` . Rama: Nëse BE-ja mbyll dyert, bashkohemi me Kosovën – TV SHENJA

Rama: Nëse BE-ja mbyll dyert, bashkohemi me Kosovën

Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse prespektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.

Ka qenë kjo deklarata e kryeministrit Edi Rama gjatë një interviste të dhënë për “Politico”. Kreu i qeverisë paralajmëroi “Europa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Unionit.

“Rajoni do të kthehet në një zonë gri ku aktorë të tjerë do të jenë më influentë sesa Bashkimi Europian”, ka thënë Rama.

I pyetur nëse do të bëjë një bashkim me Kosovën në mënyrë të njëanshme, Rama është përgjigjur: “Jo, sepse mënyra e vetme për të ruajtur paqen në Ballkan është që shtegu drejt BE-së të jetë i hapur, që perspektiva të jetë e qartë dhe që ndjenjat karshi BE-së të jenë pozitive”.

Rama ka theksuar se bashkimi me Kosovën nuk është dëshira e tij, por një alternativë ndaj mbylljes së dyerve nga Bashkimi Europian. “Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”, vijoi ai.

Postime të Ngjajshme