` . Qytetërimi pa Njeri - TV SHENJA

Qytetërimi pa Njeri

Latif MUSTAFA

Përmasa e një qytetërimi është krijimi i sigurisë fizike dhe ontologjike të qytetarit të saj. Shpesh ndodhë që në kohë oscilimeve edhe më të vogla të lëkundjes së kësaj sigure, reflektimi rreth universaleve dhe themeleve epistemologjike, metafizike dhe ontologjike, thjesht është i pashmangshëm. Sulmet ndaj dy kullave binjake, sulmet në Spanjë, Angli dhe tashmë në Francë, vetëm sa e forcojnë një mesazh: Bota nuk ka me qenë kurrë e sigurt siç ka qenë, qytetërimi ynë perëndimor ka ngecur keq, nuk ofron siguri fizike dhe ontologjike për qytetarin e botës. Në vend të të qenit një qytetërim politik ditë e më tepër po bëhet një qytetërim policor e ushtarak. Themelet e ngrehinës: filozofike, sociologjike dhe politike, të këtij qytetërimi duhet shqyrtuar urgjentisht.

Para dy ditësh në Paris u kryen sulme terroriste të koordinuara integralisht duke marrë jetë njerëzish të pafajshëm, civil dhe të pambrojtur. Në mesin e të vrarëve nuk kishte vetëm Francez, por kishte edhe meksikan, anglez, kilian dhe shumë nacionalitete të tjera që priten të identifikohen së shpejti. U godit Parisi, qytetit më ikonik i qytetërimit perëndimor. Parisi, konsiderohet epiqendra e modernitetit politik dhe filozofik, djepi i republikanizmit dhe frymës së qytetarit të lirë. Ai u godit nga një grup terroristësh që për neve mund të jënë krejt anonim, njerëz me maska. Ajo çka i bën ata të frikshëm është aftësia e tyre për të neutralizuar një sistem kaq të fuqishëm sigurie ndërkombëtare dhe të organizojnë një sulm të tillë, kurse ajo çfarë i bën ata të rëndësishëm për kureshtjen tonë është pyetja e Pse-së, se Pse e bënë një sulm të tillë. Sulmi u komentua të mbartë shumë mesazhe për Francën. Nëmje historike dhe mëkati i trashëguar i kolonializimit që kishte bërë Franca, pastaj dëshira e disa shteteve që Franca të jetë edhe më aktive në luftën e Sirisë, kurse ai mesazhi më i zakonshëm ishte ai, hakmarrja. Dëshiroj që të ngreh mundësinë e komentimit edhe për një mesazh tjetër por jo i palexuar deri më tani. Ai është mesazhi i “vrasjes” së republikës si koncept, imazh dhe frymë e qytetërimit dhe filozofisë perëndimore i aplikuar jo njëtrajtshmërisht në trajtësimin e botës, po ka nga ky qytetërim.

Çfarëdo organizate që ta ketë kryer këtë akt makabër dënimi, distancimi dhe neglizhimi janë gjëra të pamjaftueshme, konvencionale shpesh edhe nihiliste. Gjatë prononcimit të parë të presidentit Frances ai përafërsisht shprehet se: “Kjo është një luftë e pashpallur ndaj Francës”  dhe kjo frazë mund të them lirisht se është manifestimi më i mirë i neglizhencës së realitetit prezent së luftës që ndër vite vazhdon dhe e ka shndërruar Lindjen e Mesme në varrin më të madh të botës. Madje për dyqind vitet e fundit trendi i tragjedisë njerëzore dhe numri i njerëzve të mbytur sa shkon e rritet. Sintagma “Kufijtë e paqes i shkruan gjaku i luftës” duhet rishikuar dhe menduar rishtazi sepse kjo sintagmë do të ishte e mundur vetëm në qoftë se njerëzimi do zhduket i tëri sa mos të mbetet as një njeri për të bërë paqe. Nga eksperienca e dimë se çdo sulm terrorist shoqërohet me një luftë të legjitimuar për liri dhe demokraci andaj edhe këto sulme, bazuar në përvojën tonë për projektimin e të sotmes së zgjeruar, këto sulme janë alibi e mirë për një luftë të legjitimuar.

Terrori i ushtruar nëpër shumë qendra të tjera të botës si puna e sulmeve në Bejrut e Kenia, ato më Paraprake në Ankara, janë neglizhuar. Ngjashëm po neglizhohet lufta në Irak, Siri dhe Palestinë, po neglizhohet gjendja e rëndë në Pakistan dhe Afrikën Qendrore dhe Veriore dhe gjetiu. Bombat që krisën disa javë para zgjedhjeve në Ankara dhe morën jetën e më shumë se 100 njerëzve, lëre që u neglizhua, por nga “mainstream” media u tentua të paraqitet si fabrikim i pushtetit si panik dhe frikë ndjellëse për qytetarët përkundër deklarimeve zyrtare për fajësinë e ISIS-it. Mbyllja e kufijve për refugjatët Sirian, është një paralajmërim për një luftë të re dhe katastrofë humanitare për Ballkanin dhe Evropën Qendrore. Marrëveshja e BE-së dhe Turqisë për t’i ofruar kësaj të fundit 3 miliard euro ndihma për refugjatët dhe liberalizmin e vizave, është po ashtu një argument se kriza Siriane ka për të vazhduar edhe për ca kohë. Çka më tepër kjo qasje selektive dhe kryeneçe e shteteve perëndimore ndaj problemit të Sirisë, po krijon iluzionin e mundësisë së “shpëtimit” të Evropës nga flaka e tymi që e ka kapluar Lindjen së Mesme.

Asnjë hapërim nuk mund të shënohet nëse nuk rregullohet një herë e mirë mbetja e shtetit të vetëm kolonialist nga shek. XIX, shtetit të Izraelit. Legjitimiteti ndaj dhunës së shtetit Izraelit ndaj popullsisë palestineze, është nënshkrimi i çdo disfate për paqen afatgjate në botën tonë. Mos të harrojmë, Theodor Herzl u përkushtua të krijoj shtetit modern evropian në gjirin e Perandorisë Osmane. Ky shtet u ndërtuar mbi paradigmën e shtetit komb të qytetërimit perëndimor, një shtet policor e ushtarak, e asnjëherë politik dhe sot konsiderohet simbol i dhunës dhe i shtypjes dhe barbarisë. Legjitimimi dhe mbështetja e Izraelit nga “Republikat” perëndimore deri më tani kanë qartësuar vetëm një mesazh, dhunën si mbrojtëse të qytetërimit dhe vlerave të saja.  Së bashku me qytetërimin ajo rrezikon ta zhdukë edhe njerëzimin.

Çdo krizë është një mundësi, madje më shumë se kaq. Nuk është çështja se nuk po bëhen studime për këto probleme gjithashtu Akademia Evropiane dhe perëndimore është shumë heterogjene në pikëpamjet e saja për krizën aktuale që ka kapluar qytetërimin. Por ama  politikat globale dhe diplomacia e saj akoma rënkojnë nga nënvetëdija dhe gabimet historike.  Në kampet politike sado që mbizotërojnë interesat dhe kalkulimet politike për pushtet, imigrantët janë bë themeli i platformave politike të partive e sidomos i së djathtës ekstreme e cila çdo ditë e më tepër forcohet në Evropë.

Nuk jam optimistë se “kokat” e politikës botërore do bëjnë kthesa epokale apo hope cilësore dhe të përfshihen në një debat për etikën globale dhe përgjegjësitë. Por besoj në mundësinë e përfshirjes të opinionit publik për zgjerimin e debatit rreth një etike globale që garanton sigurinë ontologjike dhe krijimin mundësisë për jetë, në vend të monologut dhe dialogut të krijon mundësinë e polilogut (polylog), pra mundësisë që  përkundër të “vërtetave” tona të përkora t’i ruajmë si të tilla në tërë këtë proces të debatit dhe konverzacionit. Nuk ekziston një Zot i cili ka krijuar jetën dhe në të njëjtën kohë, të jepen jeta e të merren jetë për të njëjtin Zot. Sadizmi është veti e njeriut e jo e Zotit. Por ama ne “njeriu i bardhë” të çlirohemi nga kompleksi ynë për misionin qytetërues që i kemi mbi vete. Ngaqë këtë mision nuk na dha as Zoti e as njerëzimi. Misioni qytetërues nuk mund të jetë vrasës në vetvete. Nëse zhdukim qenien njerëzore atëherë kujt do t’i mbetet qytetërimi!?

Opinionet e artikullshkruesve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe qëndrimin e redaksisë.

Postime të Ngjajshme