` . Rama me atletet e bardha në qendër të Evropës globaliste dhe Turqisë erdoganiste! - TV-SHENJA

Rama me atletet e bardha në qendër të Evropës globaliste dhe Turqisë erdoganiste!

Gjykuar nga hapat e parë, i bie që ta gjykosh artin në politikë ose t’ia heqësh të bukurën politikës, për ta nxjerrë në dritë të shëmtuarën, pragmatiken. Rama, artist e populist, por edhe nacionalist modern, siç e përkufizuam, prapë nuk lë shumë hapësirë për ta kuptuar e analizuar. Arti nuk mund të përgjithësohet, e aq më pak të kuptohet, racionalizohet e shpjegohet. Ai është vetë shpirti i autorit.
Shkruan: Rizvan SULEJMANI, Shkup

Edi Rama e kërkoj timonin, e mori, por tash shtrohet pyetja se kah na shpie? Një pyetje pa përgjigje ose me shumë përgjigje! Timoni në duar të artistit. Si duhet kuptuar kjo? Nëse arti nuk mund të kuptohet e shpjegohet, por vetëm mund përjetohet, atëherë çka bëjmë me ata që më shumë mendojnë sesa ndjejnë e përjetojnë? Fushata e tij prej artisti hapi shumë dilema, por edhe perspektiva. Paraqitja e Ramës me atlete, tuta e me shqiponjë nën krah, një veshje jokonvencionale, u bë çështje mediatike. Me këtë ia arriti qëllimit të parë: temë debati e komentesh u bë veshja dhe jo puna ose mospuna e tij. Kjo i duhet një politikani që e ka shijuar pushtetin, por nuk e ka ndryshuar realitetin. Populizmi i tij perfid është një çështje që enkas duhet studiuar. Në tubime partiake – në stilin tanimë të njohur – dominon flamuri kombëtar para atij partiak, që e bën të duket më tepër nacionalist i evropianizuar sesa folklorist primitiv. Një skemë prej artisti që mund vetëm të përjetohet, por që vështirë shpjegohet. Është ky kombinim i krijimtarisë artistike dhe veprimtarisë politike. Në debate paraqitet vetë, në një stil që rrënon çdo tabu dhe autoritet. Veshur me këmishë ku dominon numri dy, nën te bluza e zezë me dy gishtat në formën V, të huazuar nga demokratët, e sa për ta fshehur plagjiaturën, i vë një trëndafil të kuq, që i bie të angazhohet për një fitore të bukur. Shkon me timon në shout televizive të Arian Çani, ku promovohen artistët avangardë, individë asimetrikë e të margjinalizuar që kërkojnë famë si puna e Lek Plepit, për të shpjeguar se çka do të thotë ta kesh timonin, kuptohet atë të shtetit. Tregon se nuk do qeveri tepsie, ku luftohet kush sa do të hajë e pijë prej të përbashkëtës, por kërkon timonin e makinës, që simbolizon administratën profesionale dhe jo atë partiaken të parcializuar, me të cilën deri më sot janë vozitur Rama e Meta. Drejtimin e shtetit në koalicion e krahason sikur dy veta voziten me një makinë, ku njeri drejton timonin e tjetri rrotat. Ai, duke kërkuar timonin, do t’i japë fund kësaj administrate shtetërore, për ta bërë një administratë unike e profesionale të bazuar në meritokraci, ku pilot Rama do të ketë çdo gjë nën kontroll. Paraqitjet e tija mediatike janë storje në vete. Gazetarët i drejtohen me Ramë, në sy e quajnë gënjeshtarë e hajdut, ndërsa ai atyre u drejtohet me pleh e legen. Ata i thonë se “Ti na rren!”, ndërsa ai u përgjigjet se ata nuk e shohin se janë në kazan. Sipas tij, ata zihen e përzien në kazanin e tyre, duke e mbajtur veten për analistë politikë, por që e kanë për detyrë ta gjykojnë moralin e tij para të vetit. Ai e shpiku termin katund-mediatik dhe kazanin për ata që bëjnë vlerësim të opinionit publik. Opozitën e quan të paaftë, kurse partnerin e tij të koalicionit tepsixhinjë. Një populizëm perfid – të gjithë të tjerët janë ata, që nuk janë si unë/ne, ata janë një soj i ulët, jo i denjët për t’i marrë për seriozë, andej duhet parë si kundërshtarë, racë e prishtë, që duhet luftuar. Ai nuk përdor dhunë, por fjalë të ulëta nënçmuese. Është ky populizëm ordiner i mbuluar me oblandën e artistit. Në intervista e përdor njëjësin, duke iu drejtuar bashkëbiseduesit me Ti, e jo me Ju, kacafytet me fjalë si njeri i pazarit, që e bën të ndjehet krenar çdo rrugaç dhe njeri të klasës më të ulët. Përdor fjalorë të sofistikuar për t’i josh intelektualët e atyre të klasave më të larta dhe u shpalos Lebronkat, për të treguar se e di çka duan ata. Me një fjalë, i kapshëm për të gjithë, por vet i posaçëm, i dallueshëm, mbi gjithë, me mision të madh, mesianik, që ta nxjerrë Shqipërinë nga balta.
“Rilindja urbane”, një projekt fisnik ku e bukura duhet ta prodhojë të mirën. Filozofia e tij është “përparimi vjen me urbanizimin”. Para këtij populizmi të shfrenuar, shprehur me shumë entuziazëm, Basha u duk i vogël, demode e pa ide, kurse Iliri e humbi rolin e tregtarit bizantin që rregullon balancat politike. Motoja “me mua fitoni sigurt”, që e ka mbajtur gjallë tërë këtë kohë në jetën politike, u shua një herë e mirë. Ligjërimi i tipit “nuk e di se kush do t’i fitojë zgjedhjet, por e di se LSI-ja do të jetë në qeveri”, tanimë duket një gënjeshtër e madhe. Ekuilibrat u prishën: LSI-ja nuk është ajo që e vendos fatin e qeverisë, kurse PD-së i duhet shumë për të analizuar nëse dëshiron që një ditë të bukur përsëri të vijë në pushtet. Edi Rama e mori timonin në dorë dhe tani duhet ta ëvozis Shqipërinë, por edhe shqiptarët. Por, në çˋdrejtim?
Gjykuar nga hapat e parë, i bie që ta gjykosh artin në politikë ose t’ia heqësh të bukurën politikës, për ta nxjerrë në dritë të shëmtuarën, pragmatiken. Rama, artist e populist, por edhe nacionalist modern, siç e përkufizuam, prapë nuk lë shumë hapësirë për ta kuptuar e analizuar. Arti nuk mund të përgjithësohet, e aq më pak të kuptohet, racionalizohet e shpjegohet. Ai është vetë shpirti i autorit. Por, edhe në këto rrethana do të mundohemi t’i japim kuptim dhe shpjegim politikës së tij. Ai e bëri fluturimin e parë në Stamboll, për ta ndarë kënaqësinë me një mikpopulist si vetja, që nuk pikturon, por reciton vargjet e Mevlanas, për t’i bërë për vete zemrat e popullit ose për të bërë strategji për Shqipërinë në kohën e Evropës globaliste. Dy artistë, njëri poet dhe këndues i Kuranit e shahir, tjetri piktor, e kanë të përbashkëtën politikën. Si dy shpirtra binjakë, ata gjejnë kënaqësinë të rrinë një a dy orë bashkë dhe në fund, të dehur nga e bukura e artit, dalin me premtime marramendëse. Paralajmërojnë investime e bashkëpunim në të gjitha sferat, deri tek stratosfera, ku dominon fluturimi i shqiponjës nëpër botë me Turkish Aerlines në prapashpinë. Bosfori vërtet ka qenë dhe mbetet inspirim për shumë artistë, por duhet pranuar edhe për politikanë. Aty bashkohen mistikja me racionalen, e bukura me pragmatikën, ambicia me mundësinë, pushteti me madhështinë. Sikur kjo befasi të mos mjaftonte, Rama niset për Trieste – në një samit të vendeve të regjionit. Në të merrnin pjesë burrështetasit e Ballkanit, por edhe tre kryeministrat kryesorë të Evropës tanimë të cunguar pa Britaninë. Ata tashmë vendosin për ardhmërinë e regjionit, pra të Ballkanit Perëndimor. Flitet për perspektivë evropiane të kësaj oaze të mbetur as në Lindje dhe as në Perëndim, por edhe njëra edhe tjetra sa e urrejnë, aq edhe e pëlqejnë. U paralajmërua me shumë pompozitet, pritje e premtime, por artisti shqiptarë i hodhi të gjitha nën hije me atletet e tija të bardha “Adidas”. Ato u bënë qendër dhe atraksion medial dhe jo “strategjia e madhe” që i hap perspektivë Ballkanit. Prapë artit duhet të mundohemi t’i japim shpjegim. Çfarë porosie donte të dërgonte Rama i veshur me kostum e atlete? A deshi të ironizoj me premtime të parealizuara të kësaj treshe, por edhe vetë Evropës? Që i bie se “unë këtë takim e shoh si një kohë për relaksim, ku mund të tregohen barsoleta për Ballkanin e prapambetur dhe Evropën e ndritur”. Fundja, Rama di ta bëjë shumë mirë këtë punë. Kur shihje të qeshurat e politikanëve evropianë rreth tij, veçanërisht Boris Xhonsonin, mendoj se ai ishte mjaft i suksesshëm. Ndoshta deshi të çojë porosinë se tani që e kam timonin në dorë, jam në gjendje të garoj me secilin dhe t’ia kompensoj të gjitha vonesat e gjertanishme. Por, pse me atlete të bardha dhe “Adidas”? Ndoshta, se e bardha evropiane (atletet) më tepër bien në sy karshi të zezës së Ballkanit (kostumet e mbyllura) ose të tregojë se tani e tutje shqiptarët do të jenë paqësorë dhe jo destrojerë, që prishin konstrukte artificiale. Pse jo, a nuk kishte një takim misterioz në brigjet e Bosforit me mikun e tij, Vuçiq? A nuk ishte ky një paralajmërim për fundin e një periode të konflikteve dhe mosmarrëveshje për t’u futur në një bashkëpunim të ri në regjion të quajtur Zona e Përbashkët Ekonomike, që unë disa herë vite më parë e kisha paralajmëruar si Albo-Serbi. Besoj se mund ta merrni me mend pse me “Adidas”? Imagjinoni që Rama të dilte para Merkelit me “Lebronka” ose me “Nike”! Tani kur lufta tregtare ndërmjet Gjermanisë dhe Amerikës ka hyrë në një fazë kritike, njeriu me një nuhatje të hollë si Rama nuk do t’ia lejojë vetes të bëj sfilitë me prodhime amerikane para zonjës së hekurt.
Por, çka është e përbashkëta e Merkelit, Ramës dhe Erdoganit? Si u gjend ky në mes? Kjo, megjithatë, mund të ketë një shpjegim. Dihet se Rama ishte një sorosoid i përbetuam, bile vet kishte paralajmëruar se nëse Trump-i vjen në pushtet, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-në do të vinë në pikëpyetje. Trump-i erdhi në pushtet, Sorosi është në shënjestër të tij, ndërsa ky i fitoi zgjedhjet në Shqipëri. Rama, i vetëm, i goditur i lënduar. Por, a nuk janë këto momente kur më tepër se kurdoherë artisti vjen në shprehje? Zaten ai këtë e ka përdëftuar. Kur të tjerët i rrahin dhe godasin, shkojnë te mjeku, kurse ky shkon te fotografi. Dhimbjen, hidhërimin dhe dëshpërimin i shndërron në art. Kujtojeni momentin kur në fillet e karrierës politike u rrah dhe përgjak. Ai atë nuk e fshehu, por e përjetësoj në fotografi. Kështu ndodhë edhe tani. Në Evropën e pas BREXIT, kur tjerët panë humnerë, ai pa shanse. Si në shaka do të deklarojë: “Vendin e Britanisë do ta zë Shqipëria”. Merkelit të lënduar kjo i erdhi si pikë uji në vapë. Asaj ia lehtësoi etjen, kurse për vete e fitoj simpatinë. Siç e shpjegon ekstravagancën e veshjes së vet, në fillim përfolet, pastaj debatohet dhe, në fund, pranohet e bëhet modë. Ashtu ndodhi edhe me Evropën pa Britaninë: në fillim u përfol, pastaj filloi një debat ndërmjet skeptikëve, nacionalistëve, izocionalistëve dhe liberalëve dhe tani pranohet se Evropa është në kufijtë e saj natyrorë! Po, por sot më tepër Evropa është gjermane sesa Gjermania evropiane. Nëse Gjermania evropiane nuk ishte e denjë për lojëra globale, Evropa gjermane mund ta bëjë atë. Sot ajo ballafaqohet me Amerikën e Trump-it, që është shumë më tepër rivale sesa solidare dhe që kërkon një zgjidhje. Ky moment e sjellë Ramën në qendër të vëmendjes. Për t’u ballafaquar me këtë realitet, Evropës gjermane i duhet një koalicion global. Pa shumë pompozitet e zhurmë, ajo bëri një marrëveshje me Japoninë, një treg 230 milionë me një zhvillim teknologjik marramendëse. Këtë e bën nën ombrellën evropiane, ku ajo i ka të gjithë penjtë në duar të veta. Shikuar nga kjo distancë, duket se gjërat kishin një rend. Së pari me mjeshtri e largoi Britaninë nga ndikimi në kontinent, pra si trup i huaj dhe rival, e vuri nën kontroll Italinë, Spanjën e, më vonë, edhe Holandën dhe tani, së fundi, u bë edhe “kancelare e Francës”. Kështu së paku deklaronte Mari Lepen në kampanjën parazgjedhore: “Unë e di se pas këtyre zgjedhjeve Franca do të ketë kryetar femër, ose unë ose Merkel”. Duket se nuk është larg koha kur edhe Amerikën do ta përshëndesë dhe do t’i dëshirojë rrugë të mbarë përtej Atlantikut.
Përsëri: çfarë është e përbashkëta e Gjermanisë globaliste, samitit të Triestes, Erdoganit dhe Ramës me atletet e bardha në qendër të vëmendjes. Shpirti i artistit është i thellë. Ai shkon përtej arsyes, është shpërthim, ndjenjë shpirtërore, që neve na shfaqet me disa simbole. Ai ka nuhatje, sheh se mozaikut nuk është komplet, i mungon një pjesë. Parandjenjë se Amerika e lëshon Ballkanin, se Evropa gjermanizohet, kurse shqiptarët mbeten pa ombrellë. Cila mund të jetë alternativa? Në mungesë të arsyetimit logjik, neve nuk na mbetet gjë tjetër, vetëm se ta përkujtojmë dhe analizojmë të kaluarën. Po a nuk ishim ne shqiptarët një miqësi që në themelim të shtetit me Austro-Hungarinë, për të mos e lënë Rusinë që të dalë në det? Po a nuk patëm një flirt të shkurtër në Luftën e Dytë Botërore me Gjermaninë e Italinë? Po a nuk u mbajt takimi në Trieste me insistim të Mogerinit, një komisare nga Italia? Po a nuk kemi një përafrim të politikës së Maqedonisë me atë të Bullgarisë, një aleate e hershme e Gjermanisë edhe me meritë të shqiptarëve, që e prunë Zaevin në pushtet? Sigurisht se pati edhe një takim në treshe të kryeministrave të Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë. Në aspektin religjioz duket si takim sllavo ortodoks, por në aspektin historik më tepër duket si një kryqëzimi i vijës ruso-angleze-gjermane, ku shqiptarët munguan. Kjo na bën të jemi vigjilentë për një koalicion të mundshëm sllavo-ortodoks për Maqedoninë. Por, pse mungojmë ne shqiptarët? Kësaj radhe duam të besojmë se Greqia e Serbia kanë qenë në pozitë inferiore dhe kanë kërkuar t’i informojë Bullgaria për nënshkrimin e marrëveshjes dhe manifestimin e përbashkët të 2 gushtit të vitit 1903 me Maqedoninë. Kjo festë lidhet me idenë pan-bullgare për Bullgarinë e Madhe në bashkëpunim edhe me shqiptarët, që atëherë dështoi, por më vonë me insistim të Kominternës u materializua nga serbët në një Maqedoni të vogël serbofile. Zaevi, nën tavolinë, brifon se ka qenë kërkesa e tij që në dokument përdoret formulimi “qytetarët e Maqedonisë”, jo maqedonasit, për t’i kënaqë kështu shqiptarët. Edhe pse ky duhet të jetë një kompromis për t’i ikur termit “maqedonas”, që bullgarët nuk e pranojnë, ne duam të besojmë se jemi aty diku edhe në këtë lojë.
Pas kësaj duket se e gjejmë pjesën që i mungon mozaikut. Ajo është Turqia, një aleate e fshehtë e Gjermanisë naziste, që nuk mund të harmonizohet me këtë globaliste. Turqia e Erdoganit dhe Gjermania e Merkelit kanë një konflikt verbal, që më tepër ka motive gjeostrategjike sesa dallime ideologjike. Gjermania, si duket, nuk mund të pajtohet që Turqia t’i kontrollojë shumë pika dhe resurse gjeostrategjike, si energjinë dhe ujërat, ose edhe të jetë shumë afër me Rusinë. Një konfrontim i drejtpërsëdrejti i këtyre dy shteteve për momentin nuk i konvenon asnjërës. Ta fusësh nën kontroll Turqinë është shumë e shtrenjtë, kurse të lihet pa kontroll është shumë e rrezikshme. Gjermania me mjeshtri i ofron një marrëveshje përafërsisht si Japonisë, por Turqia e refuzon. Ekonomia e këtij vendi nuk e përballon dot konkurrencën e ekonomisë gjermane, andaj shpejtë do të kishte rënë nën varshmëri komplete deri në humbjen e sovranitetit. Se si të afrohen sërish këta aleatë historikë, kjo është sfida që kërkon përgjigje. A mund të jetë Rama një pikëtakim i këtyre dy vendeve, por edhe i iniciativës regjionale? Pak e besueshme, por e mundshme. Për regjionin e mbetur jashtë integrimeve duket se është figurë e patejkalueshme, por për lidhjen e Evropës me Bosforin pritet të shihet. Arti nuk shpjegohet, por përjetohet. Politika e artistit është po aq e pakuptueshme sa edhe arti i tij. Rama artist në politikë. Enigmës se atleteve të bardha duam t’i japim një shpjegim. Rama me timonin në dorë duket se na vozitë kah qendra që e lidh Evropën gjermane me Turqinë erdoganiste. Atletet e bardha sikur duan të thotë: vërejtje, vërejtje, sytë këndej! Unë jam në qendër të një Evrope globaliste dhe të një Turqie erdoganiste në ngritje e sipër!

Postime të Ngjajshme