` . Rangimi i FIFA-s: Maqedonia përparon, Shqipëria dhe Kosova humbin pozitat - TV-SHENJA

Rangimi i FIFA-s: Maqedonia përparon, Shqipëria dhe Kosova humbin pozitat

Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll ka shënuar një ngritje të lartë në rangimin më të ri të FIFA-s të publikuar të enjten, më çka nga vendi i 135-të tani radhitet në vendin e 103-të, raporton Anadolu Agency (AA).

Fitorja në terren mysafir kundër Izraelit me rezultatin 1:0 dhe barazimi me Shqipërinë 1:1 në kuadër të kualifikimeve për Botërorin Rusi 2018, kanë bërë që përfaqësuesja e Maqedonisë e drejtuar nga Igor Angelovski të avancojë dukshëm në tabelën e klasifikimit të FIFA-s duke u ngjitur për 32 vende më lartë dhe aktualisht ka 328 pikë.

Përfaqësuesja e Shqipërisë, në rangimin e fundit të FIFA-s ka shënuar një rënie për tre pozita, përkundër fitores ndaj Lihtenshtajnit me rezultatin 2:0 dhe barazimin me Maqedoninë 1:1.

Të përzgjedhurit e trajnerit Kristian Panuçi aktualisht mbajnë pozitën e 66-të me 551 pikë.

Përfaqësuesje e Kosovës vazhdon të shënojë rënie në klasifikimin e FIFA-s. Aktualisht Kosova mban pozitën e 184-t me gjithsej 67 pikë, që është për katër pozita më poshtë nga klasifikimi nga një muaj më parë.

Nga vendet e rajonit, ato të Ballkanit Perëndimor, Kroacia vazhdon të jetë përfaqësuesja më e suksesshme, përkundër rënies për dy pozita.

Kroatët tani janë në pozitën e 18-të me 1.007 pikë. Serbia bëri një përparim të madh prej 10 vende dhe aktualisht zë vendin 32-të me 789 pikë. Bosnja e Hercegovina është e 36-ta me 761 pikë, Mali i Zi ka përparuar për 15 pozita dhe është në vendin e 37-të me 749 pikë, ndërsa Sllovenia është e 55-ta me 636 pikë.

Gjermania mori nga Brazili vendin e parë në renditjen e FIFA-s me 1.606 pikë. Brazili është i dyti me 1.590 pikë. Në top 10-shen janë edhe Portugalia (1.386 pikë), Argjentina (1.325), Belgjika (1.265), Polonia (1.250), Zvicra (1.210), Franca (1.208), Kili (1.195) dhe Kolumbia (1.191).

Postime të Ngjajshme