` . Rama: Ta çlirojmë Shqipërinë nga banda “Kap ça të kapësh (KÇK)” - TV-SHENJA

Rama: Ta çlirojmë Shqipërinë nga banda “Kap ça të kapësh (KÇK)”

Kryeministri Edi Rama vijon tërthorazi sulmet ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja dhe grupit të ashtuquajtur “Kap ça të kapësh”, duke përdorur këtë herë takimin e përjavshëm të “bashkëqeverisjes”. Pasi dëgjoi ankesën e një qytetari për Kadastrën e Durrësit, Rama doli në shtegun e paracaktuar, tek ligji dhe masat speciale kundër grupit KÇK-së, pjesë e të cilit është sipas tij edhe Ndoja.

“Na preke në një plagë të hapur që është Kadastra e Durrësit. Ligji special dhe masat speciale kundër KÇK do ta çlirojnë kadastrën e Durrësit dhe ato të Shqipërisë nga rrethimi që është mbledhur prej shumë e shumë vitesh. Krimi i organizuar po përpiqet të shpërlajë paratë e pista në zona turistike. Por nuk do t’i gëzojnë. E kam dëgjuar këtë, që s’do të funksionojë kështu. Por të funksionojë siç duhet, duhet të kemi shtetin modern evropian, që s’bëhet sa hap e mbyll sytë, dhe aq më tepër t’a ndërtosh nga gërmadhat. Megjithatë jam dakord me ato që the dhe përsëri po të them, se sa kanë ‘shirë nuk do shinë’. Çfarë kanë grabitur s’do e gëzojnë”, tha kreu i ekzekutivit.

Deklarata e kryeministrit vjen pak ditë pas atentatit që ndodhi në Shkozet, ku prokurori Ndoja ra pre e një atentati. Më herët, Rama e akuzoi Ndojën si një prokuror që punon për bandat kriminale, pasi ai urdhëroi arrestimin e drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula./Lapsi/