetit, që realisht nuk u krijua në të njëjtën kohë, disa më herët e tjerët më vonë dhe se vonesa e këtillë nuk ia rrit ose zvogëlon vlerën e një kombi dhe idenë se fiset dhe grupet e vjetra nuk paraqesin edhe kombe të sotme, se nuk ekziston sot kombi athinas, spartan ose maqedon antikë, por ekziston kujtesa historike se këto fise kanë qenë (polise) shtete të së kaluarës.

Greqia nuk fiton asgjë në statusin e saj si shtet sovran dhe i afirmuar aq sa është nëse e bllokon Maqedoninë si të pavarur dhe sovrane aq sa është, por i humbë tendencat e agresorit të brendshëm ndaj pakicave dhe kjo është prioritet i kohës që ndodhë dhe çështje dite është kurrë do të ndodhë. Maqedonia nuk e fiton të drejtën që Maqedoninë ta kuptojë si shtet i maqedonasve dhe askujt tjetër, por si shtet i gjithë të tjerëve që jetojnë aty, pra i shqiptarëve, turqve, vllahëve etj.

Pozicionimi i mëtejshëm i të dyja palëve në  qëndrimet e deritanishme, e mban peng dhe në pritje Maqedoninë si shtet pa emër me referencë. Koha e kaluar dëshmoi se koha vetvetiu nuk e zgjidh asnjë problem, por duhet guxim politik, moral dhe historik, që gjërat të njihen ashtu si janë, ndoshta me reference që e dallon Makedoninë nga Maqedonia.