` . Rebusi Ballkanik – TV-SHENJA

Rebusi Ballkanik

Shkruan: Latif MUSTAFA

Gjithmonë ka ekzistuar një prirje se Ballkani është një rebus vështirë i zgjidhshëm, që e tejkalon çdo imagjinatë të zgjidhjeve reale politike. Rëndesa dhe sforcimi i argumenteve mitike dhe keqkuptimi politikës shumë-polare botërore kanë qenë dy faktorët kryesorë që e kanë penguar zhvillimin e një botëkuptimi kritik dhe një vizioni rajonal për Ballkanin. Për më tepër, për ta parë gjendjen në Ballkan mjafton që, në miniaturë, ta analizojmë situatën në Maqedoni për ta kuptuar mozaikun e madh ballkanik dhe ekuilibrin e argumenteve mitike dhe real-politikës. Rebusi Ballkanik, qoftë edhe me vështirësi shumë të mëdha, po zgjidhet. Thelbi i një zgjidhjeje të tillë vjen në saje të dekonstruktimit të disa miteve politike të krijuara së voni dhe është rezultat i rikonfirmimit të prezencës së fuqishme politike të shteteve perëndimore.

Ballkani edhe ashtu konsiderohet një strofull mitesh me karakter riciklues dhe fluid, që zhveshin individët dhe turmat nga realiteti drejt gjendjeve fiktive joreale, që zakonisht ndërlidhen me historinë, identitetin dhe memorien kolektive, gjëra këto mbi të cilat edhe ndërtohet rrjedha kryesore e mendimit politik në shtetet e Ballkanit. Në thelbin e këtij miti ka qenë ideja e shteteve të mëdha: në njërën anë, fushata për rrezikun dhe krijimin e një Shqipërie të Madhe dhe, në anën tjetër, përpjekjet maksimale të Serbisë për shndërrimin e Jugosllavisë në një Serbi të madhe, bazuar në mendjelehtësinë e prejardhjes etnike dhe gjuhës së përbashkët sllave. Këto mite fillojnë të dekonstruktohen fuqishëm me ndërhyrjen e fuqive të mëdha në çështjen e Jugosllavisë, duke shkërmoqur çdo argument mbi të “drejtën historike” të secilit popull më vete si legjitime në themelimin e kombeve dhe shteteve në bazë të së drejtës së vetëvendosjes. Thjesht, na u dëshmua krejtësisht e kundërta e sintagmave se “Serbia është fortë” dhe se “Shqiptarët janë të pakontrollueshëm”.

Një mit tjetër me rëndësi, që është në dekonstruktim e sipër, përkundër përpjekje për të mbetur gjallë, është miti i një Rusie që po shtrihet në Ballkan dhe është politikisht aktive në Ballkan. Ndikimi rus në Ballkan, përpos që është një fushatë e zbehtë, shfaqje e impotencës argumentuese politike dhe diskurs për maskimin e dështimeve në politikat lokale të partive të ndryshme politike, është po ashtu pjesë e një fushate të fortë mediesh për imazhin e saj ndryshe. Në anën tjetër, zbulimi i burimeve alternative të energjisë e defaktorizon Rusinë edhe më tepër si gjenerues politikash energjetike dhe fuqi politike globale, mbi të cilën sot e ndërtohet Rusia. Në kuptimin e modelimit politik ndërtimi i ekonomisë shtetërore mbi monopolin e gazit, si resurs i vetëm ekonomik, e rrit potencialin për autoritarizëm dhe kontroll, gjë që vështirë të bëhet model politik për mikroshtetet e Ballkanit.

Miti tjetër me rëndësi është edhe miti i ndikimit turk në Ballkan me sfond të shtrirjes së agjendës islamike, që më parë njihej si neo-osmanizëm dhe, së voni, si erdoganizëm. Tërë politika e jashtme turke deri më tani është ndërtuar në tri koncepte themelore: stabiliteti rajonal, zhvillimi i infrastrukturës lokale dhe shtrirja e investime ekonomike, kryesisht në fushën e biznesit dhe, më pak, në industrinë e rëndë. Mitizimin e ndikimit turk në Ballkan dhe mistifikimin e tij e ka etabluar një fushatë e egër mediumesh, herë kryesisht me projektime orientaliste dhe instrumentalizuese të religjionit për qëllime të veta. Politikat e jashtme turke shpesh paraqiten si politika edhe më të rrezikshme nga ato të Rusisë, duke “harruar” faktin që Turqia është shtetit i dytë në NATO për nga numri i personelit ushtarak, shteti i katërt për nga fuqia ushtarake dhe e shtata në shpenzimet ushtarake përkitazi me përqindjen e GDP-së. Turqia është, po ashtu, pjesë Këshillit për Bashkëpunim Regjional (RCC) dhe Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (SEECP), mekanizma që kanë për qëllim ta ndihmojnë rajonin që të bëhet pjesë e strukturave euro-atlantike. Roli komplementar i zhvillimit të Ballkanit është real, por një rol potencial i kujdestarit politik është imagjinar dhe tejet ambicioz për t’u arritur.

Liderët e rajonalë të Ballkanit tashmë e kanë kuptuar se sovraniteti dhe toka e trashëguar nga historia janë veç mite, mbi të cilat u zhvilluan luftëra të përgjakshme me një kosto të lartë njerëzore dhe ekonomike. Rikuperimi dhe zhvillimi ekonomik është emëruesi i përbashkët i Ballkanit dhe kompetenca e vetme që e gëzojnë liderët, me qëllim që të krijojnë paqe të qëndrueshme dhe afatgjate. Kostoja e një stabilitokracie të tillë mund të jetë shkelja e lirive dhe të drejtave njerëzore, manipulimi dhe ndrydhja e vullneteve politike të komuniteteve joshumicë, ndërrimi i territoreve dhe, eventualisht, zhdukja e ndonjë shteti në Ballkan. Stabilitetin dhe paqen në Ballkan e garanton zhvillimi ekonomik, por edhe cenon prekja dhe kërcënimi ndaj interesave ekonomike të garantuesve dhe sponsorizuesve të këtij stabiliteti.