` . Real Madrid triumfon për të tretin vit radhazi në Champions – TV-SHENJA

Real Madrid triumfon për të tretin vit radhazi në Champions

Reali i Madridit konfirmohet tashmë si legjenda e futbollit europian për klube, teksa triumfoi për herë të tretë radhazi në Ligën e Kampionëve, duke mposhtur Liverpoolin me rezultatin 3-1.

Në një finale spektakolare të luajtur në Kiev, vendimtare për fatin e takimit rezultuan dy supergola të Gareth Bale dhe dy gafa të rënda të portierit gjerman të Liverpoolit, Karius.

Pjesa e parë përfundoi në barazim pa gola, ndërsa do të mbahet mend për lotët e Salah dhe Carvajal, që u dëmtuan dhe u detyruan të lënë fushën e lojës para kohe.

Në fillim të pjesës së dytë, Karius zotëron një top dhe në tentativë për të rinisur aksionin, e përplas atë në këmbët e Benzema, që ishte shumë pranë dhe sheh që topi të përfundojë në rrjetë.

‘The reds’ reagojnë shumë shpejt dhe barazojnë me anë të Sadio Mane, pas një skeme të ekzekutimit të një këndoreje. Pas barazimit, Zidane luan kartën Bale dhe uellsiani nuk zhgënjen, pasi i jep avantazhin madrilenëve vetëm pak minuta pasi shkeli në fushë, me një roveshiatë spektakolare, që përfundoi në trekëndëshin e portës së Liverpoolit.

Liverpool tenton edhe njëherë të barazojë, por pas një aksioni personal, topi i gjuajtur nga Mane përplaset në shtyllën e portës së Keilor Navas.

Vetëm 5 minuta nga fundi i ndeshjes, Bale lëshon një goditje shumë të fortë me të majtën, ndërsa edhe këtë herë Karius gabon në tentativën për ta zotëruar topin dhe sheh t’i rrëshqasë e të përfundojë në rrjetë.