` . Reagon ministrja Carovska: Është keqinterpretuar deklarata ime! - TV-SHENJA

Reagon ministrja Carovska: Është keqinterpretuar deklarata ime!

Ministrja Milla Carovska ka reaguar në lidhje me lajmin se një familjes katër anëtarësh i nevojitet 17 mijë denarë për të kaluar muajin, deklaratë kjo e dhënë për “Detektor”.

Ajo në profilin e saj në fejsbuk ka thënë se titulli është shtrembërim i deklaratës së saj.

Sipas Carovskës, në emisionin nuk ka shprehur qëndrimin e saj, por ka shpërndarë një indikator të publikuar javën e kaluar nga Enti Shtetëror për Statistika.

“Në tekstin më poshtë e ka deklaratën e plotë në të cilën citoj dy burime të cilat publikojnë shumën e nevojshme për të kaluar muajin. Njëri është i sindikatave e tjetri nga statistikat”, ka shkruar Carovska, duke postuar edhe njëherë deklaratën e plotë të saj.

“Juve ju duhen 203.770 denarë në nivel vjetor, një familje katër anëtarësh me dy fëmijë deri në moshën 14 vjeçare. Dhe kjo është pothuajse sa rroga minimale në muaj. Kjo është njëra përllogaritje. Nëse shkojmë me shportën sindikale ajo thotë 32.000 denarë, dhe kjo është dy herë më shumë nga ajo që është përllogaritur këtu. Por  nëse themi jetë kualitative e cila donë të thotë gjithçka që na mungon atëherë mund të shkoj edhe më shumë. Por nuk mund të diskutojmë dhe krijojmë politika në bazë të supozimeve”, ka thënë Carovska për Detektor.