` . Rasti “Monstra”, Mijallkovit nuk i kujtohet asgjë - TV-SHENJA

Rasti “Monstra”, Mijallkovit nuk i kujtohet asgjë

“Nuk më kujtohet”, “Nuk e mbaj mend”, kështu u përgjigj në pothuajse në të gjitha pyetjet si nga prokuroria, poashtu edhe nga pala e akuzuar dhe e mbrojtëse, ish shefi i DSK-së Sasho Mijallkov, i cili po dëshmon për rastin “Monstra”, raporton SHENJA.
Mijallkov tha se ata ata si Drejtori për Siguri dhe Kundërzbulim, kanë pasur për ingerencë që të mbledhin informacione dhe njohuri që kanë pasur të bëjnë me këtë rast. Në bisedën telefonike të zhvilluar më datë 29.01.2013 me ministren e atëhershme të MPB-së Gordana Jankullovskën ku flasin për një analizë të mirë të bërë nga ato dhe i pyetur nga prokurorja e lëndës Fatime Fetai se a e mban mend atë analizë, Mijallkov u përgjigj negativisht. “Nuk mund të kujtohem, por DSK bënë analiza për të gjitha rastet që janë në ingerencë të saj”. Goran Nakevski, babai i njërit prej djemve të vrarë e pyeti Mijallkov a u është treguar deklarata e plotë e dëshmitarit të mbtojtur Haki Azirit, të dhënë në fazën parahetimore të rastit.
“Unë nuk e njoh Haki Azirin. Si fizionomi e kam parë por live jo. Nuk më kujtohet se a ka qenë deklarata e plotë ose jo, kanë kaluar 8 vite”. Në bisedën e zhvilluar përsëri me Jankullovskën më datë 05.12.2012, ku flasin për përfshirje të një personi me emër Shukri Ali, Mijallkov përsëri nuk u kujtua se çfarë kanë biseduar.
“Unë nuk mund të kujtohem, por vetëm mund të paramendoj se mund të kenë qenë informacione që na kanë arritur neve”.
Në pyetjen e avokatit Naser Raufit se përse akuza e të akuzuarëve për këtë rast, është se ata janë “radikal islamist” në çka janë bazuar dhe nga kush u kanë ardhur informacione të tilla. “Zotri avokat, motivet dhe gjithçka tjetër mund të gjeni në akuzën e prokurores së lëndës”. I akuzuarit Fejzi Aziri e pyeti se a kanë punuar kamerat e sigurisë më 12 prill 2012 në Qytetin e Shkupit, ndërkaq dëshmitari i tha që pyetjen duhet parashtruar diku tjetër. “Këtë mund ta vërtetoni në Ministrinë e Punëve të Brendshme”. Ai gjithashtu deklaroi se nuk ka pasur njohuri paraprake se një rast i tillë do të ndodh.
Emine Ismaili /SHENJA/