` . Qyteti pa librari – TV-SHENJA

Qyteti pa librari

Shkruan: Lindita Kadriu

Nga një letër mikes, shkruar vjet:

…shpresoja të ishte dezinformatë.

Por, vërtet Libraria e Çarshisë së Shkupit redizajnohej, mendoj, për të keq.

Nuk paskësh qenë thashetheme, mendova pikëllueshëm.

Planifikohet, më tha pronari, që të aneksohen tavolina të reja aty ku deri dje qëndronin raftet  kryesisht me botime tiranase. Do të ketë më shumë tryeza për më shumë fitime.

POR

kur biznesi nuk bëhet nga zori i madh financiar, fuqishëm besoj se puna me zemër dhe në interes të përgjithshëm sjell poashtu dobi. Dobia nuk matet ekskluzivisht me para. Ajo prodhon qar në shtigje më të gjata, pasi energjia që lëshojmë në kozmos nuk ka si të mos kthehet për të mirë.

…Shkupit i duhet imput më i madh kulturor shqiptar. Çarshisë, si bash-vendi i saj, poashtu. Përmes kafe-librarive, galerive, dyqaneve konceptuale të modës vendore, pjesa më e bukur e qytetit mund të bëhet akoma më e bukur dhe më e gjallë. Përveç kësaj ka mjaft dyqane që rrinë bosh me vite e që mund të shndërrohen, me pak adaptime, në atelje për qëndrime rezidenciale të artistëve vendorë dhe të huaj. Kështu hapësira shpirtërohet.

…hapjen e Librarisë më vitin 2012 e mora si shenjë ogurbardhë për frymën e munguar kulturore në Çarshi. Shkoja shpesh për të kërkuar ndonjë titull, anise jorrallë nuk e gjeja. Por, përsëri ishte ndjenja e mirë që më në fund në qytet u hap një lokal ku ofrohet libri shqip. Në të gjitha rastet, në veçanti të fëmijëve, si ditëlindje apo synetime, dihej vendi ku drejtohesha – tek ajo kthina më e dashur për mua plot me libra të ilustruar për të gjitha moshat e vegjëlisë.

Libraria e Çarshisë ishte vendi i vetëm për të blerë libra shqip në Shkup.

…në hyrje të Çarshisë ekziston libraria Rilindja, e hapur por si e mbyllur: xhamat e pluhurosur, kurse në vitrinë ca libra të dala boje nga dielli. Një relikt i së kaluarës që mezi mbahet në këmbë dhe më duket se të vetmin funksion e ka t’na përkujtojë fëmijërinë kur shkonim kryesisht ne fillimshtator.

Sidoqoftë, Shkupi prap kthehet në qytet ku s’ke ku blen libra shqip.