` . Rama: Na duhet një Qeveri me emra të zakonshëm - TV-SHENJA

Rama: Na duhet një Qeveri me emra të zakonshëm

Kryeministri Edi Rama, në një dëgjesë me banorët e Librazhdit, deklaroi se takimet që po bën në mbarë vendin nuk janë “fushatë post-zgjedhore për të krijuar idenë se jemi afër popullit, por një përpjekje për një formë të re qeverisjeje”.

“Duam që të jetë një qeveri koalicioni me njerëzit e zakonshëm dhe këtë duam ta ndërtojmë përmes një mekanizmi që na e mundëson teknologjia e informacionit. Të gjithë të jenë anëtarë. Platforma që po ndërtojmë do të jetë një hapësirë për të gjithë ata që duan të jenë në koalicion”, tha Rama.

“Duam të bëjmë që anëtarët e qeverisë të paraqiten në interpelancë edhe me njerëzit e zakonshëm, që të luftojmë bashkë me njerëzit ato gjëra që i kanë nxirë jetën popullit”, shtoi kryeministri.

Kryeministri Rama foli edhe për listën me 100 emra të publikuar në Facebook-un e tij. “U bë nami për një listë që doli ne Facebook-un tim. Ajo listë është thjesht një listë që doli nga përmbledhja e komenteve të njerëzve. Nuk është listë as për të ndjekur administrativisht, as për t’i quajtuar të korruptuar. Ne do ndjekim një mekanizëm tjetër për këtë punë. Çdo njeri do t’i dalë për zot akuzës që bën dhe në atë moment qeveria merr masa për zyrtarin. Historia që nga një anë njerzit mezi nxjerrin muajin dhe nga ana tjetër duhet të zbrazin xhepat kur shkojnë në zyrat e shtetit, duhet të mbarojë. Kazani mediatik do të ziejë si asnjëherë më përpara. Për liritë, të drejtat, Kushtetutën. Kazani politik do të ziejë gjithashtu. Do thonë erdhi diktatura, u rikthye Enver Hoxha, do i dëgjoni të gjitha. Por, ne për këtë e kemi marrë mandatin”, ka shkruar Rama.

Postime të Ngjajshme