` . Ramadani kthehet te Renova, Kirovski largohet nga Struga - TV-SHENJA

Ramadani kthehet te Renova, Kirovski largohet nga Struga

Emran Ramadani është rikthyer te Renova, nga e cila skuadër verën e vitit të kaluar ishte transferuar te Struga Trim Lum. Është kjo hera e tretë dhe rikthimi i dytë për Ramadanin te Renova, të cilës skuadër për herë të parë i ishte bashkuar në gushtin e vitit 2013-të. Ai kishte kaluar gati 5 vite te Renova, teksa janarin e vitit 2018-të vendosi të transferohet në Shqipëri te skuadra e Partizanit, me të cilët luajti vetëm 6 muaj, duke u rikthyer sërish te Renova.

Ramadani me Xhepçistasit gjatë karrierës së tij ka zhvilluar plotë 152 ndeshje zyrtare, duke regjistruar 30 gola dhe 10 asiste. Kujtojmë ditë më parë drejtuesit e Renovës rinovuan kontratat me 10 futbollistë, duke bërë me dije se i besojnë kontigjentit të futbollistëve që kanë dhe trajnerit të tyre, Bujar Islami, me të cilin gjithashtu vazhduan bashkëpunimin edhe për një vit tjetër.

Ndërkohë Struga Trim Lum nuk ka vazhduar bashkëpunimin me sulmuesin Hristijan Kirovskin. Ky i fundit skuadrës strugane iu bashkua verën e vitit të kaluar, kur arriti nga rradhët e Makedonija Gj.P. Me fanellën e Struga Trim Lum ai zhvilloi 22 ndeshje, duke realizuar edhe 5 gola. Për dallim me Kirovskin, Struga ka rinovuar kontratat me Klisman Caken dhe Dejan Cvetanovskin.

Aziz Sahiti /SHENJA/